Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

112 vjet Normale, histori krenarie për Elbasanin!

Gati 112 vjet më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte fituar Pavarësinë, në kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme në Elbasan, u çel shkolla e mesme kombëtare ‘Normale’, e para e këtij lloji në gjuhën shqipe që përgatiste mësues për edukimin e brezave të ardhshëm. Hapja e shkollës ‘Normale’ u vendos nga Kongresi i Elbasanit, i mbajtur në gusht të vitit 1909 dhe në 1 dhjetor të po atij viti ajo çeli dyert për mbi 100 nxënës nga gjithë trevat shqiptare. Pedagogët shqiptarë të angazhuar në këtë shkollë ditën të shfrytëzonin arritjet intelektuale të sferës së arsimit, pedagogjisë, psikologjisë dhe të shkencave të tjera të zbatuara. Përmendim këtu Luigj Gurakuqi, drejtorin e parë të Normales, emrin e të cilit mban sot pasardhësja e saj, (Shkolla e Mesme Pedagogjike në Elbasan), Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Dhmitër Paparisto, Hysen Blloshmi, etj. ‘Normalja’  pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Shtypi i kohës e cilësonte shkollë e lartë. Dhe në të vërtetë ‘Normalja’ mbetet institucioni i parë për shumë dekada që përgatiti mësues në mbarë hapësirën shqiptare, me ndikim të gjerë në shtresat e popullsisë. Shkolla ‘Normale’, e njohur si rrezatimi i dritës së diturisë shqiptare, nisi të funksionojë në ndërtesën e Servet Bej Zylfit, në Elbasan dhe që në hapat e para u dallua për misionin historik kombëtar dhe arsimor. Në datën 1 dhjetor të vitit 1909 në bankat e shkollës u ulën 111 nxënës dhe pas 2  muajsh ky numër arriti në 140 nxënës, 70 prej të cilëve ishin nga Kosova, dërguar nga Hasan Prishtina. Aty mësohej matematikë, numëratore, gjeometri, algjebër, trigonometri, astronomi, mekanikë, fizikë, kimi, histori natyrore, anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji, mineralogji, gjuhë shqipe, shkronjtore, sintaksë, literaturë, retorikë, poetikë, turqisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, etj. Viti i parë mësimor u mbyll me sukses në vitin 1910 dhe nxënësit iu nënshtruan një sërë provimesh si në gjuhën shqipe, turqisht, matematikë, fizikë e kimi.  Ndër nxënësit e parë të shkollës ishin Emin Matraxhiu, Abedin Çaushi etj. Fill pas përfundimit të vitit të parë, ‘Normalja’ u mbyll, si pasojë e agresionit të Shevqet Turgut Pashës. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë do ta rihapnin sërish këtë shkollë në shkurt të vitit 1912, në mjediset e shtëpisë së Qemal Karaosmanit. Shkolla kishte tre klasë dhe rreth 80 nxënës me një personel prej katër vetësh. Viti shkollor u mbyll aty nën drejtimin e drejtorit Aleksandër Xhuvani. Më pas shkolla u mbyll sërish për shkak të periudhës së luftës dhe u rihap në 22 nëntor të vitit 1918 Në përvjetorin e 30-të të Pavarësisë Kombëtare, në vitin 1942, ‘Normalja’ mori emrin ‘Luigj Gurakuqi’. Aktualisht ajo quhet shkolla e mesme Pedagogjike dhe ndodhet në të njëjtën godinë ku ‘Normalja’ u çel gati 112 vjet më parë. Dialekti i Elbasanit, flitet sot në shumë treva, pikërisht nga kjo shkollë. Tashmë data e krijimit të ‘Normales’ së parë të Elbasanit përkujtohet çdo vit, dhe ajo ndodhet në cdo cep të Elbasanit.