Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Me sukses projekti i instalimit të paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike në 7 shkolla të qytetit

Në shkollën “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan është zbatuar projekti i përbashkët midis fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe Bashkisë së Elbasanit, i njohur si “Sunny Schools”. Ky projekt përfshin instalimin e paneleve diellore për të prodhuar energji elektrike në shtatë shkolla të qytetit, duke kursyer 15 mijë euro.

Kreu i Bashkisë, z. Gledian Llatja, dhe drejtori i fondacionit “Shoqëria e Hapur”, z. Andi Dobrushi, kanë inspektuar nga afër këto investime në shkollën “Ptoleme Xhuvani”.

 Z. Llatja theksoi rëndësinë e këtij projekti duke deklaruar, “me një investim që kemi bërë me fondacionin ‘Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’, do të shohim sa kemi prodhuar energji elektrike në shkollën ‘Ptoleme Xhuvani’.

 Projekti ‘Sunnny Schools’ përfshin instalimin e paneleve diellore për të prodhuar energji elektrike në 7 shkolla që kanë përfituar nga ky projekt. Shpresojmë që në bashkëpunim me fondacionin, ta zgjerojmë këtë projekt edhe në shkolla të tjera.”

Ky projekt synon të ulë ndotjen e emetimeve të karbonit dhe të krijojë një mjedis të pastër dhe të gjelbër për qytetin. Gjithashtu, kursimet nga prodhimi i energjisë do të riinvestohen në infrastrukturat shkollore dhe laboratorët.

“Qëllimi ynë kryesor ashtu sic kemi punuar prej disa vitesh në bashkëpunim me të rinjtë në shkolla është për të futur modelet e mira të uljes së ndotjes të emetimeve të karbonit në natyrë në kuadër edhe të projekteve të përbashkëta që po bëjmë për të mbajtur pastër ambjentet tona, për të pasur një qytet të pastër, të gjelbëruar dhe miqësor me mjedisin”, ahtoi Llatja.

Z. Andi Dobrushi drejtor i fondacionit pohoi se “janë rreth 4000 euro që janë përfituar vetëm nga prodhimi i energjisë së pastër në kete shkollë. Ky projekt jo vetëm që mbështet edukimin e nxënësve, por gjithashtu krijon një energji sociale dhe komunitare që mund të shërbejë si model për Shqipërinë dhe rajonin.”

Ky investim inovator premton të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për fëmijët dhe komunitetin e Elbasanit, duke kontribuar në një mjedis të qëndrueshëm dhe të pastër.

Ky projekt promovon energjinë e gjelbër në shkollat e Ballkanit Perëndimor duke instaluar panele fotovoltaike, dhe është një hap i madh drejt një ekonomie të gjelbër dhe një mjedisi më të pastër për komunitetin.