Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Korrik 2025

Thirrje për të rinjtë e Elbasanit: Apliko për punësim 1-vjeçar në shërbimet sociale!

Bashkia Elbasan fton të rinjtë e motivuar dhe të pasionuar, të moshës 21–29 vjeç, që jetojnë në territorin e Bashkisë Elbasan, të aplikojnë për punësim në fushën e shërbimeve sociale.

Ky program ofron:

Punësim me kohë të pjesshme, për një periudhë 1-vjeçare;

Aftësim profesional gjatë gjithë procesit, për të forcuar kapacitetet dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm në tregun e punës.

📅 Afati i fundit për aplikim: 31 Korrik 2025
🔗 Apliko këtu: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSd6rxKT6WnVdnOd6pKcEQj_VFTAEqKjK_NNFZG4UWo54HJ7ag/viewform?usp=header

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Të rinjtë për Tregun e Punës në Elbasan – Cerrik – Librazhd & Prrenjas”, zbatuar nga Fondacioni Joscelyn në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, dhe financuar nga Bashkimi Evropian, në zbatim nga PNUD Shqipëri, Zyra Publike Suedeze e Punësimit dhe Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK), në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Investim i ri në Shelcan, përfundon rruga e Panxhit

Një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia Elbasan merr formë konkrete në lagjen Panxhi të fshatit Shelcan, ku është përfunduar shtrimi me asfalt i një segmenti rrugor me gjatësi rreth 430 metra lineare. Aksi i saporregulluar lidh lagjen me varrezat e fshatit dhe përshkon një zonë të banuar nga rreth 30 familje.

Ky investim është realizuar në përgjigje të një kërkese të hershme të komunitetit, e ngritur vazhdimisht në mbledhjet e buxhetimit me pjesëmarrje, duke reflektuar qasjen gjithëpërfshirëse të Bashkisë ndaj nevojave reale të qytetarëve.

Krahas asfaltimit, është ndërhyrë edhe në pastrimin e kanalit kullues, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet infrastrukturore në lagje, veçanërisht gjatë stinës së reshjeve. Rruga e re do t’u shërbejë banorëve për qarkullimin e përditshëm, për transportin më të lehtë të prodhimeve bujqësore, si edhe për akses më të mirë drejt varrezave të fshatit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ndoqi nga afër përfundimin e punimeve në terren dhe theksoi se ky investim ka një vlerë të veçantë për komunitetin lokal:

“Shelcani është një nga fshatrat me tradita dhe histori, ku gjendet edhe kisha e njohur e Shelcanit, ndaj këto investime janë mëse të merituara. Jemi të vendosur të vazhdojmë me investime të tjera edhe në këtë zonë, për ta kthyer fshatin në një hapësirë më funksionale dhe të denjë për banorët e tij,” u shpreh Llatja.

Nga ky projekt përfitojnë jo vetëm banorët e lagjes Panxhi, por edhe një pjesë tjetër e komunitetit të Shelcanit që përdor këtë segment. Rruga është përshëndetur me entuziazëm nga banorët, të cilët e kanë cilësuar si një investim me rëndësi të madhe për jetën e përditshme dhe zhvillimin e fshatit.

Plani për Barazinë Gjinore 2025–2030, drejt finalizimit: Bashkia Elbasan mbyll konsultimet publike

Në vijim të angazhimit të vazhdueshëm për ndërtimin e një bashkie gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, Bashkia Elbasan zhvilloi sot takimin përmbyllës për finalizimin e Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore (PVVBGJ) 2025–2030.

Takimi u mbajt në sallën multifunksionale të bashkisë dhe mblodhi rreth tryezës grupin e punës ndërinstitucional, përfaqësues të UN Women Shqipëri, anëtarët e Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP), Agjencisë Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë (AKPA), Zyrës Vendore Arsimore (ZVA), Shërbimit Social Shtetëror (ShSSH) dhe aktorë të tjerë lokalë, si pjesë e procesit të konsultimit publik për dokumentin strategjik.

Ky plan është hartuar në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030, si dhe në përputhje meKartën Evropiane për Barazinë e Grave dhe Burrave në Jetën Vendore.

Bashkia Elbasan vlerësohet si një ndër bashkitë model në Shqipëri për përfshirjen aktive dhe të strukturuar të parimeve të barazisë gjinore në politikat dhe buxhetimin vendor, një angazhim që lidhet ngushtësisht me standardet e integrimit evropian.

“Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore dhe një standard demokratik, por edhe një parakusht për zhvillim të qëndrueshëm. Ky plan është një reflektim i qartë i përkushtimit tonë për t’i kthyer këto parime në politika konkrete që përmirësojnë jetën e çdo qytetari dhe qytetareje,” theksoi Asim Sula, Nënkryetar i Bashkisë Elbasan dhe kryetar i grupit të punës.

Plani përfaqëson një dokument të rëndësishëm programor, i treti në radhë i hartuar nga Bashkia Elbasan, dhe synon të avancojë më tej, fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje, parandalimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe integrimin gjinor në çdo politikë dhe buxhet vendor.

Dokumenti është hartuar me mbështetjen teknike të UN Women Shqipëri, në kuadër të projektit“Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore II”,i financuar ngaBashkimi Evropian.

Ky dokument strategjik është më shumë se një plan veprimi, ai është një angazhim konkret institucional, që shpreh vullnetin politik dhe administrativ të Bashkisë Elbasan për të garantuar barazi reale mes grave dhe burrave, jo vetëm në ligj, por edhe në praktikë.

Bashkia Elbasan ka dëshmuar ndër vite se barazia gjinore nuk trajtohet si një çështje dytësore, por si pjesë thelbësore e qeverisjes së mirë, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin lokal dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.

Përmes këtij plani, Bashkia synon të thellojë përfshirjen gjinore në të gjitha politikat publike, duke promovuar një mjedis gjithëpërfshirës dhe të sigurt për gratë, vajzat, djemtë dhe burrat, si aktorë të barabartë në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të qëndrueshme për komunitetin.

THIRRJE PËR APLIKIME

Bëhuni pjesë e administratës publike!

Bashkia Elbasan fton profesionistë nga fusha të ndryshme që dëshirojnë të japin kontributin e tyre në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të qytetit tonë.

Në këtë kuadër, mirëpresim aplikime nga individë me përgatitje të ndryshme profesionale, të motivuar për të sjellë ide dhe energji të reja në administratën tonë.

Të interesuarit mund të dërgojnë CV-në dhe një letër interesi në adresën:

profesioniste@elbasani.gov.al

Gjimnazi “Dhaskal Todri” drejt rikonstruksionit të plotë

Një nga gjimnazet më të njohura në qytetin e Elbasanit, “Dhaskal Todri”, pritet t’i nënshtrohet së shpejti një rikonstruksioni të plotë. Lajmi u bë i ditur gjatë një vizite të përbashkët në shkollë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Investimi i ri do të sjellë kushte moderne për 607 nxënës dhe 42 mësues, duke transformuar tërësisht infrastrukturën e institucionit dhe duke garantuar një mjedis të sigurt dhe funksional për të gjithë komunitetin shkollor.

  Shkolla e re në Tregan drejt përfundimit, Manastirliu dhe Llatja: Investim me standarde të larta për fëmijët dhe komunitetin

Punimet për ndërtimin e shkollës së re 9- të vjeçare “Jonuz Carçiu” në Tregan janë drejt përfundimit dhe pritet që në shtator ajo të hapë dyert për mbi 200 nxënës të zonës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, panë nga afër ecurinë e punimeve dhe ndanë mesazhet e tyre për këtë investim të rëndësishëm në infrastrukturën arsimore.

Kryebashkiaku Llatja shprehu një falenderim të madh, sepse sipas tij ” shkolla ‘Jonuz Carçiu’ në Tregan ishte një nga ato kërkesat tona dhe patjetër, pas një sërë investimesh të tjera që kemi pasur në Elbasan në infrastrukturën shkollore, shkolla tashmë është realitet dhe bëhet gati për në shtator të hapim dyert. Të gjithë nxënësit e njësisë administrative Tregan, por edhe një pjesë të njësisë administrative Gjergjan, Bujarasit dhe Kodra e Bujarasit, të cilët e përdorin këtë shkollë, do të kenë kushte shumë të mira. Në shtator vijnë edhe bankat e reja, e gjithë baza logjistike. Ne kemi punuar në vazhdimësi edhe me drejtorinë e shkollës me projekte, pasi presim edhe një laborator shumë të mirë të IT-së. Njerëzit këtu e kanë kërkuar shkollën, edhe nxënësit. Kemi 200 nxënës, kemi 15 fëmijë në kopsht. Është një strukturë e cila në fakt na ka shërbyer edhe për kopshtin e ri edhe për shkollën e re. I kemi bashkuar të dyja bashkë me ndarje të veçanta, ashtu siç kërkon edhe rregullorja e re. “

Ai theksoi se ky model i ri duhet të përhapet edhe në zona të tjera.  “Është një model i ri që ne duam të bëjmë për njësitë tona administrative, edhe për fëmijët tanë, por edhe për t’u kthyer në një qendër komunitare të mirëfilltë për zonën. Unë kam një falenderim edhe për tre projektet të cilat pritet të fillojnë këtë vit. Gjimnazi “Dhaskal Todri” është gjimnazi kryesor i Elbasanit dhe dua ‘’ju falenderoj shumë për të gjithë mbështetjen që na keni dhënë për rikonstruksionin e tij, i cili fillon shumë shpejt. Shkolla “Naim Frashëri” është shkolla qendrore e qytetit të Elbasanit,  është një shkollë e amortizuar që kërkonte ndërhyrje dhe po bëhet realitet.”

Llatja shtoi se investimet nuk janë përqendruar vetëm në qytet. “Ndërkohë, nuk kemi parë vetëm shkollat e qytetit, ashtu siç ka qenë edhe projekti dhe vizioni juaj si ministre që të shohim edhe njësitë administrative, dhe prandaj edhe miratimi juaj për shkollën e njësisë administrative Shushicë, e cila është njësia më e madhe administrative që ne kemi në Bashkinë e Elbasanit, tashmë bëhet realitet me rikonstruksionin e saj. Terrenet sportive i bëmë bashkarisht vitin që kaloi në shkollën e Shushicës dhe ishte një projekt shumë i mirë që e ka shfrytëzuar sot komuniteti, ashtu siç do të shfrytëzojë edhe palestrën e re këtu në ‘Jonuz Carçiu’ në Tregan.”

Nga ana e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se ” jam e kënaqur që shohim sesi investimet që ne kemi bërë vit pas viti tashmë janë duke u finalizuar dhe po hapim kantieret e reja në infrastrukturën arsimore në të gjithë vendin. Jam e kënaqur që këtu në Elbasan, në njësinë administrative Tregan, të kemi një shkollë të re e cila do të mirëpresë rreth 200 fëmijë, duke përfshirë këtu një kompleks arsimor pasi kemi edhe kopshtin për fëmijët dhe gjithashtu edhe shkollën me ambiente tërësisht të reja, sepse është një shkollë e cila është ndërtuar e re me standardet më të mira të shkollave.”

Ministrja theksoi rëndësinë e standardeve bashkëkohore, “gjithashtu është një shkollë e cila do të ketë jo vetëm klasat, laboratorët, por gjithashtu edhe palestrën dhe ambientet sportive dhe të gjithë oborrin e shkollës në funksion të programeve të cilat ne tashmë i kemi në shkollat tona, sikurse është edhe programi ‘Art e Zeje’, sikurse është edhe shkolla qendër komunitare.”

“Jam e kënaqur që ne për Elbasanin kemi investuar në vazhdimësi, ashtu sikurse edhe në të gjitha bashkitë në vendin tonë, pasi për ne investimi në infrastrukturën arsimore është thelbësor për cilësinë në arsim, për krijimin e kushteve edhe më të mira të punës për mësuesit tanë, e gjithashtu për të arritur ato standarde dhe edukim që ne duam. Në Bashkinë e Elbasanit ne vijojmë edhe me tre projekte të tjera të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me bashkinë. Janë tre shkolla të cilat do të kenë mundësi që të rehabilitohen me standardet më të mira, e gjithashtu për t’u shërbyer më shumë se 1.600 nxënësve të Bashkisë Elbasan, të cilët do të kenë kushte dhe standarde bashkëkohore falë këtyre investimeve që ne jemi duke bërë.” Në fund të fjalës së saj, Manastirliu u ndal te bashkëpunimi me mësuesit. “Ndaj unë besoj shumë që, falë bashkëpunimit, dua të falenderoj dhe të shpreh mirënjohjen edhe për durimin që keni treguar, stafit arsimor, drejtorisë së shkollës, mësuesve tanë, të gjithë stafit që vërtet, me shumë sakrifica e përkushtim, ka punuar vit pas viti edhe jo në kushte kaq të mira, por tashmë ndjehemi mirë që bashkë me kryetarin e bashkisë dhe me ekipin Ministrisë dhe të Bashkisë Elbasan kemi arritur që të sjellim një investim vërtet të domethënës për Treganin, një shkollë të re,  sikurse janë të gjitha shkollat e reja, një qendër, një pikë referimi për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.”

