Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 21 Mars 2025

Panairi “Work & Study” në Elbasan, mundësi studimi dhe punësimi për të rinjtë

Në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan u zhvillua  panairi tradicional “Work & Study”, një mundësi e rëndësishme për maturantët dhe të rinjtë që kërkojnë alternativa për të ardhmen e tyre.

Mbi 30 universitete prezantuan programet e tyre akademike dhe bursat që ofrojnë, ndërsa biznese të ndryshme vendase dhe kombëtare paraqitën mundësi konkrete punësimi. Ky event u krijoi të rinjve hapësirën e nevojshme për të marrë informacion të detajuar dhe për të ndërtuar ura komunikimi me përfaqësuesit e institucioneve arsimore dhe të sektorit privat.

Panairi “Work & Study” është tashmë një traditë e konsoliduar në Elbasan, duke shërbyer si një pikë takimi mes arsimit dhe tregut të punës. Përfaqësues të universiteteve dhe bizneseve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për të ndihmuar të rinjtë të bëjnë zgjedhje të informuara dhe të sigurojnë një të ardhme profesionale të qëndrueshme.

Përfundon asfaltimi i rrugës në lagjen Xhami të fshatit Gjergjan, përmirësohet qarkullimi për 400 banorë

Një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën rurale ka përfunduar në fshatin Gjergjan, konkretisht në lagjen Xhami, ku është shtruar me asfalt një segment rrugor prej 1.2 kilometrash. Kjo ndërhyrje ishte një kërkesë e kahershme e banorëve, veçanërisht për pjesën e pjerrët të rrugës, e cila bëhej problematike në rastet e reshjeve, për mjetet ashtu edhe për banorët.

Ky investim u realizua me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe i shërben jo vetëm banorëve të Gjergjanit, por edhe një pjese të fshatit Kështjellas, ku është asfaltuar pothuajse 1 kilometër rrugë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i pranishëm gjatë inspektimit të punimeve, theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal:

“Jemi të angazhuar për të përmirësuar infrastrukturën jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale. Kemi realizuar mbi 10 kilometra rrugë në faza të ndryshme investimi, duke përmirësuar jetën e mijëra banorëve. Gjithashtu, kemi planifikuar një ndërhyrje të rëndësishme në fshatin Kështjellas, i cili ndonëse është më i vogël, përballet me problematika të theksuara për shkak të terrenit kodrinor ku ndodhet.”

Llatja shtoi se investimet e Bashkisë Elbasan do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative, duke përmendur edhe projekte të tjera infrastrukturore në bashkëpunim me Bashkinë Cërrik:

“Po përgatitemi për një ndërhyrje madhore në rrugët kryesore të fshatrave Bujar dhe Kodër Bujaras, në bashkëpunim me bashkinë e Cerrikut si dhe në rrugën kryesore të fshatit Murriqan. Objektivi ynë është që çdo zonë, pavarësisht largësisë nga qyteti, të ketë infrastrukturë të përmirësuar dhe të sigurojmë kushte më të mira për të gjithë banorët.”

Investimi në rrugën e Gjergjanit është pritur  nga banorët, të cilët tashmë kanë një akses më të lehtë dhe më të sigurt drejt qendrave të tjera urbane. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale mbetet një prioritet i Bashkisë Elbasan, me projekte që synojnë të modernizojnë rrjetin rrugor dhe të rrisin cilësinë e jetës për komunitetet lokale.