Gledian Llatja: Shpati, zonë me tradita të forta në arsim, po rikonstruktojmë shkollën e Shushicës me standarde europiane

Në kuadër të festës së 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi dhe drejtoreshen e ZVA Vesa Llanaj Liço, zhvilluan një takim me mësues në pension nga zona e Shpatit, për t’i falënderuar për kontributin e tyre ndër vite në arsim.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, vlerësoi traditën e fortë arsimore të kësaj zone dhe rolin e mësuesve në formimin e brezave.
“Zona e Shpatit është një zonë me tradita në arsim dhe kulturë, dhe kjo është meritë e juaja. Ju keni rritur një brez shumë të mirëarsimuar dhe keni ndërtuar familje me vlera në këtë zonë. Sakrifica dhe përkushtimi juaj vlerësohen nga të gjithë sot”, u shpreh Llatja.
Ai përmendi gjithashtu investimet që po bëhen në infrastrukturën arsimore, duke theksuar rikonstruksionin e shkollës së Shushicës, në Shpatin e Poshtëm.
“Sot po rikonstruktohet shkolla e Shushicës, e cila do të jetë një shkollë me standarde europiane, njësoj si shumë shkolla të tjera që po ndërtojmë dhe rikonstruktojmë në qytet”, shtoi ai.
Nga ana e saj, Evis Kushi theksoi se takimi me mësuesit e kësaj zone është një moment i veçantë respekti për një brez që e ka konsideruar arsimin një mision.
“Të takojmë brezin tuaj, mësuesit e zonës së Shpatit, një nga zonat më arsimdashëse dhe me kontribut të madh në arsim, është një nder i veçantë. Për brezin tuaj arsimi nuk ishte thjesht një profesion, por një vizion dhe një mision”, u shpreh Kushi.
Ndërsa Vesa Llanaj Liço shprehu mirënjohje për përkushtimin e mësuesve që për vite me radhë kanë shërbyer në fshatra të largëta, shpesh në kushte të vështira.
“Ju jeni ata që keni punuar për vite me radhë me përkushtim, duke ecur të palodhur për të shërbyer në fshatra të largëta dhe për të mbajtur gjallë arsimin në çdo cep të kësaj zone”, tha ajo.
Takimi u zhvillua në një atmosferë mirënjohjeje dhe respekti, ku u vlerësua roli i jashtëzakonshëm që mësuesit e Shpatit kanë luajtur në edukimin dhe formimin e brezave, të cilët sot kontribuojnë me dinjitet në qytet dhe në të gjithë vendin.
Me këtë rast, të pranishmit uruan të gjithë mësuesit për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.