Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 25 Maj 2022

Llatja/ Programi Afatmesëm Buxhetor 2023- 2025, vizioni i së ardhmes 

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka vijuar turin e konsultimeve publike për Programin Afatmesëm Buxhetor 2023- 2025, me banorë të Njësive Bradashesh, Gracen, Paper, Funar. Kryetari i bashkise bëri një prezantim të tarifave vendore dhe bashkëbisedoi me përfaqësuesit e fshatrave të atyre zonave mbi ndërhyrjet në infrastrukturë e shërbime. Fokusi kryesor i këtij buxhetimi afatmesëm, sipas kryebashkiakut është rritja e cilësisë në shërbime për ujitjen e kullimin, sportin, kulturën, bujqësinë, etj.  

“ Na është bërë si traditë tashmë që të mblidhemi të gjithë në Njësitë Vendore, por do kemi edhe takime të tjera të këtij lloji edhe në fshatrat e largëta në zonën e Gracenit, Funarit dhe Paprit të cilat janë pak zona problematike. Pak kohë më parë kemi realizuar Buxhetimin me Pjesëmarrje, ndërsa sot fillojmë me buxhetin afatmesëm. Ne këtë buxhetim e kemi me traditë në bashkinë  e Elbasanit, ku diskutojmë për prioritetet e mëdha por edhe ato të vogla. Kemi pasur disa problematika gjatë këtyre 3 viteteve, ku ju kemi qenë vetë koshient se sapo morëm mandatin u përballëm me tërmetin e pastaj me pandeminë por kemi pasur edhe zjarre edhe përmbytje, e tani po përballemi me një luftë në Europë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve si dhe rritja e çmimit të naftës na ka prekur edhe ne, pasi ndërrmarrja publike kërkon vazhdimisht furnizim me naftë”.  

Sipas kryebashkiakut Llatja, “ po planifikojmë të kemi një rritje të energjisë elektrike diku te 20% dhe nuk ka për t’u rritur më shumë se 20 %. Pra, ne kërkojmë balancimin e tarifës, ku konsumatori paguan atë që harxhon. Besoj me vitin e ardhëm me paketën e re fiskale do e rrisim sërish tarifën për energjinë elektrike, në mënyrë që ato të ardhura që kemi parashikuar për ndërtimin apo mirëmbajtjen e rrugëve në qytet apo në fshatra të mos i heqim nga investimet dhe të mbulojmë faturat e energjisë elektrike por t’i cojmë aty ku e kanë destinacionin e vet”. 

Kryebashkiaku, është ndalur edhe tek investimet e kryera gjatë kësaj periudhe që sipas tij konsistojnë në “ ndërhyrjet me asfaltime në disa zona dhe rrugë dytësore, kemi akoma shumë për të bërë siç janë investimet mes pallateve apo urbanizimi i zonës periferike të qytetit siç është edhe Bradasheshi që ka shumë potenciale”, tha kryebashkiaku.  

Ai nënvizoi edhe një sërë ndërhyjesh në qytet si në lagjen “5 Maji”, në zonën e Bypassit sikundër shtoi se “do vazhdojmë ndërhyrjen  deri në përfundim të projektit të Bypassit i cili është një projekt shumë i madh për qytetin. 

Ndërkohë për pjesën e mbetjeve, do të fillojmë shumë shpejt me pastrimin e fshatrave dhe do merremi me problematikat që na shqetësojnë kryesisht në zonën e Bradasheshit, Labinot Fushë, Shushicës që kanë problem të mëdha përsa i përket mbetjeve dhe pastrimit. 

Po eksperimentojmë edhe me një projekt të ri, me vendosjen e disa kazanëve ku edhe makinat e pastrimit do merren me pastrimin e zonave rurale. 

Kemi marre nën administrim edhe impiantin e mbeturinave në Elbasan dhe është një sfidë për ne e sidomos për mua dhe stafin pasi është një megastrukturë dhe po e menaxhojmë ne. 

Kemi kontaktuar edhe me bizneset për menaxhimin e mbetjeve të tyre pasi kemi pasur problematika në zonën e Kusarthit me makina të mëdha që vijnë në mënyrë të paligjshme dhe na ndotin ambientin, po nisim një aksion për monitorimin e tyre, pasi kemi vende për depozitimin e mbetjeve. Ne shkojmë i pastrojmë ata sërish ndotin, kërkojmë ndihmën e kryeplakut që të denoncojnë rastet dhe të çojmë në ndjekje penale këta ndotës pasi nuk tolerojmë asnjë që bëhet palë me ta. Kemi impiantin që është fat për qytetin tonë dhe çdo shkelës do të përballet me ligjin. Jemi përballë një viti electoral dhe duhet të punojmë shumë”.  

 Llatja theksoi nder të tjera se projekt-buxhetet bazohen në vizionin për Elbasanin e së ardhmes, i cila para së gjithash duhet të jetë një qytet i jetueshëm, me infrastrukturë moderne e transport publik cilësor, me shërbime efikase e cilësore, me mundësi investimi për sipërmarrësit. Nga Bashkia e Elbasanit theksohet fakti se pavarësisht problemeve të shumta, ky qytet fsheh një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, social e kulturor.