Elbasani feston artin: Gala e fundvitit magjeps në Teatrin “Skampa”
Në një atmosferë magjike, si çdo fundvit, Teatri Skampa ngriti siparin për Mbrëmjen Gala 2024, duke dhuruar një spektakël të jashtëzakonshëm artistik. Nën interpretimin e Orkestrës Filarmonike të Elbasanit dhe artistëve të njohur e të rinj, publiku pati mundësinë të shijojë një udhëtim muzikor që ndërthurte traditën dhe inovacionin.
Programi i kësaj mbrëmjeje unike solli interpretime të nivelit të lartë profesionalizmi, nga ritmet elegante të Vjenës deri tek pasioni i tangos argjentinase. Artistët e ftuar, përfshirë sopranon Ulpiana Aliaj, tenorin Xhoiden Dervishi, solisten në klarinetë Eviord Ngjeliu dhe solistin në kitarë Gentian Myftaraj, nën derigjimin e Deniola Kuraja ngritën peshë zemrat e spektatorëve me performanca që flisnin drejtpërdrejt me shpirtin.
Mbrëmja u moderua me elegancë nga Jonida Vokshi dhe Xhani Shqerra, ndërsa drejtimi artistik i Zeqir Sulkuqit u përkujdes për të sjellë një natë të paharrueshme.
Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja gjatë fjalës së tij, vlerësoi artistët dhe punën e tyre të palodhur, duke nënvizuar rolin e Elbasanit si një qendër të rëndësishme të artit dhe kulturës.
Grand Gala 2024 konfirmoi edhe një herë se Elbasani mbetet një burim i pashtershëm talentesh dhe frymëzimi artistik, duke i dhuruar publikut një festë të jashtëzakonshme të artit dhe muzikës.