Asistencë falas për e-Albania në çdo cep të Bashkisë Elbasan

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, zhvilloi sot një vizitë në sportelet e dedikuara të Bashkisë Elbasan, ku ofrohet asistencë për përdorimin e portalit e-Albania. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, Ministri Mazniku u njoh nga afër me funksionimin e këtyre zyrave dhe bashkëbisedoi me qytetarë dhe stafin.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka një rrjet prej 19 zyrash të shpërndara në të gjithë territorin për të ndihmuar qytetarët me aplikimet online:

“Kemi kohë që ofrojmë në Bashkinë e Elbasanit asistencë për përdorimin e portalit e-Albania. Ky shërbim ofrohet falas, në çdo njësi administrative, me qëllim që qytetarët të mos udhëtojnë deri në qytet. Krahas këtij shërbimi, kemi vënë në funksion edhe sportelet ‘One Stop Shop’, ku ofrohen të gjitha shërbimet e bashkisë në një pikë të vetme. U bëj thirrje qytetarëve të mos përdorin shërbimet me pagesë, pasi ne e ofrojmë këtë ndihmë pa kosto dhe me profesionalizëm.”

Ministri Mazniku vlerësoi modelin e ofruar nga Bashkia Elbasan, duke pohuar se “ portali e-Albania u ka dhënë qytetarëve mundësinë të aksesojnë shërbimet publike online, por për shumë prej tyre, sidomos të moshuarit apo ata që nuk kanë njohuri teknologjike, asistenca është thelbësore. Është shumë e rëndësishme që në çdo njësi administrative të Bashkisë Elbasan ofrohet ndihmë falas nga stafi i bashkisë, pa qenë nevoja të përdorin shërbime private. Ky është një shembull i mirë se si pushteti vendor vjen realisht në ndihmë të qytetarit.”

Ky model i shërbimeve publike dixhitale pa pagesë, i shtrirë në gjithë territorin e bashkisë, synon të rrisë aksesin, barazinë dhe përfshirjen digjitale të qytetarëve të Elbasanit.

NJOFTIM

Të nderuar qytetarë të Bashkisë Elbasan, në ato raste kur hasni vështirësi në përdorimin e portalit qeveritar e-Albania, ju lutem drejtohuni pranë zyrave të njësive administrative, apo në zyrën e informacionit, pranë bashkisë ku do të gjeni të gjithë asistencën e duhur.
Çdo punonjës në këto zyra do t’ju ofrojë ndihmë për çdo shërbim që ju nevojitet.

Ju nuk keni nevojë të paguani në asnjë zyrë private, kur këto shërbime Bashkia Elbasan i ofron falas. Çdo ditë nga e hëna në të premte, prej orës 08:00-16:00 në këto zyra do të keni asistencën e nevojshme për përdorimin e portalit.

Portali qeveritar e-albania është i ndërlidhur me 60 sisteme ku ju mund të keni akses 24h/7 pa pasur nevojë të trokisni në asnjë zyrë, pa kohë të humbur dhe pa kosto.

Aktualisht në portalin e-Albania ofrohen më shumë se 1200 shërbime publike online, nga të cilat disa dhjetëra dokumente me vulë elektronike.

Festa e Miqësisë sjell atmosferë festive në Elbasan

Nga data 11 deri më 13 korrik, Sheshi “Gensher” në Elbasan ka qenë epiqendra e “Festës së Miqësisë”, një ngjarje tashmë tradicionale që këtë vit feston 10-vjetorin e saj.

Në bashkëpunim me Birra Elbar, kjo festë ka sjellë për qytetarët dhe vizitorët tre netë me muzikë live, performanca artistësh të njohur dhe një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka qenë i pranishëm në aktivitet, duke përshëndetur qytetarët dhe duke theksuar rëndësinë që kanë eventet kulturore dhe festive në jetën e komunitetit. “Festa e Miqësisë është tashmë një ngjarje e përvitshme që i jep Elbasanit një tjetër ritëm gjatë verës dhe forcon lidhjen mes qytetarëve,” u shpreh z. Llatja.

Artistë si Lorenc Hasrama, Mateus Frroku, West Side Family, Eranda Libohova, Rea Nuhu, Aroilda, 3 Musketjerët dhe Renis Gjoka kanë dhuruar performanca të paharrueshme për publikun.

Elbasani ishte qyteti i parë ku nisi ky edicion jubilar, duke konfirmuar edhe një herë se qyteti është një qendër e rëndësishme e aktiviteteve kulturore dhe festive në nivel kombëtar.

Bashkia Elbasan falënderon qytetarët për pjesëmarrjen dhe mirëkuptimin, si dhe partnerët që bëjnë të mundur organizimin e ngjarjeve të tilla në qytetin tonë.