Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Rritja e sigurisë në komunitet:

 OSBE e cilëson  Këshillin Publik të Sigurisë Vendore Elbasan model për bashkitë e tjera në vend

“Elbasani ka Këshillin e parë dhe më të mirë Publik të Sigurisë Vendore në vend, krijuar me mbështetjen  e prezencës së OSBE -së në vitin 2016. Përvoja e tij mund të shërbejë si model për bashkitë e tjera për rritjen e sigurisë në komunitet”.

Ky është edhe vlerësimi i dhënë nga prezenca e OSBE -së në vendin tonë, gjatë një seminari organizuar  për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit.

 Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet.

“Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias.

Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit.

Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”.

FJALA E KRYETARIT TË BASHKISË ELBASAN Z. GLEDIAN LLATJA

Kam kënaqësinë të falenderoj prezencën e OSBE për mbështetjen e këtij seminari me pjesëmarrje nga Bashkia Cërrik, Gramsh dhe Lushnjë me qëllim njohjen dhe shkëmbimin e përvojës së ngritjes së mekaniymit të Këshillit Vendor të Sigurissë Publike Elbasan.

Jam i vetëdijshëm se është e pamundur që një përvojë e tillë të jepet në një ditë të vetme. Megjithëse ne jemi siguruar që ju të merrni më të mirën nga ky seminar dhe për këtë arsye jemi përqendruar në disa problematika  duke prezantuar përpara jush edhe qasjen tonë për zgjidhjen e tyre.

Bazuar në përvojën e katër viteve të mandatit tim të parë kuptova se bashkëpunimi ndërinstitucional, me shoqërinë civile dhe me qytetarët është jetik për të qenë të suksesshëm në punën tonë.

Gjithashtu, kam kuptuar se ne duhet të angazhohemi për rritjen e kohezionit social dhe të vlerësojmë me seriozitet nevojat dhe zërat gjithësecilit.

Nuk ka sfidë më të madhe me të cilën përballemi ne sot se sa ajo e sigurisë. Njëkohësisht, të jesh kryetar i një bashkie do të thotë të përballesh me shumë sfida të ndërlikuara.

Që prej themelimit të tij ky mekanizëm ka sjellë ndryshime domethënëse në të kuptuarit e përbashkët të problematikave të lidhura me sigurinë;

në rritjen e partneritetit midis aktorëve publikë dhe shoqërisë civile; si edhe

ndërtimin dhe fuqizimin e besimit midis institucioneve publike e jo publike dhe komuniteteve lokale.

Në këtë mënyrë ne kemi ndërtuar një mjedis gjithëpërfshirës që lejon partneritet, bashkëpunim, të kuptuar të përbashkët të natyrës së kërcënimeve dhe qasjeve më të përshtatshme për t’i adresuar ato, si edhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në funksion të rritjes së cilësisë së jetesës.

Në mbyllje të fjalës time më lejoni të shpreh bindjen e plotë se nëpërmjet diskutimeve të përbashkëta ne do të adresojmë disa prej shqetësimeve, sfidave por edhe mundësive që shtrihen drejt së ardhmes.

Shpresoj se ky seminar do t’u mundësojë pjesëmarrësve jo vetëm që të njihen me këtë mekanizëm, por edhe të krijojnë ura komunikimi dhe bashkëpunimi me profesionistët e institucioneve publike dhe atyre të organizatave të shoqërisë civile”.

KVSP është një mekanizëm që mundëson shenjëstrimin e shqetësimeve reale të publikut të përcjella në KVSP përmes burimeve të ndryshme.

Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.

NJOFTIM PËR KRYERJEN E PROÇEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË BANESAVE SHTETERORE

PËR KRYERJEN E PROÇEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË BANESAVE SHTETERORE SIPAS VKM-së Nr.179, datë 26.02.2020

      Në zbatim të VKM-së nr.179 datë 26.02.2020 ” Për Rregullat, Kushtet dhe Proçedurat e Privatizimit të Banesave që Kanë Qenë Subjekt i Ligjit nr.7652 datë 23.12.1992,”Për Privatizimin e Banesave Shtetërore”, dhe të ligjit nr.9321 datë 25.11.2004,”Për Privatizimin e Banesave dhe Objekteve të kthyera në Banesa, të ndërtuara me fondet e Shoqërive dhe të Ndërmarrjeve Shtetërore”,( i ndryshuar ) njoftohen qytetarët që posedojnë banesa ose objekte të kthyera në banesa të ndërtuara nga shteti, të cilat vijojnë të jenë në pronësi të shtetit e rezultojnë të paprivatizuara dhe të pa regjistruara në regjistrin kadastral të pasuri vetë paluajtshme, kur këto banesa:

