“Startup Albania” prezanton në Elbasan Grant 2026, thirrje kombëtare me fokus në sektorin digjital dhe të gjelbër

Në ambientet e Bashkia Elbasan u zhvillua prezantimi i thirrjes Grant 2026 nga Startup Albania, një program kombëtar mbështetës financiar për startup-et dhe aktorët e inovacionit.
Aktiviteti u zhvillua në prani të maturantëve, studentëve dhe përfaqësuesve të biznesit lokal, si pjesë e një turi informues që po organizohet në disa qytete të vendit. Thirrja është e hapur për aplikantë nga i gjithë territori i Shqipërisë dhe synon të nxisë zhvillimin e ideve inovative, veçanërisht në sektorin digjital dhe atë të gjelbër, të cilët janë edhe fushat prioritare të Grant 2026.
Fondi i alokuar për këtë vit arrin në 300 milionë lekë, duke ofruar financim dhe mentorim profesional për të rinjtë që duan të kthejnë idetë e tyre në biznese të qëndrueshme.
I pranishëm në aktivitet, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se kjo është hera e dytë që ky bashkëpunim realizohet në Elbasan, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, me fokus mbështetjen e të rinjve.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar pesë të rinj nga Elbasani aplikuan dhe përfituan nga skema e granteve, duke hapur bizneset e tyre kryesisht në fushën e IT-së. Ai nënvizoi se qyteti ka potencial të lartë për zhvillim në këtë drejtim, duke përmendur edhe praninë e universitetit dhe fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, si dhe nismat e ndërmarra në shkollat e mesme përmes konkurseve të teknologjisë dhe shkencës.
“Ky grant është një mundësi reale për të përfituar financim për idetë tuaja dhe për t’i kthyer ato në biznese konkrete. Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Elbasanit po i mbështesin fort të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, u shpreh Llatja.
Në aktivitet mori pjesë edhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, i cili vlerësoi rolin e Elbasanit si një ndër bashkitë më aktive në mbështetjen e rinisë dhe inovacionit.
Ai theksoi se rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se skema funksionon dhe se brenda një viti janë krijuar biznese të reja nga përfituesit. Sipas tij, zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale kanë ulur ndjeshëm barrierat teknike për realizimin e ideve, duke krijuar më shumë hapësirë për kreativitet dhe vendosmëri.
“Jemi në një moment ku limitet nuk i vendos teknologjia, por i vendosin ëndrrat dhe vullneti juaj. Idetë që bëhen të suksesshme janë ato që janë të mira dhe kanë qëndrueshmëri në kohë”, u shpreh Mazniku.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjithashtu deputetët Evis Kushi, Sara Mila, Aulona Bylkbashi dhe Adi Qose.
Grant 2026 synon të forcojë ekosistemin e startup-eve në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht idetë inovative në sektorin digjital dhe të gjelbër, dhe duke krijuar mundësi konkrete për të rinjtë që duan të ndërtojnë bizneset e tyre në vend.
Së bashku, përmes inovacionit dhe mbështetjes së sipërmarrjes së re, ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme dhe konkurruese për Shqipërinë.