Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 2 Maj 2025

Shkolla me histori të artë në Elbasan hyn në fazën e transformimit total!

Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan do të jetë një nga kantierët e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total.

Ky investim i shumëpritur do të sjellë ndryshime thelbësisht pozitive për 730 nxënës që do të mësojnë në mjedise të reja me kushte bashkëkohore si dhe për 72 mësuesit që kontribuojnë çdo ditë në edukimin e brezave të rinj.

Rikonstruksioni total do të përfshijë ndërhyrje të thelluara në të gjithë strukturën e shkollës, duke garantuar siguri, komoditet dhe standarde moderne për një mjedis të denjë arsimor.

“Arsimi është themeli i të tashmes dhe të ardhmes, ndaj përmes këtij investimi dhe jo vetëm, po ndërtojmë më shumë mundësi për fëmijët dhe nxënësit e Elbasanit”, tha kryetari i bashkisë Gledian Llatja. Prej më shumë se një dekade kjo shkollë kryente mësimin me dy turne dhe gjithnjë ka qenë kërkesë e kreut të bashkisë, duke lobuar në ministrinë dhe qeverinë për rikonstruksionin total të kësaj shkolle të vjetër në Elbasan, e cila ka nxjerrë breza të talentuar nxënësish për më shumë se 50 vite, duke ruajtur një muze të vyer me figurat që u kanë dhënë zë arsimit në Elbasan…

Pak histori për shkollën “Naim Frashëri”

E themeluar për herë të parë në vitin 1908, shkolla “Naim Frashëri” është një ndër institucionet më të hershme arsimore në qytetin e Elbasanit. Godina aktuale ku funksionon shkolla është ndërtuar në vitin 1967 dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si një vatër e rëndësishme formimi për breza të tërë nxënësish. Me një traditë të gjatë dhe staf të përkushtuar pedagogjik, shkolla ka ruajtur një identitet të fortë arsimor, duke kontribuar ndjeshëm në edukimin e fëmijëve të qytetit. Brenda saj ndodhet edhe një kënd muzeal, që përkujton figurat më të shquara që kanë kontribuar në historinë e arsimit në Elbasan. Me këtë rikonstruksion, ajo nuk do të jetë vetëm një shkollë moderne, por edhe një simbol i respektit për trashëgiminë dhe përkushtimit për të ardhmen.