a) kanë qenë objekt privatizimi sipas ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, por kanë mbetur pa u privatizuar nga familja që e ka poseduar me kontratë qiraje me ish-ndërmarrjet komunale banesa;

b- janë banesa të ndërtuara deri në 31.12.1999 dhe  kanë qenë objekt privatizimi sipas ligjit nr.9321, datë 25.11.2004 “Për privatizimin e banesave dhe objekteve, të kthyera në banesa me fondet e  shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore”, të paraqesin brenda 90 ditëve kërkesën për fillimin e proçedurave të privatizimit  të banesës pranë Bashkisë Elbasan nga:

a- Subjekti i pajisur me autorizim nga organet kompetente, ose në rast vdekjeje të trashëgimtarëve të tij;

b- Çdo person i autorizuar me prokurë nga subjekti i përcaktuar më lart.

  • Kërkesa duhet të përmbajë :

i)   Të dhënat personale të subjektit kërkues.

ii)  Të dhënat lidhur me banesën ose objektin e kthyer në banesë.

iii) Datën e kërkesës dhe nënshkrimin e kërkuesit.

  • Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:

i)  Kontrata e qirasë, akti i dhënies dhe i marrjes në dorëzim të banesës nga ish-ndërmarrja komunale banesa, ose autorizim nga ish-organet administrative publike që e kanë strehuar në atë banesë.

ii)  Çertifikatë familjare e datës 1.12.1992 dhe çertifikatë aktuale familjare.

iii) Dëshmi e trashëgimisë, nëse ka ndërruar jetë subjekti i pajisur me autorizim.

      iv) Prokurë nëse personi është ngarkuar për të kryer veprimet nga subjekti i pajisur me  

autorizim.

v)  Dokument identifikimi i kërkuesit.

Aplikimi mund të paraqitet në rrugë postare, me adresë :Bashkia Elbasan, Lagjja“ Luigj Gurakuqi”, Rruga “ 11 Nëntori”, ( ish-konvikti i shkollës Pedagogjike) Elbasan ose pranë Zyrës së Informacionit me Një Ndalesë, Bashkia Elbasan, brenda afatit të mësipërm.

Shënim:

Gjithashtu njoftohen të gjithe subjektet që kanë paraqitur kërkesë në Bashkinë Elbasan, për përfundimin e procedurës së privatizimit përpara daljes së këtij njoftimi, të paraqiten në Bashkinë Elbasan, për vijimin e proçedurave, sipas korrespondencave shkresore përkatëse dhe ndryshimeve ligjore aktuale. 

Ju faleminderit !

Bashkia projekt për shtrimin e 8 kilometra infrastrukturë nëntokësore

Rruga ” Xhaferr Hakani” dhe rrugica e një nga lagjet e vjetra të Elbasanit, prej ditësh është kthyer në kantier ndërtimi.

Tek lagjja Brigada 17 Sulmuese në Njësinë nr.2 po ndërhyhet në infrastrukturën nëntokësore dhe në rehabilitimin e plotë të rrugës “Xhaferr Hakani” .

E amortizuar prej kohësh dhe me probleme në kanalizimin e ujrave të zeza por edhe të ujrave të shiut, tashmë shumë shpejt kjo rrugë do të ketë standartin e duhur, sa i përket kanalizimeve të ujrave të zeza, si dhe rrjetit të ujësjellësit.

Bashkia e Elbasanit ka nisur një projekt për rehabilitimin e 8 kilometra kanalizime të ujrave të zeza në qytet dhe në zonat informale, aty ku ka pasur probleme. Gjatë një inspektimi të punimeve në rrugën ” Xhaferr Hakani”, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja ka pohuar se ” investimi në këtë rrugë është një rast konkret ku amortizimi i lagjeve të vjetra si edhe shtimi i popullsisë ka shkaktuar edhe amortizim të kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të shiut, si dhe rrjetin shpërndarës të ujësjellësit, të cilat kërkojnë ndërhyrje”.

Amortizimi i rrjetit të kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të shiut, herë pas here ka shkaktuar edhe përmbytjeve në katet e para ndaj sipas z. Llatja ” ndërhyrja që po kryhet është sistemimi i saj, për të vijuar më pas me rehabilitimin dhe sistemimin e komplet zonave”. Fokusi i bashkisë Elbasan me projektin e ri të ndërmarrë është pikërisht ndërhyrja në lagjet e vjetra të Elbasanit por edhe në zonat e reja të Elbasanit ku është ndërhyrë për rehabilitimin e tyre.

