Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Mars 2025

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës: Një javë e mbushur me ngjyra, muzikë dhe traditë.

 Kryeqyteti i pranverës ka nisur sot festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe atmosferë festive. Si çdo vit, Elbasani mirëpret mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bashkohen në një festë që mishëron traditën, kulturën dhe gëzimin e ardhjes së pranverës.

Festimet u hapën me aktivitetin “Trashëgimia në duart e vogla”, ku fëmijët e kopshteve të qytetit shfaqën talentin e tyre përmes lojërave tradicionale, punimeve artistike dhe këngëve festive.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se këtë vit festimet do të zgjasin një javë, me një program të pasur që kulmon më 15 Mars, kur qyteti do të kthehet në një arenë të madhe festive.

“Elbasani e jeton ndryshe Ditën e Verës dhe këtë vit kemi zgjeruar aktivitetet për ta bërë këtë festë edhe më të veçantë. Nga defiletë e kostumeve tradicionale, koncertet e mëdha, ekspozitat dhe panairet e kulinarisë, deri tek aktivitetet për fëmijë dhe të rinj, Elbasani do të jetë epiqendra e festimeve pranverore.”

Një javë festive plot surpriza

Mbrëmjen e 12 Marsit rikthehet Defileja e Kostumeve Tradicionale, një paradë që do të sjellë në skenë kulturën dhe folklorin e trevave shqiptare.

13 Marsi do të sjellë atmosferën e zjarrtë të Natës së Verës, ku koncertet dhe performancat artistike do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Në 14 Mars, një program i pasur me aktivitete do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.

“Këtë vit, Elbasani është gati të mirëpresë të gjithë ata që duan ta jetojnë këtë festë në zemër të traditës.  Ju ftoj të gjithë, kudo që ndodheni, të vini në Elbasan dhe të festojmë së bashku këtë trashëgimi të bukur, duke sjellë energji, gëzim dhe dashuri për një pranverë të mbarë”, tha Llatja.

Gëzuar 7 Marsin, Mësues të dashur!

Kjo është dita kur festojmë rolin tuaj të paharrueshëm në jetët tona. Është një ditë e veçantë për të nderuar përkushtimin tuaj, pasi ju keni shndërruar njohuritë në pasione, sfidat në suksese dhe çdo ditë në një mundësi për rritje.

Kënaqësia më mbushet të filloj ditën me një takim të veçantë me ju, mësuesit që, prej vitesh, keni formësuar karakterin e brezave dhe keni edukuar qytetarë të mirë e të zotë. Çdo fjalë, çdo mësim dhe çdo përpjekje e juaj ka qenë një gur themelor në ndërtimin e të ardhmes sonë. Ju keni qenë udhërrëfyesi dhe frymëzuesi ynë në çdo hap të rrugëtimit, duke na dhënë besimin që çdo sfidë mund të tejkalojë me durim dhe përkushtim.

Mirënjohja ime është pak për ju, heronjtë e heshtur që çdo ditë na mësoni si të përmirësohemi dhe të lartësohemi. Faleminderit që na keni mësuar se arsimi është çelësi i hapjes së dyerve të të ardhmes, dhe që me pasionin tuaj keni ndriçuar rrugën tonë drejt ëndrrave. Ju jeni drita që na udhëheq në errësirën e sfidave dhe burim frymëzimi për të ndjekur gjithmonë ëndrrat tona.

Në këtë ditë të shënuar, ju uroj një ditë plot me lumturi, respekt dhe mirënjohje, ashtu siç meritoni. Gëzuar 7 Marsin, dhe faleminderit për çdo moment ku na keni mësuar jo vetëm fakte, por edhe vlera jetësore që na forcojnë çdo ditë.

Fush Bulli, nga një fshat i harruar në një destinacion turistik

Fush Bulli, dikur një fshat i vështirë për t’u aksesuar, po shndërrohet në një destinacion turistik tërheqës falë investimeve në infrastrukturë. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bashkë me deputeten Desantila Tahoraj dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, inspektuan punimet për shtrimin me asfalt të rrugës që lidh qendrën e njësisë administrative Shushicë me fshatin Fush Bulli, një zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik.

