Rindërtimi i shkollës së Treganit, kthim në strukturën e re dhe të sigurt për nxënësit
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, dhe deputetja Desatila Tahiraj, inspektuan punimet në shkollën e Treganit, një objekt që u shemb plotësisht gjatë tërmetit të vitit 2019. Pas një periudhe të gjatë punimesh, rindërtimi i shkollës është duke përfunduar, duke sjellë një ndërtesë të re dhe moderne, që do të shërbejë për rreth 150 fëmijë të fshatit, si dhe për banorët e zonës.
Ky projekt ka qenë një kërkesë e banorëve të zonës, të cilët kanë theksuar nevojën për ndërtimin e një shkolle të re, që do të ofronte kushte më të mira dhe do të kontribuonte në zhvillimin e përgjithshëm të komunitetit.
Kryetari Llatja theksoi se ky rindërtim ka pasur disa sfida teknike dhe gjeologjike, për shkak të kushteve të veçanta të territorit dhe strukturës së shkollës së vjetër. Ai shtoi se prioriteti kryesor ka qenë sigurimi i një strukture të qëndrueshme dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për fëmijët. “Falenderoj Ministrinë e Arsimit për mbështetje në këtë projekt, i cili përfshin jo vetëm shkollën 9-vjeçare, por edhe kopshtin e Treganit, duke e bërë këtë objekt një qendër të vërtetë komunitare për fshatin dhe Njësinë Administrative,” u shpreh Llatja.
Shkolla e re do të ofrojë kushte të përmirësuara për mësim dhe aktivitete edukative. Ajo ka një sipërfaqe prej rreth 1500 m² dhe përfshin katër klasa për nxënësit, një guzhinë, një hapësirë lidhëse mes shkollës dhe kopshtit, si dhe disa dhoma shërbimi, përfshirë drejtorinë, sallën e mësuesve, sekretarinë dhe tualetët. Përveç kësaj, pas ndërtimit të shkollës, do të jetë edhe një palestër moderne, e cila do të shërbejë si qendër komunitare për fshatin.
Deputetja Tahiraj e vlerësoi këtë projekt si një arritje të rëndësishme pas pesë viteve, duke e quajtur kthimin në shkollë një moment të rëndësishëm për fëmijët dhe familjet e Treganit. “Për pesë vite, fëmijët tanë kanë mësuar në Shirgjan, dhe tani, në shtator 2025, do të mund të kthehen në shkollën e re që plotëson të gjitha standardet dhe ofron një mjedis të sigurt dhe funksional,” tha ajo.
Shkolla e Treganit është një ndër projektet kyçe për zhvillimin e zonës, duke shfrytëzuar potencialin turistik të ujrave termale të Elbasanit dhe duke kontribuar në forcimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale.
Përfundimi i punimeve është i afërt, duke hapur dyert për një vit të ri shkollor, i cili do të ofrojë mundësi më të mira për fëmijët dhe do të shërbejë si një qendër e re komunitare për Treganin.