Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja prezanton një super lajm për banorët e lagjes “Vullnetari”
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, ka prezantuar një super lajm për banorët e lagjes “Vullnetari”, të Njësisë nr 4. Elbasani do të bëhet qyteti i parë në Shqipëri që do të zbatojë eficiencën e energjisë në të gjitha godinat e kësaj lagjeje. Ky projekt është pjesë e iniciativës së 100 qyteteve që Bashkia Elbasan ka me BE-në, ku lagjja do të shërbejë si model për eficiencën energjetike në banesa. Lagjja përfshin pallate të vjetra parafabrikat, ndërtimet para dhe pas viteve ’90, si dhe shtëpi të vogla.
“Tani do të fillojmë një projekt për të parë sa është eficienca e energjisë në këto pallate dhe çfarë duhet të bëjmë që t’i rregullojmë dhe ta bëjmë lagjen model,” tha z. Llatja. Ai shtoi se fillimisht po vazhdojmë me pjesën e infrastrukturës, duke mbyllur disa problematika në të gjithë lagjen “Vullnetari”, dhe po përgatitemi për investime në zonën e “Haxhias” me riasfaltimet. Në këtë zonë është ndërtuar edhe qendra shëndetësore gjatë pandemisë, ndërsa tani do të fillojmë me investimet e tjera.
“Elbasani është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Punimet po vazhdojnë në lagjen ‘Haxhias’ për të vijuar në lagjen ‘Vullnetari’, ku punimet pritet të përfundojnë në qershor. Kemi trashëguar një infrastrukturë problematike për këmbësorët në lagjet tona të brendshme. Kemi bërë shumë ndërhyrje në sheshet e pallateve, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në trotuare. Kemi ecur me asfaltimet e rrugëve dhe po ecim paralelisht edhe me sistemimin e trotuareve,” tha z. Llatja.
Shumë rrugë të brendshme të lagjeve kanë qenë me trotuare të pashtruara.
Kryetari bëri të ditur se ka nisur një projekt për të vazhduar dhe lidhur trotuaret me zonat informale, si dhe zonat e vjetra periferike të Elbasanit për t’i sistemuar të gjitha. E gjithë puna po bëhet me ndërmarrjen e shërbimeve publike, që nga ndarja e fshatit me qytetin, duke filluar me një ritëm të ri të punëve publike.
Prioriteti janë trotuaret në qytet, duke bërë shumë investime për të mbyllur zonat problematike që kanë qenë pa trotuare që para viteve ’90. Qëllimi është të përmirësohet cilësia e jetesës së banorëve.
Banorët falënderuan kryetarin për investimet dhe angazhimin e treguar.