Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Piktori Sadik Kasa shpallet “Qytetar Nderi” i Elbasanit në ekspozitën “Stinët”

Në hollin e Teatrit “Skampa” u hap për publikun elbasanas ekspozita “Stinët” e piktorit elbasanas Sadik Kasa, një takim i veçantë me veprat e një prej figurave më të spikatura të artit pamor në qytetin tonë.

Ekspozita solli një përmbledhje veprash që pasqyrojnë ndjeshmërinë artistike dhe përvojën e gjatë krijuese të autorit, duke ofruar një reflektim artistik mbi stinët e jetës përmes ngjyrave dhe peizazheve të piktorit.

Sadik Kasa është një nga emrat e njohur të artit pamor në Elbasan dhe më gjerë, me një krijimtari të gjatë dhe një kontribut të rëndësishëm në jetën artistike dhe kulturore të qytetit.

Një moment i veçantë i kësaj dite ishte akordimi i titullit “Qytetar Nderi” për piktorin Sadik Kasa, me motivacionin “Për kontributin e vyer në jetën artistike dhe kulturore, si një ndër artistët e rëndësishëm të qytetit, me një krijimtari të gjatë të një niveli të lartë profesional.”

Në ceremoninë e dhënies së titullit ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vlerësoi punën dhe përkushtimin e piktorit Sadik Kasa ndër vite, në pasurimin e artit pamor dhe në zhvillimin e jetës kulturore të qytetit të Elbasanit.