Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Rregullorja e Strukturave Komunitare

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Kjo rregullore ka për objekt krijimin e një kuadri rregullator për organizimin dhe funksionimin e strukturave komunitare në Bashkinë Elbasan.

Neni 2

Baza ligjore

Kjo rregullore mbështetet në Nenet 68 dhe 69 të Ligjit Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”

Neni 3

Qëllimi

Qëllimi i rregullores është përcaktimi i rregullave mbi të cilat do të organizohen dhe do të funksionojnë strukturat komunitare, kompetencat dhe funksionet e tyre si dhe marrëdhëniet e tyre me Bashkinë dhe me strukturat e saj.

Neni 4

Parimet

Vetëqeverisja komunitare i referohet aftësisë së individëve, familjeve, organizatave dhe komunitetit për t’u organizuar vullnetarisht, marrë përgjegjësi dhe për të vepruar në interes dhe dobi të tyre e të komunitetit. Në themel të organizimit dhe funksionimit të strukturave komunitare qëndron parimi i vullnetarizmit, qytetarisë aktive, filantropisë dhe humanizmit qytetar.

Neni 5

Misioni

Strukturat komunitare kanë si mision rritjen e ndjenjës së përkatësisë komunitare, vullnetarizmit, angazhimit dhe të kontributeve qytetare për të përmirësuar cilësinë e jetës në komunitet nëpërmjet:

  1. Organizimit të komunitetit për të shprehur opinionet, nevojat dhe preferencat e tij si dhe nëpërmjet adresimit të tyre në mënyrë të organizuar tek bashkia dhe institucionet e tjera.
  2. Ndërmjetësimit dhe advokimit për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave të komunitetit pranë autoriteteve vendore dhe institucioneve të tjera.
  3. Informimit të qytetarëve dhe organizimit të konsultimeve gjithëpërfshirëse për nismat dhe politikat bashkiake e të institucioneve të tjera publike.
  4. Mobilizimit të komunitetit për të lehtësuar dhe mbështetur zbatimin e nismave të ndryshme.
  5. Organizimit të komunitetit për të marrë pjesë në planifikimin dhe monitorimin e nismave dhe politikave të ndryshme zhvillimore.
  6. Organizimit dhe kryerjes së disa shërbimeve komunitare.
  7. Bashkëpunimit me institucionet e tjera për të lehtësuar zbatimin e ligjit.
  8. Ndërveprimit social për sigurimin e harmonisë dhe kohezionit social.

KREU II

 NGRITJA, NUMRI DHE SHTRIRJA TERRITORIALE

Neni 6

Në bazë të iniciativës qytetare, në qytetin e Elbasanit ngrihen dhe funksionojnë strukturat komunitare si njësi të vetëqeverisjes komunitare. Në një lagje mund të ngrihen një ose disa struktura komunitare. Si rregull, ngrihet dhe funksionon një strukturë në një territor me 3000-4000 banorë. Numri, emërtimi dhe shtrirja territoriale e çdo strukture komunitare është sipas listës nr. 1 që është pjesë përbërëse e kësaj rregullore.

Neni 7

Regjistrimi i strukturave komunitare

Bashkia krijon dhe administron regjistrin e strukturave komunitare. Elemente që duhet të përmbajë regjistri janë: Emri i strukturës komunitare, emridhe adresa e ndërlidhësit dhe e anëtarëve të këshillit komunitar, përshkrimi i shtrirjes territoriale dhe harta përkatëse. Një kopje e statutit të strukturave komunitare, një kopje e vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit komunitar dhe të ndërlidhësit depozitohet në bashki për regjistrim në regjistrin e strukturave komunitare.

Neni 8

Organet e strukturave komunitare

Struktura komunitare drejtohet nga këshilli dhe ndërlidhësi komunitar. Këshilli komunitar mund të përbëhet nga 7-11 anëtarë. Numri i saktë i anëtarëve për çdo strukturë komunitare përcaktohet nga banorët në kuvendin qytetar. Përbërja e këshillit komunitar duhet të përfaqësojë shtrirjen përkatëse territoriale, ku grupet e ndryshme komunitare gjenden të mirëpërfaqësuar.

Anëtarët e këshillit komunitar zgjidhen nga qytetarët me pëlqimin e shumicës së njerëzve ose sipas procedurave të vendosura dhe dakortësuara nga vetë ata.  

Ndërlidhësi zgjidhet nga radhët e anëtarëve të këshillit. Ndërlidhësi dhe këshilli komunitar zgjidhen pwr njw periudhw katër vjeçar.

