Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 30 Janar 2025

Një parcelë me lule që zbukuron gjithë Shqipërinë/ Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja viziton biznesin familjar në Papër

Një investim që nuk e humb kurrë vlerën, ai i luleve, po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në fshatin Papër të Elbasanit. Marigleni dhe Marseli kanë ngritur një parcelë të madhe me mbi 40 mijë rrënjë lulesh, të cilat zbukurojnë shtëpi, ambiente të përbashkëta, lokale dhe qytete nga Shkodra deri në Sarandë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka vizituar këtë sipërmarrje të suksesshme dhe ka vlerësuar përkushtimin e dy vëllezërve, të cilët me punën e tyre të palodhur rrisin bimët nga fidani dhe i kthejnë në lule dekorative për tregun shqiptar.

“Ju jeni një krenari për ne dhe një model shumë i vyer për të gjithë të rinjtë e zonave rurale, sidomos për të rinjtë e Paprit. Kjo është një sipërmarrje që jo vetëm mbështet ekonominë familjare, por tashmë është kthyer edhe në një atraksion për zonën, duke tërhequr vizitorë dhe klientë nga e gjithë Shqipëria,” u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Biznesi familjar, ku punojnë gjashtë anëtarë të familjes, ka rrënjë të hershme, duke nisur me babanë e dy vëllezërve, i cili dikur kultivonte domate. Sot, kjo sipërmarrje ka marrë një dimension të ri, duke u shndërruar në një nga serat dhe fidanishteve më të rëndësishme në njësinë administrative të Paprit dhe në të gjithë Elbasanin.

Me një sipërfaqe prej 4.5 dynym tokë, kjo parcelë e mbushur me fidanë dhe lule është jo vetëm një histori suksesi, por edhe një shembull frymëzues për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe hortikulturë. Me fillimin e sezonit të shitjeve, ky biznes premton të vazhdojë të rritet dhe të japë kontributin e tij në zbukurimin e Shqipërisë.