Në këtë kuadër z. Llatja shton se ” po bëhemi gati për një plan të përgjithshëm për sistemimin një herë e mirë të kësaj problematike në qytet”. Investimi në infrastrukturën nëntokësore ishte një kërkesë e banorëve të lagjes, ku punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta duke marrë parasysh edhe kohën e cila është e favorshme.

” Bashkia nuk do të ndalë punimet në infrastrukturë në cdo rrugë dhe lagje të Elbasanit me qëllim përmirësimin e jetesës së banorëve”, shton Llatja. Banorët kanë shprehur opinionet e tyre rreth këtij investimi pasi sipas tyre ndërhyrja në infrastrukturën nëntokësore ishte një problem i kahershëm për to, e cila ka gjetur zgjidhjen.

Llatja: Po mbajmë premtimet për urbanizimin e të gjithë rrugëve dhe rrugicave në qytet dhe zonat informale

Një rrugë me stadarte, është drejt përfundimit në një nga lagjet e vjetra të Elbasanit.


Ishte një premtim i dhënë banorëve në lagjen e njohur si Pusi që lahet vetë, ku punimet janë drejt fundit në rrugën “Pëllumb Isaj” dhe rrugicat e tjera lidhëse mes shtëpive të lagjes të cilat po rehabilitohen me pllaka dhe do të asfaltohen. Punimet i ka inspektuar edhe kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja i cili edhe një herë e vuri theksin tek investimet në infrastrukturë për urbanizimin e të gjitha rrugëve dhe rrugicave si në qytet ashtu edhe në periferi të qytetit.


“Ishte një premtim i dhënë banorëve të kësaj lagjeje të vjetër në qytet, ku 15 familje jetonin me probleme infrastrukturore. Ne po i japim zgjidhje shumë rrugicave të Elbasanit por edhe shesheve të pallateve, në qendër të qytetit si dhe në periferi. Bashkia vazhdon punët edhe në verë, tha Llatja. Ai shtoi se “shumë ishin skeptikët që thonin se po hapim kantiere për fushatë, por kjo është realiteti rruga po mbaron në kohë rekord duke zgjdihur shumë problematika në Elbasan”.


Sakaq, edhe pse stinë vere, punimet vijojnë edhe në rrugën “Sabaudin Bobrati” në Njësinë 4, ku po riintegrohet në gjithë hapësirën e saj si një arterie e rëndësishme për komunitetin e banorëve të lagjes” Aqif Pasha”.

Edhe në Shushicë të Elbasanit, kanali ujites i Fushbullit një vepër e rendësishme për gjithë fermerët e zonës së Shushicës, qe falë nderhyrjes së bashkisë në kohë po përfundon dhe po i vjen në ndihmë të gjithë familjeve fermere.

Njoftim : Afati i pagesës së taksave dhe tarifave vendore

Njoftohen të gjithë subjektet taksapagues që ushtrojnë aktivitet ekonomik ose zotërojnë një apo më shumë prona (të kategorisë njësi shërbimi) në territorin e Bashkisë Elbasan se në zbatim të Vendimit të
Këshillit Bashkiak nr. 158 datë 30.11.2022 janë gjeneruar taksat dhe tarifat vendore për vitin 2023. Afati i pagesës së taksave dhe tarifave vendore për vitin 2023 është data 31 Korrik 2023.

Pagesa e detyrimit tatimor mund të kryhet pranë Postës Shqiptare, bankave të nivelit të dyte ose Unionit Financiar. Për mospagesë në afatin e caktuar aplikohet kamatvonesë në masën 1.8% çdo muaj, por jo më
shumë se 12 muaj.

Për pagesat që kryhen pas datës 31 korrik 2023 nis aplikimi i masave shtrënguese të parashikuara në ligjin nr. 9920 datë
19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Për çdo paqartësi dhe informacion si dhe për të tërhequr faturën e detyrimit tatimor, ju lutem paraqituni pranë sportelit të shërbimit të D.T.T.V.M.A -së (zyrat e ish-Aluiznit, pranë kopeshtit Ali Arapi).

NJOFTIM: “Rikonstruksion i rrugëve “Faik Pajuni” dhe “Alush Lleshanaku”

Në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 47 datë 20.04.2023, i cili ka miratuar fillimin e proçedurave të shpronësimit për pasuritë që preken nga realizimi i projektit me interes publik, “Mbi miratimin në parim të fillimit të proçedurës për shpronësimin e pasurive pronë private për realizimin e projektit, me interes publik  “Rikonstruksion i rrugëve “Faik Pajuni” dhe “Alush Lleshanaku” në Z.K. 8521”, nga Bashkia Elbasan dhe burimin e financimit të këtij shpronësimi”””, mbështetur në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndyshuar, ligjin nr. 8561 datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, i ndryshuar, kërkohet që brënda datës 22.05.2023, pronari/ët e pasurive ose të tretë të cilëve i’u preket pasuria, të dorëzojnë pranë Sektorit të Aseteve të Bashkisë, fotokopje të noterizuar të dokumenteve të pronësisë lëshuar nga ASHK Elbasan si dhe fotokopje karte identiteti.