Në çdo lagje krijohet bordi komunitar dhe në bashkinë e Elbasanit krijohet asambleja komunitare. Bordi dhe asambleja përbëhen nga ndërlidhësat komunitar.

Neni 9

Periudha zgjedhore

Zgjedhja e strukturës komunitare bëhet një herë në katër vjet, zgjedhjet fillojnë pesë muaj pas konstituimit të këshillit të bashkisë dhe përfundojnë brenda dy muajve. Data e zgjedhjeve për këshillin komunitar caktohet me vendim të këshillit të bashkisë 30 ditë para datës së mbajtjes së tyre.

Neni 10

Komisioni për strukturat komunitare

Për lehtësimin dhe monitorimin e procesit parazgjedhor dhe atë zgjedhor me vendim të këshillit të bashkisë krijohet komisioni për strukturat komunitare. Komisioni për strukturat komunitare përbëhet nga përfaqësues të këshillit të bashkisë, të administratës bashkiake, të njësisë administrative dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Komisioni për strukturat komunitare aprovon statutin e strukturave komunitare.

Neni 11

Informimi i publikut

Komisioni për strukturat komunitare dy javë (14 ditë) para datës së mbajtjes së kuvendit qytetar për zgjedhjen e këshillit informon qytetarët, organizatat dhe rrjetet e shoqërisë civile, grupet e interesit, forumet intelektuale, rinore e qytetare etj., për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së kuvendit qytetar.

Informimi i qytetarëve bëhet përmes (i) medias së shkruar dhe vizive (ii) shpalljeve publike të vendosura në objekte publike dhe vendet më të frekuentuara brenda territorit të strukturës komunitare (iii) web – faqes zyrtare të bashkisë (iv) njoftimeve në rrjetet sociale (v) takimeve informuese me qytetarët etj. 

Neni 12

Kandidatët për anëtar të këshillit komunitar

Kandidatët për anëtar të këshillit komunitar duhet të jenë qytetarët me vendbanim në territorin e strukturës komunitare, të cilët duhet të kandidojnë si qytetarë e jo në emër të ndonjë partie politike.

Kandidati duhet të plotësoj kushtet si më poshtë:

  1. Të jenë me vendbanim në territorin e strukturës komunitare;
  2. Të kenë mbushur moshën 18 vjeç;
  3. Të mos jetë anëtar në këshillin bashkiak, administrator i njësisë administrative dhe në funksione drejtuese në administratën e bashkisë;
  4. Të demostrojë gadishmëri dhe angazhim për të njohur, ndjekur dhe për të zgjidhur problemet e komunitetit;
  5. Të ketë aftësi drejtuese dhe përvojë në organizimet komunitare;
  6. Të gëzojë reputacion të mirë në mesin e anëtarëve të komunitetit.

Neni 13

Letra e angazhimit civil

Çdo kandidat i vetëpropozuar apo i mbështetur nga grupe qytetare i paraqet kuvendit qytetar letrën e angazhimit civil. Letra e angazhimit duhet të përmbajë informacion rreth kandidatit për anëtar të këshillit komunitar si: emër dhe mbiemër, datën e lindjes, profesionin, numrin e letërnjoftimit dhe vendbanimin; motivet e kandidimit dhe angazhimit si dhe idetë për organizimin komunitar.

Neni 14

Kuvendi qytetar

Në datën, orën dhe vendin e caktuar mblidhet kuvendi qytetar për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit komunitar.

Të drejtën për të marrë pjesë me të drejtë vote e zgjedhje në kuvendin qytetar e ka çdo banor me vendbanim në territorin e strukturës komunitare dhe që ka mbushur moshën 18 vjeç.

Mbledhjen e drejton përfaqësuesi i shoqërisë civile në komisionin zgjedhor dhe ndihmohet nga dy më të moshuarit e të dy gjinive pjesëmarrës në kuvendin qytetar.

Kuvendi qytetar

  1. Zgjedh sekretarin për mbajtjen e procesverbalit të kuvendit
  2. Vendos për numrin e anëtarëve të këshillit
  3. Miraton ndryshimet në statutin e strukturave komunitare
  4. Dëgjon kandidatët për anëtar këshilli
  5. Zgjedh anëtarët e këshillit komunitar

Neni 15

Zgjedhja e ndërlidhësit komunitar

Komisioni për strukturat komunitare brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e përfundimit të kuvendit qytetar organizon mbledhjen e parë të këshillit komunitar. Mbledhja e parë deri në zgjedhjen e ndërlidhësit komunitar drejtohet nga përfaqësuesi i shoqërisë civile në Komisionin për strukturat komunitare dhe në mungesë të tij nga këshilltari më i vjetër. Mbledhja e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të tij.

