Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Gusht 2025

Elbasani më pranë Auto Moto Park-ut, vijon puna në terren

Pas finalizimit të projektit të zbatimit, kanë nisur punimet e para për nivelimin e sheshit të Auto Moto Park Elbasan.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, pa nga afër vijimin e punimeve për ndërtimin e Auto Moto Park, një projekt madhor që pritet të transformojë infrastrukturën automobilistike në vend dhe të sjellë një zhvillim të rëndësishëm ekonomik për qytetin.

Kjo qendër e re do të ofrojë mbi 245.000 shërbime në vit, duke iu shërbyer 105.000 drejtuesve të mjeteve dhe 70.000 mjeteve aktive në 6 bashkitë e qarkut Elbasan.

Me këtë projekt, çdo shërbim do të jetë më cilësor, më i shpejtë dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane.

Bashkia Elbasan dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po ecin me ritme të shpejta me infrastrukturën përreth, gjithashtu në funksion të Auto Moto Park.

Shumë shpejt pritet të nisë rruga “Gjergj Arianiti”, një aks i rëndësishëm që lidh lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin, Korridorin VIII dhe urën e Byshekut, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun. Me trotuare, ndriçim, korsi biçikletash dhe një pamje magjepsëse përgjatë Shkumbinit do të shndërrohet në një shëtitore fantastike për të gjithë qytetarët.

Investimi strategjik i Auto Moto Parkut do të sjellë: cirkuitin e parë shqiptar sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK; Muzeun Retro dhe DRSHTRR Elbasan; Kontrollin fizik dhe teknik të mjeteve; Infrastrukturë moderne për shërbime më të shpejta dhe më cilësore dhe një projekt që transformon infrastrukturën automobilistike të Shqipërisë.

ASHP vijon punën për pastrimin e kanaleve kulluese dhe mirëmbajtjen e qytetit

Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike janë çdo ditë në terren, si në zonat rurale ashtu edhe në qytet, duke vijuar me aksione konkrete për të përmirësuar jetën e komunitetit.

Në zonat bujqësore, po kryhet pastrimi i kanaleve kulluese, një ndërhyrje e domosdoshme për vaditjen e tokave. Kjo punë është thelbësore për fermerët, pasi garanton furnizimin me ujë dhe rrit cilësinë e prodhimeve bujqësore, veçanërisht në këtë sezon kur kulturat bujqësore janë drejt pjekjes.
Ndërkohë, në qytet, ekipet e ASHP-së vijojnë punën për mirëmbajtjen e hapësirave publike, lulishtet dhe parqet, duke vaditur dhe krasitur ambjentet e gjelbëruara. Këto ndërhyrje synojnë të ofrojnë një mjedis të pastër dhe të gjelbëruar për banorët dhe vizitorët e Elbasanit.

Me këto aksione të përditshme, Bashkia Elbasan dhe ASHP tregojnë kujdes për qytetin dhe zonat rurale, si një proces i i cili ndikon në cilësinë e jetës së komunitetit.

“Stina Koncertore” sjell magjinë e muzikës në Elbasan

Mbrëmjen e 28 gushtit, ora 20.00, tek Porta e Kalasë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë një koncert vokal–instrumental të Orkestrës së Harqeve Elbasan, pjesë e ciklit kulturor “Stina Koncertore”.

Ky aktivitet vjen në kuadër të programit të pasur të muajit gusht, ku nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, netët kulturore dhe artistike nuk kanë munguar, duke gjallëruar jetën e qytetit dhe duke e kthyer Elbasanin në një destinacion të rëndësishëm për artin dhe turizmin.

Në këtë koncert do të ngjiten në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre tenori i shquar, “Mjeshtër i Madh” Kastriot Tusha, sopranoja Erinda Agolli, si dhe artistët Matilda Bajrami (flaut), Agim Mustafaj (klarinetë), Bashkim Kupi (violinçel) dhe Franceska Kasa (këngëtare). Orkestra do të drejtohet nga dirigjentët Blerim Narazani dhe Antonio Pine.

Mbrëmja do të ofrojë një program muzikor të pasur dhe emocionues, që do t’i kënaqë të gjithë adhuruesit e muzikës. Hyrja është e lirë, me ftesa.

Bashkia Elbasan shpall administratorët e rinj të njësive administrative

Pas shpalljes së vakancave dhe rivlerësimit në njësitë administrative dhe ato të Bashkisë Elbasan, u zhvilluan testime dhe konsultime të vazhdueshme për përzgjedhjen e administratorëve të rinj. Është vënë re një interes i madh, sidomos nga të rinjtë, për t’u bërë pjesë e këtij procesi, i cili u zhvillua me korrektësi dhe transparencë, ku të gjithë aplikantët u testuan me shkrim, si dhe në aftësitë e tyre komunikuese dhe punën në ekip.

