Elbasani drejt një menaxhimi më të mirë të mbetjeve:Diskutim publik mbi planin 2025–2030
Në ambjentet e Bashkisë Elbasan u zhvillua sot një takim konsultativ i rëndësishëm për një nga dokumentet strategjike që do të udhëheqë zhvillimin lokal në vitet e ardhshme: “Plani Vendor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të Ngurta 2025–2030 dhe rregullorja përkatëse e tij”.
Takimi u organizua në kuadër të përfshirjes qytetare përmes Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP), duke e kthyer këtë proces në një hapësirë të vërtetë bashkëkrijimi dhe vendimmarrjeje të hapur.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues të Forumit OGP, këshilltarë të Këshillit Bashkiak, akademikë nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, aktivistë të shoqërisë civile, si edhe përfaqësues nga media dhe bizneset vendase.
Pas prezantimit të Planit dhe Rregullores nga ekspertët e Drejtorisë së Monitorimit, me mbështetjen e projektit “Bashki të Forta”, u hap një diskutim i gjerë mbi sfidat dhe problematikat e menaxhimit të mbetjeve në territorin e bashkisë. Pjesëmarrësit sollën ide dhe propozime konkrete për përmirësimin e situatës, duke vënë theksin te përfshirja qytetare, rritja e ndërgjegjësimit dhe zbatimi efektiv i masave të parashikuara në plan.
Ky proces dëshmon angazhimin e Bashkisë Elbasan për të ndërtuar politika gjithëpërfshirëse dhe afatgjata në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve, si pjesë e vizionit për një qytet më të pastër dhe më të jetueshëm.