Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Janar 2025

Urbanizim dhe Transformim: Gledian  Llatja përfundon investimin strategjik në Lagjen ‘5 Maji'”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja shoqëruar nga deputetja Evis Kushi inspektoi përfundimin e punimeve në rrugët “Anastas Paparisto” dhe “Hasan Dylgjeri”, që lidhin lagjen “5 Maji” me fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot Fushë. Kjo lagje, e cila prej më shumë se 30 vitesh nuk kishte përfituar asnjë ndërhyrje, është transformuar rrënjësisht me asfaltimin e një segmenti prej 1.5 km. Nga një zonë informale, ajo tashmë ka kaluar në një zonë urbane me standarde të reja.

“Kjo zonë ka shumë ndërtime të reja. Para disa kohësh ne ndërhymë në KUZ dhe në furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa sot kemi realizuar edhe asfaltimin e dy rrugëve kryesore. Segmenti 1.5 km e ka kthyer këtë lagje në një pjesë integrale të qytetit dhe shumë shpejt do të vendosim edhe sistemin e ndriçimit”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.

Rruga ka formën e një unaze, duke përshkuar të gjithë zonën nga Hotel Mondial deri te Teqeja e Madhe dhe më pas vijon drejt Mengëlit. Kjo lidhje ka një ndikim të madh ekonomik dhe i shërben mbi 500 familjeve dhe rreth 3000 banorëve që tani kanë akses të lehtësuar dhe kushte shumë më të mira.

Gjatë inspektimit, kryetari Llatja theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e jetesës së banorëve të zonës. “Kjo zonë ishte një premtim i bërë një vit e gjysmë më parë, dhe sot premtimi është mbajtur, duke sjellë gëzim për banorët. Kujtoj se katër vite më parë, kur erdhëm këtu, shihnim vetëm përmbytje dhe gardhe të prishura. Sot, falë këtij investimi, lagjja është transformuar, duke reflektuar një standard të ri urbanizimi. Nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të përmbushim çdo kërkesë të qytetarëve”, tha ai.

Deputetja e zonës, Evis Kushi, falënderoi kryetarin e bashkisë për miratimin e buxhetit të vitit 2025, që sipas saj reflekton prioritetet dhe nevojat kryesore të banorëve të Elbasanit. “Në një periudhë të shkurtër kohe, kjo zonë ka përfituar një infrastrukturë cilësore dhe investimet nuk do të ndalen këtu”, tha ajo.

Ndërkohë, kryetari Llatja nënvizoi se buxheti i vitit 2025 ka një rritje prej 5.8%, duke u fokusuar te një sërë projektesh të reja, falë edhe mbështetjes së qeverisë. “Një nga prioritetet tona mbetet lehtësimi i trafikut në qytet, i cili është bërë më i rënduar kohët e fundit për shkak të shtimit të mjeteve. Ne po punojmë për t’u dhënë përparësi rrugëve dhe infrastrukturës moderne”, theksoi ai.

Lagjja “5 Maji” ka përfituar jo vetëm një rrugë të re, por edhe një rritje të cilësisë së jetesës. Në këtë zonë ndodhen objekte kulti, si xhamia dhe teqeja, si dhe një ambulancë që u shërben banorëve.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se ky është vetëm një nga projektet e shumta që do të transformojnë qytetin dhe fshatrat përreth, duke sjellë mundësi më të mira për të gjithë qytetarët.