Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 25 Qershor 2025

Nga kanalizimet te asfalti, transformohet rruga pranë Doganës në Elbasan

Ka përfunduar investimi në asfaltimin e rrugës “Mefail Bicaku” në Rajonin Nr. 3, pranë Doganës, një ndër zonat më problematike të qytetit përsa i përket infrastrukturës.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka parë nga afër punimet e përfunduara, duke theksuar se kjo rrugë, ndonëse nuk konsiderohet zonë informale, kishte mbetur pas në zhvillim, për shkak të ndërtimeve të shpejta dhe të pakontrolluara pas viteve ‘90.

“Edhe pse jemi në një zonë pranë dy shkollave profesionale dhe Doganës, kjo rrugë kishte mbetur pas për shumë vite. Ishte një kërkesë e kahershme e banorëve dhe bizneseve të zonës, e cila tashmë ka marrë zgjidhje”,  u shpreh z. Llatja.

Rruga “Mefail Bicaku” është një rrugicë lidhëse ndërmjet rrugës “17 Marsi” dhe rrugës “Zogu i Parë”. Ajo u shërben rreth 120 banorëve dhe disa bizneseve lokale.

Vitin e kaluar është investuar në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, ndërsa këtë vit është realizuar shtrimi i plotë me asfalt, në kuadër të një bashkëpunimi mes Bashkisë Elbasan dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH).

“Edhe pse ishim në një periudhë zgjedhore, puna nuk është ndalur asnjë moment. Do të vazhdojmë me investime të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”,  theksoi Kryetari i Bashkisë në fjalën e tij.

Ky investim vjen si pjesë e angazhimit të bashkisë për të përmirësuar infrastrukturën urbane dhe për të garantuar kushte më të mira jetese për qytetarët në çdo lagje të Elbasanit.

Elbasani drejt neutralitetit klimatik. Gledian Llatja në simpoziumin e Bankës Botërore për ndryshimet klimatike

Në një forum të nivelit të lartë të organizuar nga Banka Botërore mbi të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve evropiane, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, prezantoi vizionin dhe angazhimet konkrete të qytetit përballë sfidave të ndryshimeve klimatike.

Elbasani u vlerësua si një nga 100 qytetet europiane pjesë e nismës EU Mission Cities, që synon neutralitetin klimatik deri në vitin 2030,  një objektiv ambicioz që kërkon veprim të koordinuar, teknologji të gjelbër dhe përfshirje të komunitetit.

Gjatë fjalës së tij, Llatja theksoi se “Elbasani po punon me përkushtim për të ulur emetimet, për të rritur efikasitetin energjetik dhe për të përfshirë komunitetin në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër. Ky është një proces që kërkon vizion dhe bashkëpunim të gjerë institucional. Në këtë drejtim, falënderoj Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në hartimin e Planit Lokal të Adaptimit ndaj Ndryshimeve Klimatike – një dokument i rëndësishëm strategjik për qytetin tonë.”

Pjesëmarrja në këtë simpozium konfirmon pozicionimin e Elbasanit si një qytet që jo vetëm njeh sfidat mjedisore, por edhe vepron me përgjegjësi për të qenë model i zhvillimit të qëndrueshëm urban në Shqipëri dhe më gjerë.