Stabilizim i situatës pas një jave luftë intensive me zjarrin: Ministrat Vengu dhe Hoxha në landfillin e Elbasanit
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilluan sot një inspektim në fushën e mbetjeve në Elbasan, pas një zjarri të rrezikshëm, që përfshiu zonën ditët e fundit, i nxitur nga temperaturat e larta të kësaj vere.
Në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, si dhe prefekti i Qarkut, Ilir Bejtja.
Gjatë inspektimit, ministri Vengu vlerësoi maksimalisht punën e palodhur të strukturave zjarrfikëse, emergjencave civile vendore, Forcave të Armatosura dhe të gjithë institucioneve të përfshira në menaxhimin e situatës. Ai theksoi se falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes së koordinuar u arrit të shmangej një katastrofë e madhe mjedisore dhe të mbrohej shëndeti i komunitetit.
Zjarri u shua falë angazhimit të mjeteve zjarrfikëse të ardhura nga Elbasani dhe bashkitë fqinje, si dhe përdorimit të teknologjisë, përfshirë një dron, që ndihmoi në monitorimin ajror dhe identifikimin e vatrave aktive.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se situata të tilla nxjerrin në pah domosdoshmërinë e modernizimit të plotë të sistemit të emergjencave civile në vend. Ai propozoi instalimin e kamerave termike për monitorim të vazhdueshëm në landfill-e dhe stacionimin e një mjeti zjarrfikës në gatishmëri të përhershme pranë tyre.
“Një zhvillim premtues në këtë drejtim është përfshirja e industrisë së mbrojtjes në prodhimin vendas të pajisjeve të emergjencave civile. Kompania shtetërore KAYO po punon për të prodhuar zjarrfikëse dhe pajisje të tjera, me objektivin për të përmbushur nevojat kombëtare dhe për të forcuar pavarësinë teknologjike të vendit”, deklaroi ministri Vengu.
Në përfundim të inspektimit, u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe investimeve në teknologji moderne për përballimin në kohë të emergjencave dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Për zjarrin në landfill është ngritur një grup pune, që përfshin edhe ekspertë të huaj, i cili do të realizojë një vlerësim të plotë të situatës dhe do të sugjerojë masat e mëtejshme për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.