Fëmijët çelin festimet e Ditës së Verës në Elbasan

Fëmijët e klasave përgatitore të shkollave “Ali Agjah”, “Bardhyl Popa”, “Naim Frashëri”, “Jorgji Dilo” dhe “Fadil Gurmani” çelën festimet e Ditës së Verës përmes aktivitetit “Art & Zeje”, një moment simbolik kushtuar pranverës dhe traditave të qytetit.
Të vendosur në tavolina të vogla të improvizuara në ambientin e jashtëm, fëmijët realizuan vizatime me motive pranverore, ndërsa u njohën edhe me elementë të artizanatit dhe lojërave tradicionale, duke sjellë përmes ngjyrave dhe krijimtarisë simbolikën e stinës që po afron.
Të rrethuar nga prindër dhe qytetarë që ndoqën aktivitetin, fëmijët, nën kujdesin e edukatoreve të tyre, interpretuan gjithashtu këngë dhe recitime kushtuar ardhjes së pranverës, duke përcjellë mesazhe gëzimi, paqeje dhe harmonie.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe uroi të gjithë qytetarët për festën e Ditës së Verës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe përcjelljes së tyre tek brezat më të rinj.
Atmosfera e Ditës së Verës është ndjerë më herët në qytetin e Elbasanit, ku kjo festë me prejardhje të lashtë është kremtuar prej shekujsh dhe përfaqëson një nga traditat më të rëndësishme të qytetit. Në mënyrë simbolike, janë pikërisht fëmijët ata që çelin festimet, duke i dhënë kësaj feste gjallërinë dhe kuptimin që ajo përcillet ndër breza.