Investim i ri në Shelcan, përfundon rruga e Panxhit
Një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia Elbasan merr formë konkrete në lagjen Panxhi të fshatit Shelcan, ku është përfunduar shtrimi me asfalt i një segmenti rrugor me gjatësi rreth 430 metra lineare. Aksi i saporregulluar lidh lagjen me varrezat e fshatit dhe përshkon një zonë të banuar nga rreth 30 familje.
Ky investim është realizuar në përgjigje të një kërkese të hershme të komunitetit, e ngritur vazhdimisht në mbledhjet e buxhetimit me pjesëmarrje, duke reflektuar qasjen gjithëpërfshirëse të Bashkisë ndaj nevojave reale të qytetarëve.
Krahas asfaltimit, është ndërhyrë edhe në pastrimin e kanalit kullues, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet infrastrukturore në lagje, veçanërisht gjatë stinës së reshjeve. Rruga e re do t’u shërbejë banorëve për qarkullimin e përditshëm, për transportin më të lehtë të prodhimeve bujqësore, si edhe për akses më të mirë drejt varrezave të fshatit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ndoqi nga afër përfundimin e punimeve në terren dhe theksoi se ky investim ka një vlerë të veçantë për komunitetin lokal:
“Shelcani është një nga fshatrat me tradita dhe histori, ku gjendet edhe kisha e njohur e Shelcanit, ndaj këto investime janë mëse të merituara. Jemi të vendosur të vazhdojmë me investime të tjera edhe në këtë zonë, për ta kthyer fshatin në një hapësirë më funksionale dhe të denjë për banorët e tij,” u shpreh Llatja.
Nga ky projekt përfitojnë jo vetëm banorët e lagjes Panxhi, por edhe një pjesë tjetër e komunitetit të Shelcanit që përdor këtë segment. Rruga është përshëndetur me entuziazëm nga banorët, të cilët e kanë cilësuar si një investim me rëndësi të madhe për jetën e përditshme dhe zhvillimin e fshatit.