Elbasani ndriçon: Ndezja e pemës sjell atmosferën magjike të festave!
Elbasani ka ndezur dritat e pemës së Vitit të Ri, duke sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për fëmijët, të cilët janë gjithmonë të parët që festojnë magjinë e fundvitit.
Në qendër të qytetit, mes një koncerti festiv dhe atmosferës së gëzueshme, pema e Vitit të Ri dhe simbolika e festës, me drerin kryesor dhe elemente të tjera të dashura për këtë periudhë, ndriçuan me drita shumëngjyrëshe, duke tërhequr buzëqeshje nga të vegjlit dhe të mëdhenjtë.
Fëmijët kënduan dhe recituan poezi me tematikën e festave të fundvitit, duke sjellë mesazhe paqeje dhe lumturie për vitin që po troket.
Nga ana e tij, kreu i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja ndau urimin e tij të ngrohtë për qytetarët.
“Me shpresën se viti i ardhshëm do të jetë më i paqtë dhe i begatë, ndezëm dritat e bredhit të qytetit. Elbasani këtë dhjetor do të shkëlqejë nga atmosfera e ngrohtë dhe mikpritëse e festave. Festa të gëzuara e plot shëndet për ju dhe familjet tuaja!”
Ky vit sjell jo vetëm një dekor të mahnitshëm për qytetin, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Elbasan, por edhe një seri aktivitetesh festive dhe kulturore që do të zgjasin gjatë gjithë muajit dhjetor. Koncerte për fëmijë, evente artistike dhe aktivitete kulturore do të pasurojnë atmosferën dhe do të sjellin më shumë gëzim për të gjithë qytetarët.