Bashkëpunim i ri sportiv, delegacioni i Ambasadës Kineze viziton Drejtorinë e Kulturës dhe Sporteve në Elbasan

Drejtori i Klubit Shumësportësh Elbasani, Artin Kovaçi, priti në një takim përfaqësues të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga drejtori i Politikave Sportive dhe Kulturore, Tang Hao, i shoqëruar nga përfaqësues të Shoqatës së “Miqësisë Shqipëri–Kinë”.
Në vijim të bisedës u diskutua mbi mundësinë e krijimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm në të ardhmen, përmes shkëmbimit të eksperiencave, binjakëzimit të ekipeve në sporte të ndryshme, organizimit të aktiviteteve sportive masive dhe cilësore, si dhe zhvillimit të kualifikimeve shkencore në fushën e trajningut sportiv.
Takimi u zhvillua në një frymë shumë pozitive, ndërsa përfaqësuesit e Ambasadës Kineze shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me Klubin Shumësportësh Elbasani në disa fusha.
Gjithashtu, të ftuarit vizituan ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”, ndërsa u ftuan të jenë të pranishëm në aktivitetet ndërkombëtare që pritet të zhvillohen gjatë muajve qershor–gusht 2026 në disiplinat ping-pong dhe peshëngritje.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mbështetjen dhe përmirësimin e kushteve të Pallatit të Sportit, me synimin për ta zhvilluar më tej atë si një qendër të rëndësishme sportive për qytetin dhe aktivitetet ndërkombëtare.