Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 15 Qershor, 2022

Llatja/ Masivizimi i sportit, një nga sfidat kryesore të Bashkisë.

Në përfundim të gjithë kompeticioneve kombëtare sportive, Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka bërë edhe një përmbledhje të punës së ekipeve të Klubit Shumësportësh Elbasani.  

Duke qenë një qytet me traditë dhe kulturë, Elbasani shquhet edhe për mbështetjen që i ka dhënë sportit në përgjithësi. Ndaj kryetari i Bashkisë, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë takim, është ndalur tek arritjet e larta sportive të ekipeve të Elbasanit gjatë viteve 2021 – 2022, ndërsa ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij maksimale për Klub Sport Elbasanin.   

“Sportin e kemi të gjithë bashkë prioritet, e do qyteti, e do bashkia, e duan elbasanasit, e do rinia e elbasanit në të gjitha aspektet e tij. Masivizimi i sportit është një nga sfidat kryesore që ne kemi. Të gjitha sportet kanë vlerën e vet, duan një përfaqësim dinjitoz, jemi një qytet me kulturë e tradita. Puna jonë, dhe vëmëndja ime është e pakufishme, për problematikat që ne kemi”, tha Llatja.  

Sipas tij, edhe pse aktualisht Bashkia e Elbasanit ka edhe problematikat e saja financiare, ndër to edhe në infrastrukturë, sërisht mbështetja për sportin do të vijojë.  

“Më kryesorja është që qytetarët ta kenë pasionin për sportin, dhe të krenohen me sportin tonë. Ne kemi bërë një punë të mirë të gjithë bashkë, ndaj dua t’ju falenderoj për përkushtimin që jepni.  Jap mbështetjen time maksimale për të gjithë sakrificën dhe  punën e mirë që keni bërë. Për Elbasanin, sporti është një vlerë e madhe, kemi dashur, e duam dhe duam ta shohim në nivele më të larta. Për këtë po punojmë të gjithë bashkë. Kemi pasur rezultate të larta, në shumë disiplina, jemi vlerësuar maksimalisht si qytet nga ana juaj, ndaj nuk ka për t’u harruar e gjithë kjo punë që bëhet. Tashmë jemi në përfundim të Muzeut të Sporteve, në vijim do të bëjmë edhe broshura dhe libra përkatës, duhet t’i bëjmë të gjitha publike”.  

Nga ana e tij, drejtori i Klub Sport Elbasanit Artin Kovaçi u shpreh se ” të gjithë bashkë po punojmë për një ringritje të Klubit të Elbasanit në të gjitha drejtimet. Guri i themelit është krijimi i kushteve të sportistit,por edhe ana financiare, ku një mbështetje ka dhënë kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, dhe me plot gojën e quajmë Presidenti i Sport Klub Elbasanit. Por falenderojmë edhe dashamirësit e sportit që kanë kontribuar për ngritjen e Sport Klub  Elbasanit. Do të pasurojmë traditën e sportit ndër vite”.