Këshilli Bashkiak i Elbasanit hap dyert për qytetarët, në një takim mbi vendimmarrjen dhe transparencën
Këshilli Bashkiak i Elbasanit zhvilloi një takim informues me qytetarët, në kuadër të nismës “Dita e Hapur”, me qëllim rritjen e transparencës dhe përfshirjen qytetare në procesin vendimmarrës.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, i cili theksoi se ky është viti i dytë radhazi që organizohet një takim i tillë, duke vënë në qendër transparencën dhe llogaridhënien publike. “Qytetarët duhet të jenë të informuar për çdo vendim që ne marrim në mbledhjet mujore. Jemi të përkushtuar për të ndërtuar ura komunikimi me komunitetin”, deklaroi Lala.
Ai prezantoi gjithashtu përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak, duke theksuar se nga 51 anëtarë, 26 janë gra, një përfaqësim domethënës që reflekton përparimin në drejtim të barazisë gjinore në vendimmarrje.
Gjatë takimit u bë një pasqyrë e veprimtarisë së Këshillit përgjatë vitit 2024, si dhe u prezantuan fushat kryesore të vendimmarrjes, që përfshijnë: çështjet financiare, sociale, infrastrukturën dhe strehimin, problemet urbane, menaxhimin e aseteve publike, emergjencat civile, arsimin, kulturën, mbetjet dhe planet lokale.
“Çdo vendim është i dokumentuar dhe i aksesueshëm për qytetarët në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan”, theksoi më tej z. Lala.
Në fund të takimit, qytetarët kërkuan më shumë bashkëpunim mes këshilltarëve dhe përfaqësuesve lokalë, duke theksuar nevojën që çdo vendim të mbështesë interesat reale të komunitetit.
Këshilli Bashkiak është në diskutim për të eksploruar forma të reja të komunikimit me publikun, për të mbledhur opinione dhe sugjerime nga banorët e zonave që përfaqësohen, me synimin për të rritur cilësinë e vendimmarrjes në shërbim të qytetarëve.