Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani feston Ditën e Verës me panaire, traditë dhe atmosferë festive në qytet

Në këtë ditë të 13 marsit, qyteti i Elbasan është mbushur me atmosferën e veçantë të Dita e Verës, ku gëzimi, tradita dhe ngjyrat e festës janë ndjerë në çdo cep të qytetit. Qindra qytetarë, familje dhe vizitorë kanë shëtitur përgjatë stendave të panairit, duke shijuar nga afër punimet artizanale dhe shijen e traditës që sjell kjo festë.

Në disa pika të qytetit, maskotat e Teatrit të Ftohtë kanë argëtuar fëmijët dhe kalimtarët, duke krijuar momente plot buzëqeshje dhe një atmosferë festive që i ka dhënë qytetit energji të veçantë në këtë ditë të bukur pranvere.

Një nga ndalesat më të vizituara ka qenë Panairi i Zejeve, ku artizanët kanë ekspozuar punimet e tyre tradicionale, duke ruajtur dhe gjallëruar mjeshtërinë e trashëguar ndër breza. Ndërsa Panairi i Ballokumeve ka sjellë aromën dhe shijen karakteristike të kësaj ëmbëlsire simbol të qytetit, të përgatitur me përkushtim nga amvisa dhe artizanë që e mbajnë gjallë këtë traditë të veçantë të Elbasanit.

Atmosfera festive është vizituar edhe nga kryetari i Bashkisë së Elbasan, Gledian Llatja, i cili ka vizituar stendat e panairit dhe është takuar me artizanët dhe qytetarët, i shoqëruar nga nënkryetarja e bashkisë Klaudja Krasnika.

Kjo ditë e mbushur me ngjyra, shije dhe aktivitete festive e ka kthyer qytetin në një qendër gëzimi për të gjithë, ku tradita dhe komuniteti bashkohen për të festuar ardhjen e pranverës. Festa vazhdon gjatë gjithë ditës me plot surpriza dhe aktivitete për qytetarët dhe vizitorët.