Drejt përfundimit urbanizimi i të gjitha rrugëve në lagjet e qytetit të Elbasanit

Në Njësinë 4 – në Elbasan ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugëve lidhëse të lagjjes Visarion Xhuvani – “Azmi Stringa”, “10 Korriku” dhe “Marie Buda”. I mirëpritur dhe falenderuar nga banorët e këtyre lagjeve, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja i shoqëruar nga deputeti Klevis Xhoxhi, ka parë nga afër punimet për rehabilitimin e këtyre rrugëve. Banorët vetë kanë pohuar se rruga kishte 60 vite pa u shtruar edhe pse një lagje kryesore në qytet. ” Eshtë një premtim i mbajtur nga ana juaj, ndaj ju falenderojmë z. Gledian Llatja”, janë shprehur vetë banorët. Duke ju drejtuar banorëve Llatja u shpreh se ” gjithnjë e kam pasur në vëmëndje lagjen ” Visarion Xhuvani”, pasi prej shumë vitesh janë bërë investime pjesore, por që asnjëherë nuk ishte kryer një investim i tillë. Bashkë me këto investime që po bëjmë në rrugët  “Azmi Stringa”, “10 Korriku” dhe “Marie Buda” ne po mbyllim totalisht investimet në këtë lagjen ” Visarion Xhuvani”. Po bëhet një lagje model, rrugicat e vjetra janë shtruar me pllaka, duke ndjekur të njejtin model me investimet pararendëse”. Bëhet fjalë për një ndërhyrje totale ne këtë lagje , kanalizime të ujrave të bardha, ujrave të shiut, trotuare, ndricim, asfalt, me qëllim që ti shërbejë dhe përmirësojë jeten banorëve të kësaj lagjeje.  Duke u ndalur tek investimet në rehabilitimin e shumë lagjeve në qytet Llatja shtoi se ” po vazjdojmë edhe për sistemimin në lagjen ” Aqif Pasha”, në lagjen ” Partizani”, po vazhdojmë në qendër dhe në të gjithë qytetin. Gjithashtu po bëjmë punë edhe në zonat periferike që duhet të ishin bërë para shumë vitesh, jemi koshient për këtë, e kemi marrë përsipër ta bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund”. Kreu i Bashkisë ka falenderuar banorët e kësaj lagjeje të madhe në qytet për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë. Një nga banorët autokton të kësaj lagjeje i cili është invalid,  ka pohuar se ” jam përballur disa herë me situata jo të mira kur rruga ka qenë e amortizuar, jam rrëzuar disa herë, ndaj ju falenderoj për këtë investim që keni bërë në rrugën ku unë kaloj disa herë në ditë. Ne shohim tek ju kryetarin që nuk bën dallime të majtë e të djathtë, ti punon për Elbasanin tënd, ndaj ju urojmë që të jesh gjithnjë në ball të punës.” Sakaq edhe në rrugët kryesore “Azmi Stringa” dhe ” 10 Korriku” punimet vazhdojnë në asfaltim dhe trotuare. Edhe në këto dy rrugë të lagjes  “Visarion Xhuvani”, punimet janë në vazhdimësi, pas një kërkese të kahershme të banorëve. ” Kemi marrë përsipër që lagjet e vjetra të Elbasanit ti urbanizojmë të gjitha. Ky është një shembull i mirë i asaj që kemi nisur para 4 vitesh urbanizimin dhe rehabilitimin e të gjitha rrugëve të vjetra të Elbasanit, rrigicave dhe lagjeve të cilat kanë qenë problematike sa i përket zhvillimit urban.                   Ky është shembull i mirë ku Bashkia në bashkëpunim me qytetarët, por falë edhe stabilizimit financiar që i kemi bërë bashkisë kemi arritur që të ndërhyjmë edhe me buxhetet tona në shumë rrugë dhe rrugica të vjetra të Elbasanit”. Nga ana e tij deputeti Xhoxhi ka falenderuar kreun e Bashkisë i cili sipas tij ktheu në realitet kërkesën e kahershme të banorëve për rehabilitimin e këtyre rrugëve, duke mbajtur premtimin.