Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Banorët e Treganit vendosin prioritetet e investimeve përmes buxhetimit me pjesëmarrje.

Në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe deputetja Evis Kushi zhvilluan një takim me banorët e Njësisë Administrative Tregan.

 Takimi u mbajt në ambientet e shkollës së re “Jonuz Carçiu”, një nga investimet më të rëndësishme të realizuara në këtë zonë gjatë vitit paraardhës.

Kryebashkiaku  Llatja, theksoi se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar investime të konsiderueshme në këtë njësi:

“Vetëm në këto dy vite, në Tregan kemi realizuar mbi 2 milionë euro investime në infrastrukturë shkollore dhe rrugore,”  u shpreh ai.

Duke u ndalur fillimisht te shkolla “Jonuz Carçiu”, ku u zhvillua edhe takimi, Llatja shtoi se “kjo shkollë ka qenë një nga kërkesat më të shumta të banorëve. Ishte një shkollë problematike për shumë vite, por tashmë kemi arritur ta kthejmë në një institucion modern që u shërben fëmijëve të zonës.”

Përmirësimin e rrugëve dhe infrastrukturës në Tregan, ishte një tjetër aspekt ku u ndal Llatja duke shtuar se “janë realizuar rruga e Kyçykëve, rrugët e brendshme të fshatit Tregan, si edhe pjesa e dytë e vazhdimit të rrugës që lidh Treganin dhe fshatin Kyçyk me Cërrikun. Të gjitha këto janë investime që po e zhvillojnë ndjeshëm zonën.” 

Ai vuri theksin te potenciali i madh zhvillimor i zonës, veçanërisht në turizëm.

“Në Tregan kemi një potencial të madh, ujin termal të Llixhës, turizmin dhe numrin më të madh të shtretërve në Bashkinë e Elbasanit. Do ta mbajmë Treganin në qendër të vëmendjes dhe do të mbështesim komunitetin për të vijuar punët e mira e për të zgjidhur problematikat që ekzistojnë,” u shpreh Llatja.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, ai shtoi se, “synimi ynë është ta zhvillojmë Treganin jo vetëm nga aspekti infrastrukturor, por edhe ekonomik, duke shfrytëzuar potencialin që ka sot me biznese të reja, hotele të reja dhe mundësi të shtuara në kapacitete akomoduese. Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për punët publike.”

Në vijim, Kryetari njoftoi edhe projektet e reja që pritet të nisin së shpejti.

“Shumë shpejt do të nisë rruga e Bajramëve, ashtu si do të vijojmë me prioritetet tona për të lidhur edhe fshatrat e tjerë. Prioritet tona për vitin tjetër janë rruga nga Tregani në Trepsenisht dhe Tudan-Mjekës nga të dyja krahët,”  theksoi ai.

Deputetja Evis Kushi vlerësoi potencialin e madh zhvillimor të zonës dhe rëndësinë e përfshirjes së banorëve në procesin e vendimmarrjes.

“Është shumë e rëndësishme që banorët janë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Vetëm përmes pjesëmarrjes aktive mund të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm për çdo fshat të kësaj njësie,” u shpreh Kushi.

Në përfundim të takimit, banorët votuan prioritetet kryesore të investimeve që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje mbetet një model demokratik që u jep qytetarëve mundësinë të vendosin për zhvillimin e komunitetit të tyre.