Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Katundi i Ri, drejt fundit investimi i 6 km kanalizime të ujrave të zeza                                             

Pjesa fundore në Katund të Ri, shumë pranë pritave lumore në Shkumbin, e urbanizuar pas viteve ’90, ka pasur problematikë mungesën e kanalizimeve të ujrave të zeza. Kjo edhe për shkak se duke qenë nën nivel, mblidhte të gjitha ujrat e metalurgjikut. Tashmë kanë nisur punimet për shtrimin e 6 km kanalizime të ujrave të zeza të cilat do të stabilizojnë të gjithë zonën.

 Gjatë inspektimit të punimeve kryetari i bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kap pohuar se janë 250 familje që përfitojnë drejtëpërdrejtë nga ky investim.

 Ai shtoi se ” Katundi i Ri konsiderohet si një nga zonat më afër Elbasanit shumë e lidhur me qytetin dhe tashë jemi gati të përfundimit të këtij investimi”.

  Nga shtrimi nëntokësor i kanalizimeve të ujrave të zeza kanë përfituar edhe familjet të cilat kanë marrë edhe puseta në mënyrë individuale që të kenë pavarësi. Sipas z. Llatja “problem ka pasur sa i përket kuotave për shkak se zona është nën nivel, ndaj na u desh të bënim një projekt specifik të kësaj ndërhyrje në Katundin e Ri”.

Ky është një projekt në kuadër të projektit të madh që  bashkia ka nisur me Agjensinë Kombëtare të Kanalizimeve për të gjithë sistemimin e kanalizimeve të ujrave të zeza jo vetëm në Elbasan dhe në zonat periferike, por edhe në fshatrat ngjitur me qytetin aty ku urbanizimi është më i dendur.

 Kryebashkiaku Llatja shton se ” kanalizimi i ujrave të zeza ka qenë një prioritet i joni jo vetëm për të përmirësuar cilësinë e jetesës së banorëve, por edhe për t’i urbanizuar të gjitha këto zona”.

 Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri e cilësoi shumë të nevojshëm këtë investim që po kryen ujësjellës kanalizimet bashkë me qeverinë shqiptare dhe bashkinë Elbasan.

 ” Janë gati 20 milion euro investime në kanalizime dhe në ujësjellës, dhe kjo është një pjesë e projektit që ka të bëjë me ujrat e zeza  aq më tepër për këto zona që janë zgjeruar pas viteve ’90, dhe që nuk kanë pasur asnjë infrastrukturë bazë sipas parametrave që kërkon koha”.

 Duke e cilësuar Katundin e Ri si një zonë strategjike për Elbasanin, Gjiknuri shtoi se ” në të ardhmen kjo zonë do të jetë pjesë ku do të kalojë by -passi i Elbasanit,  kjo zonë do të jetë një nyje e rëndësishme transporti që do t’i japë një zhvillim zonës, ndaj edhe urbanizimi është shumë i rëndësishëm.

  Eshtë një premtim i mbajtur i bashkisë, pasi kjo ka qenë edhe moto e fushatës, që ta bëjmë Elbasanin dhe rrethinat e tij një zonë qytetare të urbanizuar, dhe kam besimin se këtë mandat kjo do të mbarojë plotësisht”.

   Përfituesit kryesor të këtij investimi janë vetë banorët të cilët kanë falenderuar bashkinë Elbasan për premtimin e mbajtur.