Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Dita e Verës/ 27 organizime festive në 6 pika të qytetit!

Edhe pse ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, festimet e Ditës së Verës, e kanë kryeqendrën në Elbasan. Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, pas dy viteve mungesë për shkak të pandemisë, festimet e Ditës së Verës, startuan që në datë 10 Mars për t’u finalizuar drekën e 14 Marsit. 27 organizime festive në 6 pika të qytetit të Elbasanit, kjo ishte edhe harta e festimeve në prag të Ditës së Verës, deri në perëndimin e 14 Marsit. 
Këtë të hënë kanë qenë me mijëra qytetarë jo vetëm nga Elbasani, por edhe  nga gjithe Shqipëria  që kanë festuar ditën e verës në qytetin e traditës së kësaj feste. Festimet  në Elbasan nisën gjallërinë e tyre mbrëmjen e 10 marsit, për të vijuar deri në datën 14 mars deri sa dielli nis të perëndojë. Fëmijët e Kopshteve të Bashkisë së Elbasanit, ishin edhe lajmëtaret e para të festimeve të Pranverës. Tek Parku ” Rinia” dhe jo vetëm, fëmijët kanë organizuar aktivitete të ndryshme, me këngë, dhe valle.   Aktivitetet kanë vijuar me Festivalin Folklorik Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare, i cili mblodhi në Elbasan në edicionin e tij të XVII  më shumë se 11 asamble dhe trupa nga të gjithë trevat shqiptare. Si pjesë ikonike e Ansamblit ” Isuf Myzyri” Bashkia e Elbasanit vlerësoi dy bilbilat e këngës popullore Vëllezërit Zena me titullin ” Qytetar Nderi” akorduar nga Këshilli Bashkiak për merita të veçanta në zhvillimin e artit, kulturës dhe ruajtjen me fanatizëm të motiveve tipike elbasanase. Aktivitete dhe larmi festive në të gjithë qytetin. Pallati i Sportit në Elbasan, organizoi finalen e maratonës sportive ” Lëvizja Olimpike” mes shkollave 9 – vjeçare dhe të mesme të Bashkisë Elbasan. Kupa e Luleve në Basketboll shkoi për djemtë e shkollës ” Kostandin Kristoforidhi” dorëzuar nga vetë kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja. Aktivitetet festive vijuan edhe në datat 12 dhe 13 Mars, ku 17 grupe nga të gjithë trojet shqiptare sollën traditat, kulturën dhe kostumografinë e tyre në një “defila” për herë të parë në Elbasan. Ishin fëmijët ata të cilët ngritën edhe balonat e Ditës së Verës. Ndërsa me qindra qytetarë jo vetëm nga Elbasani, por nga vende të ndryshme të vendit, kanë shijuar mbrëmjen e 14 Marsit jashte në shesh, ku nën ritmin  e këngëve të artistes së njohur Aurela Gaçe dhe grupit më të njohur Elita 5 për më shumë se 5 orë kanë shijuar dhe festuar  ardhjen e Ditës së Verës. Një koncert i madh festiv i cili i kishte munguar Elbasanit prej dy vitesh, i cili u finalizua me fishekzjarre që mbuluan qiellin e Elbasanit për disa minuta. Mëngjesi i së hënës, ka gjetur fëmijët në shesh, aktivitete të ndryshme parada e karnavaleve, maratona dhe gara e çiklizmit mes shkollave të qytetit, si edhe Panairi Industrial dhe ai i Sportit, ishin të tjera aktivitete në kuadër të Festës Pagane të Ditës së Verës në Elbasan. Panairi i zejeve dhe bizneseve të Elbasanit një mundësi fantastike për të promovuar punën dhe kreativitetin e njerëzve të thjeshtë që e kanë ndërtuar ekonominë dhe te ardhmen falë aftësive të tyre. Ekspozita fotografike e festimeve ndër vite në Muzeun Etnografik dhe në lulishten e rehabilituar pranë Xhamisë së Ballies, ishin dy nga pikat më interesante për vizitorët e shumtë të qytetit. Sofra e Elbasanit, një traditë shekullore që çdo 14 Mars hap dyert për të gjithë miqtë e qytetit për t’i uruar mirëseardhjen pranverës, do të mbyllte edhe aktivitetet për këtë ditë të shënuar festive për Elbasanin. Kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja, bashkë me deputetët e Elbasanit, patën nderin të prisnin miq nga i gjithë vendi dhe jashtë vendit  në këto ditë feste, duke i falenderuar që u bënë pjesë e festimeve në qytetin e Elbasanit, aty ku edhe ka lindur kjo festë që nga lashtësia. Ndërsa, dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga vende të ndryshme të Shqipërisë, dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë. Dita e Verës  është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës.