Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 11 Mars 2025

Elbasani vishet me ngjyrat e Ditës së Verës, festime në çdo cep të qytetit

Elbasani po zbukurohet çdo ditë e më shumë në pritje të Ditës së Verës. Rrugët, sheshet dhe parqet janë veshur me një dekor të veçantë ku mbizotërojnë e kuqja dhe e bardha – ngjyrat simbol të pranverës, të cilat sjellin gëzim dhe ngrohtësi në çdo cep të qytetit. Lule shumëngjyrëshe dhe shirita festivë valëviten në rrugët kryesore, duke krijuar një atmosferë magjike që paralajmëron ardhjen e festës më të dashur për elbasanasit.

Në Parkun Rinia, fëmijët kanë nisur tashmë koncertet e tyre, duke sjellë gjallëri dhe emocion me këngë e valle festive. Zëri i tyre kumbon në gjithë parkun, duke tërhequr kalimtarë e familjarë që ndalen për të shijuar atmosferën. E gjithë zona është e mbushur me të qeshura fëmijësh, lodra dhe tullumbace shumëngjyrëshe, duke e bërë parkun një nga epiqendrat e festimeve.

Në çdo cep të qytetit, aroma e ballokumeve të sapopjekura ka nisur të përhapet, duke ngacmuar kujtimet e festave të shkuara. Dyqanet e ëmbëlsirave janë mbushur me tabaka plot me këtë ëmbëlsirë tradicionale, ndërsa tregtarët i ofrojnë me krenari si pjesë të pandashme të festës.

Nga sheshi kryesor e deri në rrugicat e lagjeve, Elbasani po jeton plotësisht atmosferën e Ditës së Verës. Festimet kanë nisur dhe qyteti po përgatitet për kulmin e festës, duke ruajtur një traditë shekullore që e bën këtë ditë të paharrueshme për të gjithë.

Vreshtan, nis asfaltimi i unazës së fshatit.  Së shpejti investime edhe në kanalizime

Në fshatin Vreshtan të Njësisë Administrative Shushicë ka nisur shtrimi me asfalt i unazës së fshatit, një investim i shumëpritur nga banorët. Ndërkohë, Bashkia Elbasan ka në plan të nisë së shpejti edhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjet e tjera të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë inspektimit të këtij investimit, u shpreh se ky projekt është realizuar si përgjigje ndaj kërkesave të banorëve edhe gjatë takimeve të Buxhetimit me Pjesëmarrje, si një problem i trashëguar për ta, dhe është pjesë e një vëmendjeje të shtuar ndaj Njësisë Administrative Shushicë.

“Ky investim ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve, por puna nuk ndalet këtu. Do të vijojmë me ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza edhe në lagje të tjera të Vreshtanit, për të përmirësuar më tej infrastrukturën e kësaj zone,” deklaroi Llatja.

Sipas tij, investimet në këtë njësi administrative do të vazhdojnë, pasi fshatrat pranë qytetit kërkojnë urbanizim të ngjashëm me lagjet periferike të Elbasanit.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se kjo njësi e madhe administrative ka marrë një vëmendje të veçantë nga bashkia vitet e fundit, jo vetëm për shkak të numrit të madh të banorëve, por edhe për problematikat infrastrukturore.

 ” Në Vreshtan kemi ndërhyrë fillimisht në rrugën e shkollës, duke e zgjidhur këtë problem një vit më parë për nxënësit dhe banorët e zonës. Më pas kemi vijuar me investime në lagjen Kodër, e cila ka pasur vështirësi për shkak të terrenit malor dhe rrezikut nga reshjet”, shtoi ai.

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë Elbasan dhe Këshillit të Qarkut, duke sjellë përfitime për mbi 500 banorë të zonës. Në vijim, pritet të nisë puna për zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore.