Llatja: Drejt urbanizimit total zona e “NSHU” në Elbasan
Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, ka inspektuar punimet që janë drejt përfundimit në lagjen ” Dyli Haxhire”, një zonë në lagjen NSHU, në rrugën “Tasim Luniku” duke shprehur kënaqësinë për transformimin e ndjeshëm të kësaj zone.
“Kemi nisur me kanalizimet, me ujin e pijshëm, dhe tashmë po sistemohet komplet rruga duke zgjidhur të gjitha problematikat. “Nga një zonë totalisht informale, lagja NSHU po i kthehet urbanizimit”, tha Llatja.
Një ndër aspektet më të rëndësishme të projektit ka qenë përmirësimi i infrastrukturës së kanaleve të ujërave të shiut, veçanërisht në pjesën malore të lagjes, që ka paraqitur sfida të veçanta.
“Pavarësisht temperaturave të larta, puna vazhdon pandërprerë në këtë lagje,” shtoi kryetari i bashkisë. “Kur erdhëm para tre vjetësh dhe thamë se do të investonim në ujin e pijshëm, dukej si një mision i pamundur. Por, pas kanalizimeve të ujërave të zeza, tashmë jemi duke shtruar rrugën.”
Llatja theksoi se që në fillim ka besuar se gjërat do të rregulloheshin gradualisht, edhe pse zona është fundore dhe shumë pranë ullishtave ku sistemimi ka qenë i pamundur nga banorët. “Jam i bindur se ne ia dolëm,” tha ai.
Pas përfundimit të punimeve në këtë pjesë malore, do të vijojë sistemimi i rrugicave të tjera në zonën e NSHU. “Pjesa malore ka qenë problematike për qarkullimin e mjeteve, por tashmë kjo çështje është zgjidhur dhe do të vazhdojmë me urbanizimin,” tha Llatja.
Banorët janë shprehur të kënaqur me mbështetjen e dhënë nga bashkia, duke theksuar se problemet e tyre ishin të shumta. “Fundjava do të na gjejë me të gjithë segmentin e rrugës të sistemuar,” përfundoi kryetari i bashkisë.