Plani për Barazinë Gjinore 2025–2030, drejt finalizimit: Bashkia Elbasan mbyll konsultimet publike
Në vijim të angazhimit të vazhdueshëm për ndërtimin e një bashkie gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, Bashkia Elbasan zhvilloi sot takimin përmbyllës për finalizimin e Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore (PVVBGJ) 2025–2030.
Takimi u mbajt në sallën multifunksionale të bashkisë dhe mblodhi rreth tryezës grupin e punës ndërinstitucional, përfaqësues të UN Women Shqipëri, anëtarët e Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP), Agjencisë Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë (AKPA), Zyrës Vendore Arsimore (ZVA), Shërbimit Social Shtetëror (ShSSH) dhe aktorë të tjerë lokalë, si pjesë e procesit të konsultimit publik për dokumentin strategjik.
Ky plan është hartuar në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030, si dhe në përputhje meKartën Evropiane për Barazinë e Grave dhe Burrave në Jetën Vendore.
Bashkia Elbasan vlerësohet si një ndër bashkitë model në Shqipëri për përfshirjen aktive dhe të strukturuar të parimeve të barazisë gjinore në politikat dhe buxhetimin vendor, një angazhim që lidhet ngushtësisht me standardet e integrimit evropian.
“Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore dhe një standard demokratik, por edhe një parakusht për zhvillim të qëndrueshëm. Ky plan është një reflektim i qartë i përkushtimit tonë për t’i kthyer këto parime në politika konkrete që përmirësojnë jetën e çdo qytetari dhe qytetareje,” theksoi Asim Sula, Nënkryetar i Bashkisë Elbasan dhe kryetar i grupit të punës.
Plani përfaqëson një dokument të rëndësishëm programor, i treti në radhë i hartuar nga Bashkia Elbasan, dhe synon të avancojë më tej, fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje, parandalimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe integrimin gjinor në çdo politikë dhe buxhet vendor.
Dokumenti është hartuar me mbështetjen teknike të UN Women Shqipëri, në kuadër të projektit“Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore II”,i financuar ngaBashkimi Evropian.
Ky dokument strategjik është më shumë se një plan veprimi, ai është një angazhim konkret institucional, që shpreh vullnetin politik dhe administrativ të Bashkisë Elbasan për të garantuar barazi reale mes grave dhe burrave, jo vetëm në ligj, por edhe në praktikë.
Bashkia Elbasan ka dëshmuar ndër vite se barazia gjinore nuk trajtohet si një çështje dytësore, por si pjesë thelbësore e qeverisjes së mirë, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin lokal dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.
Përmes këtij plani, Bashkia synon të thellojë përfshirjen gjinore në të gjitha politikat publike, duke promovuar një mjedis gjithëpërfshirës dhe të sigurt për gratë, vajzat, djemtë dhe burrat, si aktorë të barabartë në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të qëndrueshme për komunitetin.