Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 13 Mars 2023

Turi çiklistik “Stafeta e Vlerave”, çel aktivietin e festimeve ” Dita e Verës 2023″

Siparin e festimeve të ditës së verës në datën 13 mars, e ka hapur turi çiklistik ku të gjithë moshat kanë pedaluar në qytet, duke vijuar kështu traditën e çiklizmit. I titulluar “Stafeta e Vlerave” turi është organizuar në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, Akademinë Olimpike Shqiptare, Zyrën Vendore Arsimore Elbasan dhe Bashkinë Elbasan.

Në prani të Ministres së Arsimit dhe Sporteve, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, ka përshëndetur pedaluesit ndërsa ka pohuar se “kemi disa kohë që kemi filluar të ngrejmë sportet në Elbasan, ne jemi gjatë të gjithë kohës në mbështetje të tyre, ndaj e mbështesim edhe këtë aktivitet”, tha Llatja duke falenderuar federatën e çiklizmit. Ministria Evis Kushi, e vuri theksin tek sporti dhe benefitet që ka.

 “Sporti ndihmon për një jetë të shëndetshme, i tillë është edhe sporti i çiklizmit, biçekleta e cila na ndihmon të kemi edhe një mjedis të pastër. Aktivitete të tilla shërbejnë për të promovuar jo vetëm vlerat e çiklizmit, por edhe ndikimin që ka sporti në përgjithësi për të patur një jetë të shëndetshme fizike, psikologjike, emocionale e sociale. Komentatori Dritan Shakohoxha përshëndeti këtë  event, ndërsa vlerësoi kujdesin e veçantë të Bashkisë z. Gledian Llatja duke thënë se “ky aktivitet realizohet edhe nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, i cili po rindez edhe një herë zjarrin e futbollit i cili ishte shuar në këtë qytet”, ndërsa aktivitetin e ka përshëndetur edhe presidenti i Fedaratës Shqiptare të Ciklizmit.

 Pas këtij aktividteti, të tjera aktivitete do të vizhdojnë sot në Elbasan, për t’u mbyllur në orët e para të mëngjesit me koncertin e madh festiv në qendër të qytetit.

Sofra e Elbasanit” bën bashkë kulinarinë, folklorin dhe traditën

Elbasani, qyteti i shumë portave dhe sofrave ka hapur dyert dhe mirëpret me qindra miq jo vetëm nga vendi, por edhe trojet shqipfolëse e më tej, për të festuar Ditën e Verës. 

Tradita shekullore në Elbasanin e luleve, ëmbëlsirës së ballokumes, në qytetin e artit, kulturës, arsimit, trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë vazhdon, ku sofrat e qytetit janë të shtruara për të gjithë miqtë për t’i uruar mirëseardhjen pranverës. 

Si festë pagane, “Dita e Verës’, shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë. 

Ndaj, Elbasani është shndërruar në kryeqendër të festimeve edhe këtë 14 mars, ku nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, do të realizohen një sërë aktivitetesh artistike, për fëmijë, të rinj e të rritur. 

Festimet e ditës së verës kanë nisur me shumë aktivitete si edhe “Sofra e Elbasanit” me temë “S’vyshket Lulja e e Elbasanit, s’mehet Sofra e Bujarisë”, ku gërshetohet tradita, e lashta me modernen, e bukura dhe kënaqësia, miqësia dhe dashuria. 

Qendra e Artit, ka sjellë ripërjetimin e Sofrës Elbasanase, që bën bashkë kulinarinë, folklorin dhe traditën. E konceptuar me dekor që sjell ndjesinë e Kalasë së Elbasanit, inskenim i dasmave të vjetra elbasanase, gatim live si në një shtëpi të vjetër Elbasani. 

“Sofra e Elbasanit” ka qenë gjithmonë plot per miqtë, ndaj mirëseerdhët në Elbasan. Ne kemi shumë tradita qytetare, shumë këngë, ndaj uroj të kënaqeni bashkë me miqtë e tonë në Elbasan. Këto janë vlerat tona, ne jemi ai qytet i lashtë që ka mbjell kulturën, dijen dhe arsimin. Ne jemi Elbasani, dhe ne e kemi traditën e Ditës së Verës të cilën do ta vazhdojmë ta trashëgojmë ndër breza”, tha Llatja. 

Në këtë event kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre deputetët e Elbasanit si edhe drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, artistë të këngës popullore, tenori Kastriot Tusha, vëllezërit Zena, Shkëlzen Jetishi. 

Sofrën e ka përshëndetur Ansambli Kombëtar i Tiranës, si edhe etnologu Thanas Meksi, i cili kontributin e tij e ka dhënë duke shkruar për vlerat e Elbasanit. 

Elbasanllinjtë në “Ditën e Verës” mblidhen në sofra dhe festojnë për më shumë begati e shëndet, ata falënderojnë natyrën, Perëndinë për këtë mrekulli qe ka dhuruar, stinën e verës.