Dikur një vend i vështirë për t’u aksesuar, Fush Bulli po shndërrohet në një pol të zhvillimit turistik falë investimeve në infrastrukturë. Rruga e re, e gjatë 7 kilometra, tashmë përshkohet për vetëm 12 minuta, një ndryshim i madh krahasuar me vitin 2021, kur kjo distancë kërkonte rreth 50 minuta dhe mjete të larta për të kaluar terrenin e vështirë malor.

“Kjo zonë gjithmonë ka pasur një potencial të madh turistik, por mungesa e infrastrukturës e kishte lënë thuajse të izoluar. Sot, me këtë rrugë të re, jo vetëm banorët e zonës do të kenë një lidhje më të lehtë me qytetin, por edhe ekonomia lokale do të marrë një shtysë të madhe,” u shpreh kryetari i Bashkisë gjatë inspektimit.

Investimi ka sjellë një transformim të rëndësishëm, duke e bërë zonën më të aksesueshme jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorët që kërkojnë natyrën e paprekur dhe turizmin malor. Fillimisht e parashikuar për t’u shtruar me zhavorr, rruga me asfalt është realizuar me standarde të qëndrueshme, duke i dhënë kështu një vlerë të shtuar zhvillimit të turizmit në këtë zonë malore të Elbasanit.

Investimet në Shushicë vijojnë edhe në lagjen Baldavere

Shushica, një nga njësitë administrative më të mëdha të Bashkisë Elbasan, po vijon të përfitojë investime të rëndësishme infrastrukturore. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten e zonës, Desantila Tahiraj, dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, inspektuan nga afër punimet që po kryhen në lagjen Baldavere, ku po realizohet një investim i rëndësishëm për komunitetin.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se ” Shushica është një nga njësitë tona më të mëdha administrative, dhe fshati Shushicë është gjithashtu një nga fshatrat më të mëdhenj. Kemi investuar në vazhdimësi gjatë këtyre viteve në rrugën kryesore të fshatit, në rrugën e varrezave, në prita lumore, në ura, në pastrimin e përroit të Gurrës, si dhe në investime të tjera në shkollën e Shushicës dhe në terrene sportive. Sot kemi në fokus shtrimin e rrugëve të lagjeve të brendshme të fshatit Shushicë. Këtu jemi në lagjen Baldavere, ku ky investim i shërben të gjithë komunitetit”. 

Po shtrohen rreth 1.7 km rrugë në rrugën kryesore me gjerësi 4 metra dhe 1.2 km rrugë të brendshme me gjerësi 3 metra, sipas standardeve të rrugëve rurale. Ky është një investim i shumëkërkuar nga banorët dhe ndihmon në urbanizimin e lagjes Baldavere, duke e afruar më shumë me qendrën dhe qytetin.

” Shushica është një nga potencialet tona më të mëdha turistike dhe, bashkë me projektin për urën e Shushicës dhe by-pass-in e Elbasanit, që pritet të nisë këtë vit, kjo zonë do të shndërrohet në një lagje periferike të qytetit të Elbasanit. Ne po vijojmë me investimet për ta bërë këtë realitet,” shtoi Llatja.

Deputetja Desantila Tahiraj vlerësoi investimin, duke theksuar rëndësinë e tij për rreth 2,000 banorët e zonës, ndërsa banorët shprehën mirënjohjen për këtë ndërhyrje të rëndësishme, e cila lehtëson ndjeshëm lëvizjen dhe përmirëson kushtet për fermerët dhe komunitetin.

Falë këtyre investimeve, Shushica po fiton një qasje të re infrastrukturore, duke u bërë një zonë gjithnjë e më e integruar me qytetin e Elbasanit dhe duke garantuar kushte më të mira jetese për banorët e saj.