Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Korrik 2024

OSBE DHE BASHKIA, NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN E MIRËKUPTIMIT ME KVSP

OSBE dhe bashkia Elbasan kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit, si dëshmi e bashkëpunimit dhe partneritetit të vazhdueshëm me Këshillin Vendor të Sigurisë Publike (KVSP).

Marrëveshja e Mirëkuptimit krijon një kuadër të përgjithshëm bashkëpunimi dhe koordinimi të aktiviteteve të përbashkëta ndërgjegjësuese për rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit ndërmjet palëve përkatëse të interesit, si pjesë e KVSP-së së Elbasanit.

KVSP-të, të cilat janë mbështetur nga Prezenca në të gjithë vendin që prej vitit 2016, bashkojnë një gamë të gjerë institucionesh dhe aktorësh, duke garantuar përfaqësimin e të gjithëve, që nga qeverisja kombëtare, institucionet lokale, komunitetet fetare, organizatat joqeveritare dhe të rinjtë, duke shërbyer si forume që rrisin pjesëmarrjen e publikut në çështjet e sigurisë.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt gjatë mbledhjes së Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, me pjesëmarrjen e aktorëve lokalë si Policia e Shtetit, Prokuroria, Shërbimi Social dhe përfaqësues të disa Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC).

Aktivitetet ndërgjegjësuese janë pjesë integrale e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” , i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së , me fonde të Bashkimit Evropian , Gjermanisë dhe Francës .

Fjala e Kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar anëtarë të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, i nderuar Ambasador i pranisë së OSBE në Shqipëri, Zoti Mikel Karan, faleminderit për prezencën tuaj që për herë të parë si ambasador po vini në Elbasan pas disa vizitave shumë vite më parë. Shumë faleminderit për mbështetjen që i dhatë ju personalisht por edhe OSBE-së Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Elbasan por edhe KZVP-së në të gjithë rajonin.

I nderuar Drejtor i Policisë Vendore të Qarkut Elbasan, Zoti Ilir Proda, shumë faleminderit që jeni prezent sot në këtë mbledhje të KVSP dhe shumë faleminderit për të gjithë punën e mirë dhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave të policisë dhe strukturave të komunitetit dhe ato komunitare kanë ndërmjet tyre.

I nderuar zv/drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, z. Xheljan Seferi, shumë faleminderit që jeni sot prezent, për të gjithë punën e mirë që ka bërë institucioni juaj në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë Elbasan për të gjitha ato çështje të ndjeshme që ne kemi pasur dhe kemi si komunitet, por edhe për bashkëpunimin e mirë që ka me OJQ-të të cilat zhvillojnë aktivitetin në Elbasan, dhe është një shembull i mirë që duhet të merret nga shumë institucione të tjera, për bashkëpunimin dhe marrëveshjet e bashkëpunimit tashmë të kolauduara ndërmjet këtyre institucioneve.

Shumë falënderir anëtarëve të Këshillit Bashkiak, shumë faleminderit sekretarit të gjykatës, institucioneve shëndetësore, të rinjve të cilët kanë ardhur nga Këshilli Rinor dhe janë prezent sot këtu si edhe OJF-ve që zhvillojnë aktivitetin në Elbasan, Shoqatës së Grave, përfaqësuesve të Drejtorisë Arsimore, për bashkëpunimin e mirë.

Elbasani ka një Këshill Vendor të Sigurisë Publike i cili shumë herë është marrë shembull, por kjo tavonë ku ne jemi sot, është ajo tavolinë e punës ku ne zgjidhim shumë nga problematikat tona. Sekretari i Dhomës së Tregtisë na është gjendur pranë në të gjitha rastet tona ku kemi pasur nevojë të punësojmë kryesisht gratë e dhunuara apo shtresat në nevojë. Bashkëpunimi ndërmjet KVSP dhe biznesit të Elbasanit ka qenë një xhevahir i mirë për komunitetin dhe për punën tonë.

Jemi mbledhur sot për të adresuar një çështje me rëndësi të madhe që është “Ndërgjegjësimi për përdorimin e armëve të lehta dhe të vogla”. Sot ne mblidhemi këtu për të hedhur dritë mbi temën e përhapjes dhe shpesh të anashkaluar të armëve të lehta dhe të vogla si një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e komuniteteve tona. Armët e lehta dhe të vogla luajnë një rol të rëndësishëm për formimin e konflikteve dhe dhunës. Ato janë lehtësisht të transportueshme, të arritshme për parandalimin e tyre dhe ajo që është më e rëndësishme për shmangien e çdo situate të papëlqyeshme nga ne të gjithë.

Pranoj sot se ne jemi sërish bashkë për të punuar drejt një shoqërie ku paqja dhe siguria mbizotëron tek të gjithë dhe duhet të jetë tema e diskutimeve tona të përbashkëta. Faleminderit për vëmendjen dhe angazhimin tuaj në kuadër të kësaj çështje kaq të rëndësishme për ne të gjithë.