Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset
Në qytetin e Elbasanit po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë abuzive nga bizneset. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policia Bashkiake e Elbasanit po zhvillojnë aksionin, i cili ka për qëllim kthimin e trotuareve dhe lulishteve në përdorim të lirë për qytetarët, duke siguruar një ambient të rregullt dhe tërheqës, që të promovojë më mirë potencialin e Elbasanit.
Autoritetet kanë dërguar njoftime paraprake ndaj bizneseve për largimin vullnetar të strukturave që pengojnë kalimin, ndërsa për rastet pa përgjigje kanë nisur heqjet nga IKMT.
Në vijim, pritet të shtohen aksionet dhe kontrollet nga ana e institucioneve përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të ligjit në hapësirat publike, me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre afatgjatë.
Bashkia e Elbasanit thekson rëndësinë e mbrojtjes së hapësirave publike sidomos në sezonin veror, kur qyteti mirëpret një numër të konsiderueshëm turistësh dhe vizitorësh.