Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 4 Maj 2025

Homazhe në nder të artistit Eduart Çala (1950–2025)Një jetë e tërë përkushtuar skenës, artit dhe qytetit të Elbasanit

Qindra qytetarë të Elbasanit, artistë, miq, kolegë, politikanë, përfaqësues të institucioneve dhe dashamirës të artit kanë marrë pjesë sot në homazhet dhe ceremoninë mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktorit të njohur Eduart Çala.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Teatrit “Skampa”, aty ku Eduarti kaloi mbi katër dekada të jetës së tij artistike dhe la një trashëgimi të paharrueshme.
Për nder të tij u mbajtën homazhe të përshkruara nga emocionet dhe mirënjohja për kontributin e jashtëzakonshëm të këtij artisti të madh, qytetari të dashur dhe njeriu të mirë, që u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 75-vjeçare.

Me një ndjesi të thellë dhimbjeje, qyteti i Elbasanit dhe e gjithë bota artistike shqiptare përkulen sot me nderim përballë figurës së Eduart Çalës, një artist i përkushtuar, një njeri i qetë e fisnik, që ia fali jetën skenës së teatrit dhe ekranit të filmit shqiptar.

Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan, ku do të shfaqte që herët prirjen e tij për artin dhe skenën. Edhe pse rrugëtimi i tij arsimor nuk e çoi drejt Akademisë së Arteve, dashuria për teatrin nuk u zbeh asnjëherë. Ai u diplomua në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi, por pasioni i tij i vërtetë do të mbetej gjithmonë skena.

Që nga interpretimi i tij i parë në shkollë me pjesën “Udha e Zavalinëve”, ai e kuptoi se skena ishte vendi ku përkiste. Në vitin 1971 u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” – institucionit ku do të punonte me përkushtim të jashtëzakonshëm për mbi katër dekada, derisa doli në pension, po aty ku e nisi. Me më shumë se 60 role në shfaqje teatrore, ai u shqua për një spektër të gjerë karakteresh, nga më të vështirat te më të thjeshtat, duke i trajtuar të gjitha me të njëjtin profesionalizëm, ndjeshmëri dhe pasion.

Kontributi i tij në art nuk u ndal në teatër. Eduart Çala la gjurmë edhe në kinematografinë shqiptare me role të spikatura në disa filma artistikë, si: “Përtej mureve të gurta”, “Një natë Nëntori”, “Partizani i vogël Velo”, “Pranverë e hidhur”, “Një jetë me shumë”, “Kronikë e atyre viteve”, “Tre veta kapërcejnë malin” dhe “Ngjyrat e moshës”.

Ai ishte gjithashtu një regjisor i dashur për fëmijët, duke sjellë dhjetëra shfaqje në skenën e Teatrit të Kukullave në Elbasan, si dhe një figurë e dashur për publikun si prezantues në festivale, koncerte e aktivitete kulturore në qytet dhe më gjerë.

Për kontributin e tij të pashoq, ai u vlerësua me medaljen “Naim Frashëri”, me titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga Bashkia e Elbasanit dhe me çmime në festivalet kombëtare të teatrove, të fëmijëve dhe të kukullave. Emri i tij u rreshtua denjësisht në brezin e artë të artistëve elbasanas krahas figurave të shquara si Demir Hyskja, Shpëtim Shemili, Astrit Cerma, Spiro Duni, Ermira Bahiti, Tefta Haziraj dhe Veronika Papa.

Sot, me ndarjen nga jeta, Eduart Çala nuk është më mes nesh fizikisht, por fryma e tij artistike dhe kujtimi i një jete të jetuar me dinjitet, modesti dhe dashuri për artin, do të mbeten përherë të gjalla.

U prehsh në paqe, Eduart Çala.
Skena e “Skampës” dhe zemrat e publikut do të ruajnë përgjithmonë dritën tënde.