Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Vijon fushata e pyllëzimit në Bashkinë Elbasan, mbi 15 mijë fidanë deri në muajin mars

Bashkia Elbasan vijon fushatën e pyllëzimit me synimin që deri në muajin mars të mbillen mbi 15 mijë fidanë të rinj në të gjithë territorin e saj. Fokus i kësaj nisme janë zonat e dëmtuara nga zjarret dhe erozioni, por edhe institucionet arsimore, duke e parë ndërgjegjësimin mjedisor si një proces që nis që në bankat e shkollës.

Në kuadër të kësaj fushate, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e Zyrës Vendore të Arsimit Elbasan, Vesa Llana Lico, iu bashkuan nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kuqan” për mbjelljen e pemëve në ambientet e shkollës.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve është thelbësore për suksesin e nismave mjedisore.

 “Fëmijët dhe rinia janë mbështetja më e madhe për një mjedis më të gjelbër. Për këtë arsye, do të jemi të pranishëm në çdo shkollë të territorit të bashkisë me fushatën e pyllëzimit dhe pastrimit të mjedisit”, u shpreh ai.

Bashkia Elbasan synon që përmes këtyre aktiviteteve të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së mjedisit, por edhe në edukimin e brezit të ri me vlerat e kujdesit dhe përgjegjësisë ndaj natyrës.