Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Rrëshkitje në rrugën e Tudanit, ndërhyrjet kryesore në verë

Bashkia Elbasan ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik në lidhje me rrugën e fshatit Tudan e cila ka pësuar rrëshkitje të konsiderushme të dherave.

Shirat që përfshinë të gjithë territorin në muajt Nëntor-Shkurt sollën problematika edhe në Bashkinë e Elbasanit.

Në fillim të muajit Janar Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Emergjencat Civile, pranë Bashkisë së Elbasanit u njoftuan për bllokimin e një prej rrugëve që lidh fshatin Tudan.

Prej asaj kohe nga ekipet tona është ndërhyrë disa herë për pastrimin, ndërkohë që situata është përsëritur vazhdimisht. (Fotot bashkëngjitur).

Agjencia e Shërbimeve Publike tentoi të mbajë rrugën të hapur derisa situata u kthye në rrezik edhe për punonjësit duke u detyruar të largojmë makineritë për shkak të rrëshkitjes së vazhdueshme.

Të ndodhur në të tilla kushte, Bashkia e Elbasanit me shkresën e datës 16.01.2026, prot/190 ka kërkuar një vlerësim të specializuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Ekspertët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar kryen veprimet e nevojshme në terren (fotot bashkëngjitur) dhe në përgjigjen e tyre nr. prot.130/7 dt. 13.03.2026 theksojnë se nevojitet një studim i thelluar gjeologo-inxhinierik për të vlerësuar terrenin.

Nga studimi paraprak ekspertët rekomandojnë se gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë plotësisht i tharë të punohet për stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë (detyrë e cila është kryer tashmë me vendosjen e tubave) dhe të bëhet pastrimi i rrugës shoqëruar me një mur mbrojtës në pjesën e sipërme (ndërhyrje e cila mund të bëhet vetëm në muajt e verës).

Bashkia Elbasan mirëkupton shqetësimin e banorëve të Tudanit për përdorimin e këtij aksi më të shkurtër për ta. Por nga ana tjetër sqaron se fshati Tudan nuk është i bllokuar dhe aksesohet nga dy segmente të tjerë.

Aksi që lidh fshatin Tudan me qendrën e Njësisë Administrative, pra me të gjitha shërbimet shëndetësore, komunale etj është plotësisht e aksesueshme.

Bashkia Elbasan kërkon mirëkuptimin e banorëve për përdorimin e rrugëve të tjera, derisa kushtet atmosferike të lejojnë ndërhyrjet në këtë aks.

Edhe në të tilla kushte vendimin përfundimtar për stabilizimin e plotë të rrugës, do ta japë studimi i thelluar gjeologo-inxhinierik.

Mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se siguria e përdoruesve të rrugës është e vetmja përparësi.