Çdo anëtar këshilli, vetë apo nëpërmjet një grupi këshilltarësh, ka të drejtë të propozohet për ndërlidhës komunitar. Jo më pak se dy kandidatë duhet të propozohen për ndërlidhës.

Çdo kandidat për Ndërlidhës Komunitar duhet t’i paraqesë këshillit komunitar letrën e angazhimit dhe platformën e tij për organizimin komunitar. Letra e angazhimit duhet të përmbajë elementët e përcaktuar në Nenin 13 të kësaj rregulloreje.

Për realizimin e procesit zgjedhor, këshilli ngre komisionin e votimit me tre anëtarë. Votimi për ndërlidhësit komunitar bëhet kurdoherë i fshehtë.

Fitues shpallet kandidati që ka fituar shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këshillit. Kur nuk sigurohet shumica e kërkuar, votimi ribëhet midis dy kandidatëve që në raundin e parë kanë fituar numrin më të madh të votave. Në këtë rast, fitues shpallet kandidati që ka numrin më madh të votave dhe, nëse votat janë të barabarta, fituesi caktohet me short.

Mbledhjet e këshillit pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjes.

Neni 16

Shkarkimi i ndërlidhësit komunitar

Propozimi për shkarkimin e ndërlidhësit bëhet me shkrim nga të paktën një e treta e anëtarëve të këshillit. Ndërlidhësi shkarkohet kur me votim të fshehtë votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit. Brenda 10 ditëve nga dita e shkarkimit të ndërlidhësit komunitar, organizohen zgjedhjet e ndërlidhësit të ri sipas procedurave të Nenit 15.

Neni 17

Administrimi i dokumentacionit

Me përfundimin e kuvendit qytetar dhe të procedurave zgjedhore, komisioni për strukturat komunitare grumbullon dhe administron:

  1. Procesverbalin e mbajtur nga sekretaria
  2. Vendimin e kuvendit për formën, rregullat dhe procedurat e votimit
  3. Procesverbalin e rezultateve të votimit
  4. Çdo ankesë që mund të kenë për procesin.

Komisioni për strukturat komunitare brenda dy ditëve dorëzon në arkivin e bashkisë dokumentacionin e sipërcituar.

Neni 18

Ankesa

Brenda tre ditëve nga dita e zhvillimit të kuvendit, çdo qytetar dhe kandidat për anëtar këshilli ka të drejtë të ankohet në bashki për shkeljen e të drejtave të tij gjatë procesit të zgjedhjeve të strukturave komunitare. Ankesa depozitohet në zyrën e sekretari-protokollit të bashkisë dhe i drejtohet komisionit për strukturat komunitare

Komisioni për strukturat komunitare brenda 7 ditëve duhet të shqyrtoj dhe të marrë vendim për ankesën. Vendimi i komisionit është përfundimtar.

KREU III

KOMPETENCAT DHE FUNKSIONET

Neni 19

Kuvendi i qytetarëve

Kuvendi i qytetarëve është një nga format e realizimit të demokracisë së drejtpërdrejtë. Qytetarët mblidhen në kuvende qytetare dhe ushtrojnë të drejtën për:

  1. Të miratuar statutin e strukturave komunitare
  2. Të zgjedhur apo dhënë pëlqimin për këshillin komunitar;
  3. Të vendosur për ngritjen, themelimin, bashkimin apo ndarjen e strukturave komunitare;
  4. Të vendosur masën, nivelin dhe qëllimin e vetëkontributit qytetar;
  5. Të vendosur rregulla dhe norma në përputhje me ligjin dhe aktet e bashkisë për ruajtjen dhe përdorimin e resurseve të përbashkëta, për harmoninë sociale, lehtësimin dhe mbështetjen e zbatimit të ligjit, standardet minimale të shërbimeve komunitare si dhe për transparencën në komunitet.

