Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

  Shkolla e re në Tregan drejt përfundimit, Manastirliu dhe Llatja: Investim me standarde të larta për fëmijët dhe komunitetin

Punimet për ndërtimin e shkollës së re 9- të vjeçare “Jonuz Carçiu” në Tregan janë drejt përfundimit dhe pritet që në shtator ajo të hapë dyert për mbi 200 nxënës të zonës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, panë nga afër ecurinë e punimeve dhe ndanë mesazhet e tyre për këtë investim të rëndësishëm në infrastrukturën arsimore.

Kryebashkiaku Llatja shprehu një falenderim të madh, sepse sipas tij ” shkolla ‘Jonuz Carçiu’ në Tregan ishte një nga ato kërkesat tona dhe patjetër, pas një sërë investimesh të tjera që kemi pasur në Elbasan në infrastrukturën shkollore, shkolla tashmë është realitet dhe bëhet gati për në shtator të hapim dyert. Të gjithë nxënësit e njësisë administrative Tregan, por edhe një pjesë të njësisë administrative Gjergjan, Bujarasit dhe Kodra e Bujarasit, të cilët e përdorin këtë shkollë, do të kenë kushte shumë të mira. Në shtator vijnë edhe bankat e reja, e gjithë baza logjistike. Ne kemi punuar në vazhdimësi edhe me drejtorinë e shkollës me projekte, pasi presim edhe një laborator shumë të mirë të IT-së. Njerëzit këtu e kanë kërkuar shkollën, edhe nxënësit. Kemi 200 nxënës, kemi 15 fëmijë në kopsht. Është një strukturë e cila në fakt na ka shërbyer edhe për kopshtin e ri edhe për shkollën e re. I kemi bashkuar të dyja bashkë me ndarje të veçanta, ashtu siç kërkon edhe rregullorja e re. “

Ai theksoi se ky model i ri duhet të përhapet edhe në zona të tjera.  “Është një model i ri që ne duam të bëjmë për njësitë tona administrative, edhe për fëmijët tanë, por edhe për t’u kthyer në një qendër komunitare të mirëfilltë për zonën. Unë kam një falenderim edhe për tre projektet të cilat pritet të fillojnë këtë vit. Gjimnazi “Dhaskal Todri” është gjimnazi kryesor i Elbasanit dhe dua ‘’ju falenderoj shumë për të gjithë mbështetjen që na keni dhënë për rikonstruksionin e tij, i cili fillon shumë shpejt. Shkolla “Naim Frashëri” është shkolla qendrore e qytetit të Elbasanit,  është një shkollë e amortizuar që kërkonte ndërhyrje dhe po bëhet realitet.”

Llatja shtoi se investimet nuk janë përqendruar vetëm në qytet. “Ndërkohë, nuk kemi parë vetëm shkollat e qytetit, ashtu siç ka qenë edhe projekti dhe vizioni juaj si ministre që të shohim edhe njësitë administrative, dhe prandaj edhe miratimi juaj për shkollën e njësisë administrative Shushicë, e cila është njësia më e madhe administrative që ne kemi në Bashkinë e Elbasanit, tashmë bëhet realitet me rikonstruksionin e saj. Terrenet sportive i bëmë bashkarisht vitin që kaloi në shkollën e Shushicës dhe ishte një projekt shumë i mirë që e ka shfrytëzuar sot komuniteti, ashtu siç do të shfrytëzojë edhe palestrën e re këtu në ‘Jonuz Carçiu’ në Tregan.”

Nga ana e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se ” jam e kënaqur që shohim sesi investimet që ne kemi bërë vit pas viti tashmë janë duke u finalizuar dhe po hapim kantieret e reja në infrastrukturën arsimore në të gjithë vendin. Jam e kënaqur që këtu në Elbasan, në njësinë administrative Tregan, të kemi një shkollë të re e cila do të mirëpresë rreth 200 fëmijë, duke përfshirë këtu një kompleks arsimor pasi kemi edhe kopshtin për fëmijët dhe gjithashtu edhe shkollën me ambiente tërësisht të reja, sepse është një shkollë e cila është ndërtuar e re me standardet më të mira të shkollave.”

Ministrja theksoi rëndësinë e standardeve bashkëkohore, “gjithashtu është një shkollë e cila do të ketë jo vetëm klasat, laboratorët, por gjithashtu edhe palestrën dhe ambientet sportive dhe të gjithë oborrin e shkollës në funksion të programeve të cilat ne tashmë i kemi në shkollat tona, sikurse është edhe programi ‘Art e Zeje’, sikurse është edhe shkolla qendër komunitare.”

“Jam e kënaqur që ne për Elbasanin kemi investuar në vazhdimësi, ashtu sikurse edhe në të gjitha bashkitë në vendin tonë, pasi për ne investimi në infrastrukturën arsimore është thelbësor për cilësinë në arsim, për krijimin e kushteve edhe më të mira të punës për mësuesit tanë, e gjithashtu për të arritur ato standarde dhe edukim që ne duam. Në Bashkinë e Elbasanit ne vijojmë edhe me tre projekte të tjera të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me bashkinë. Janë tre shkolla të cilat do të kenë mundësi që të rehabilitohen me standardet më të mira, e gjithashtu për t’u shërbyer më shumë se 1.600 nxënësve të Bashkisë Elbasan, të cilët do të kenë kushte dhe standarde bashkëkohore falë këtyre investimeve që ne jemi duke bërë.” Në fund të fjalës së saj, Manastirliu u ndal te bashkëpunimi me mësuesit. “Ndaj unë besoj shumë që, falë bashkëpunimit, dua të falenderoj dhe të shpreh mirënjohjen edhe për durimin që keni treguar, stafit arsimor, drejtorisë së shkollës, mësuesve tanë, të gjithë stafit që vërtet, me shumë sakrifica e përkushtim, ka punuar vit pas viti edhe jo në kushte kaq të mira, por tashmë ndjehemi mirë që bashkë me kryetarin e bashkisë dhe me ekipin Ministrisë dhe të Bashkisë Elbasan kemi arritur që të sjellim një investim vërtet të domethënës për Treganin, një shkollë të re,  sikurse janë të gjitha shkollat e reja, një qendër, një pikë referimi për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.”