Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Bora e parë në majën e Bukanikut, Gjinar!

Bora e parë ka zbardhur majën e Bukanikut në Gjinar, duke sjellë një pamje magjike dimri mbi kurorat e pishave dhe peizazhin malor që rrethon këtë zonë të dashur turistike të Bashkisë Elbasan.

Pas ditëve me ulje temperaturash, reshjet e para të dëborës kanë mbuluar Bukanikun me një shtresë të bardhë, duke e kthyer Ginarin në një destinacion edhe më tërheqës për vizitorët që duan natyrë, ajër të pastër dhe qetësi larg zhurmës urbane.

Kontrasti mes gjelbërimit të pyjeve dhe të bardhës së borës ka krijuar pamje piktoreske, që tashmë po ndahen edhe në rrjetet sociale nga banorët e zonës dhe vizitorët e apasionuar pas ecjeve në mal dhe fotografisë.

Për të garantuar lëvizshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve, Bashkia Elbasan ka marrë masat e nevojshme në terren, duke vendosur borëpastrues në rrugët që të çojnë drejt Gjinarit. Deri në këto momente, qarkullimi vijon normalisht dhe rruga është e kalueshme, ndërsa ekipet janë në gatishmëri për çdo situatë që mund të paraqitet.

Gjinar, i njohur për pyjet me pisha, shtigjet malore dhe klimën e freskët, me ardhjen e borës së parë hyn gradualisht në atmosferën e dimrit, duke paralajmëruar një sezon të ri, ku peizazhi natyror do të vazhdojë të tërheqë familje, turistë dhe të rinj në kërkim të eksperiencave në natyrë.

Bashkia Elbasan inkurajon vizitorët që duan të shijojnë borën dhe peizazhet e Bukanikut të tregojnë kujdes në lëvizje, të respektojnë natyrën dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që Gjinarin ta gjejnë dhe ta lënë po aq të pastër e të bukur sa e gjejnë.