Neni 20

Këshilli komunitar

Këshilli Komunitar mblidhet periodikisht sipas pwrcaktimeve qw bwnw vatw ai. Mbledhja e këshillit thirret nga Ndërlidhësi Komunitar ose 1/3 e anëtarëve të këshillit. Mbledhja e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të tij. Statuti i strukturave komunitare rregullon fushën e veprimtarisë, mënyrën e organizimit e të funksionimit si dhe të vendimmarrjes së ndërlidhësit e të këshillit komunitar. Në mënyrë të përgjithshme këshilli komunitar ndihmon dhe mbështet ndërlidhësin komunitar për:

  1. Organizimin e komunitetit për të shprehur opinionet, nevojat dhe preferencat e tij dhe përcjelljen e tyre tek vendimarrësi;
  2. Informimin e qytetarëve për nismat dhe politikat bashkiake e të institucioneve të tjera publike, si dhe të mobilizimit të komunitetit për të lehtësuar zbatimin e tyre;
  3. Evidentimin dhe parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në asete dhe në burime publike;
  4. Planifikimin, ndërtimin dhe zbatimin e nismave dhe politikave zhvillimore të udhëhequra nga komuniteti;
  5. Organizimin dhe kryerjen e disa shërbimeve komunitare;
  6. Bashkëpunimin me institucionet e tjera për të lehtësuar zbatimin e ligjit;
  7. Sigurimin e harmonisë sociale;
  8. Kryen çdo detyrë apo kompetencë tjetër të caktuar nga kuvendi qytetar;
  9. Kryen çdo detyrë apo kompetencë tjetër të deleguar nga kryetari apo këshilli i bashkisë

Neni 21

Ndërlidhësi komunitar

Ndërlidhësi komunitar përfaqëson komunitetin dhe ka kompetencë të:

  1. Thërras mbledhjen e kuvendit qytetar dhe këshillit komunitar;
  2. Drejtoj mbledhjet e kuvendit qytetar dhe këshillit komunitar;
  3. Nënshkruaj aktet e kuvendit qytetar dhe këshillit komunitar;
  4. Përfaqëson strukturat komunitare në institucionet publike;
  5. Kryen çdo detyrë tjetër të përcaktuar nga kuvendi qytetar, këshilli komunitar, këshilli dhe kryetari i bashkisë;
  6. Në mungesë të ndërlidhësit, detyrat e tij i kryen anëtari i këshillit i autorizuar prej tij.

Ndërlidhësi Komunitar mund të thirret në mbledhjet e këshillit bashkiak për të shprehur mendimin e tij për çështje që janë të lidhura me komunitetin sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e këshillit të bashkisë.

Ndërlidhësi Komunitar pajiset me vulë dhe ka autoritetin të lëshojë vërtetime për fakte e të dhëna për banorët me vendbanim në territorin e komunitetit të tij, për të cilat ai është në dijeni, sa herë që kjo kërkohet nga bashkia, nga vetë banorët ose nga çdo institucion tjetër, në përputhje me ligjin dhe aktet e miratuara nga bashkia.

Ndërlidhësi komunitar shpërblehet për punën që kryen në masën dhe sipas kritereve të përcaktuara nga këshilli bashkiak.

Neni 22

Burimet financiare

Në themel të organizimit komunitar qëndron parimi i vullnetarizmit për vetëorganizim e vetëkontribut si dhe filantropia dhe humanizmi qytetar. Strukturat komunitare me qëllim përmbushjen e misionit, kompetencave dhe detyrave të tyre mund të mobilizojnë fonde nga:

  1. vetëkontributet e qytetarëve;
  2. transfertat nga buxheti i bashkisë;
  3. financimet dhe donacionet prej personave fizik dhe juridik;
  4. grantet dhe financimet prej projekteve të huaja etj.

Këshilli i bashkisë miraton rregulloren për mobilizimin dhe përdorimin e burimeve financiare nga ana e strukturave komunitare.

KREU IV

 MARRËDHËNIET ME BASHKINË DHE STRUKTURAT E SAJ

Neni 23

Strukturat komunitare për çështjet dhe veprimtarinë e tyre komunitare gëzojnë autonominë dhe lirinë e duhur për të realizuar me sukses misionin dhe përgjegjësinë e tyre.

Marrëdhëniet dhe raportet me këshillin/kryetarin e bashkisë dhe institucionet e tjera janë marrëdhënie plotësuese, lehtësuese e mbështetëse për punën dhe veprimtarinë e bashkisë dhe institucioneve të tjera publike.

Këshilli dhe kryetari i bashkisë mund të delegoj kompetenca nga kompetencat e veta strukturave komunitare. Delegimi i kompetencave duhet të shoqërohet kurdoherë me rregulla, standarde dhe burime të mjaftueshme financiare.

Struktura komunitare gëzon të drejtën e bashkëpunimit dhe të drejtën krijimit të organizmave bashkëpunuese në interes dhe dobi të komunitetit me njësitë e tjera komunitare, me organizata dhe rrjete të shoqërisë civile, me grupet e interesit, me forumet intelektuale, rinore, qytetare etj.

KREU V

 DISPOZITA KALIMTARE