Në përfundim të procesit u shpallën administratorët e 17 njësive administrative dhe të rajoneve të qytetit (me përjashtim të Rajonit nr. 4, ku ende nuk ka rezultuar fitues). Lista e administratorëve të rinj apo të rizgjedhur është si më poshtë:

Rajoni nr. 1: Andromeda Poloska

Rajoni nr. 2: Eltjona Kolla

Rajoni nr. 3: Fatjon Hasalla

Njësia nr. 5: Agron Lulaj

Njësia nr. 6: Luan Rama

Funar: Fisnik Bozha

Gracen: Detin Haka

Bradashesh: Edmond Muça

Gjergjan: Alfred Mukja

Shirgjan: Ibrahim Roçi

Tregan: Mërkur Kaçi

Shushicë: Sokol Sinani

Labinot Fushë: Islam Kaculi

Papër: Arjan Vrapi

Gjinar: Emanuel Hida

Zavalinë: Ervis Dedja

Labinot Mal: Ylber Kuçi

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, gjatë takimit me administratorët theksoi rëndësinë e rolit të tyre si përfaqësues të drejtpërdrejtë të komunitetit, duke u bërë “18 sy e veshë më shumë” pranë çdo zone. Ai kërkoi që zyrat e njësive të jenë gjithmonë të hapura dhe në shërbim të qytetarëve, si dhe të ndihmojnë komunitetin për aksesin në portalin qeveritar e-Albania dhe fermerët për përfitimin nga fondet e AZHBR.

Elbasani në nismën “Male të Pastra”, qytetarët e të rinjtë bashkohen për një mjedis më të shëndetshëm

Bashkia Elbasan iu bashkua sot nismës kombëtare “Male të Pastra”, me një aksion pastrimi në tre nga zonat më të dashura të qytetit: Gjinarin, Krastën dhe Funarin.

Në këtë nismë, përveç strukturave të bashkisë, morën pjesë dhjetëra vullnetarë, kryesisht të rinj, si dhe deputetët Aulona Bylykbashi dhe Adi Qosja.

Kryebashkiaku Gledian Llatja, i pranishëm në aksion, e cilësoi këtë ditë si një shembull të përbashkët përkujdesjeje ndaj natyrës.

Ai tha se Krasta, “mushkëria e qytetit”, ashtu si edhe zonat e tjera malore, duhet të mbeten të pastra dhe të mbrojtura. “Është një ditë e veçantë ku përveç strukturave të bashkisë, na janë bashkuar edhe shumë qytetarë e të rinj që e duan pyllin dhe gjelbërimin. Bashkë po japim një mesazh të qartë për një ambient më të shëndetshëm e më të pastër.”

Llatja dha edhe një apel sensibilizues për qytetarët, “duhet ta mbajmë të pastër natyrën dhe zonat pyjore. Të kemi kujdes sidomos kur bëjmë zgara, të mos i rrezikojmë me zjarre dhe të mos i ndotim me papastërti. Vetëm kështu do të kemi një qytet më të gjelbër për brezat që vijnë.”

Ky angazhim i përbashkët i institucioneve, deputetëve, të rinjve dhe qytetarëve tregon se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm detyrë, por përgjegjësi qytetare.

Biblioteka e Elbasanit rikthen në vëmëndje trashëgiminë e Leksi Vinit

Në sallën e Bibliotekës Publike, Klubi i Leximit zhvilloi takimin e radhës nën moton “Pasditja e autorëve elbasanas”. Kësaj here, u soll në vëmendje jeta dhe krijimtaria e Leksit të Vinit, një figurë e njohur dhe e dashur e qytetit, i cili ka lënë një trashëgimi të vyer me shënimet e tij mbi jetën, traditat dhe zakonet e Elbasanit.
Falë punës së studiuesve Kreshnik Belegu, Ortenca Dakli dhe Fatmir Musai, këto materiale janë përmbledhur në vëllimin “Traditat zakonore të Elbasanit”, një libër i cili hedh dritë mbi kulturën dhe historinë lokale.
Takimi, i moderuar nga Beneta Dhima, u pasurua me mendimet e shkrimtarit dhe studiuesit Fatmir Musai, ndërsa pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrat se si trashëgimia kulturore e Elbasanit mund të ruhet dhe promovohet më tej.
Kush ishte Leksi i Vinit?
Leksi i Vinit (1903–1974), emri i artit për Aleksandër Kostandin Josifin, ishte mbledhës i folklorit, kompozues dhe këngëtar i njohur i ahengut qytetar elbasanas. Ai grumbulloi qindra këngë popullore, përralla dhe zakone të vjetra të qytetit, duke u bërë një ndër figurat që kanë ndihmuar në themelimin e këngës qytetare elbasanase. Shënimet e tij, të mbledhura me pasion e këmbëngulje, përbëjnë sot një pasuri të vyer për historinë dhe identitetin kulturor të Elbasanit.
Ky aktivitet ishte pjesë e kalendarit të rregullt të Bibliotekës Publike Elbasan, e cila vijon të sjellë në qendër të vëmendjes figurat dhe autorët që kanë kontribuar në identitetin kulturor të qytetit.

Pasditet e gjalla të gushtit në Elbasan

Elbasani po jeton një gusht plot gjallëri, ku fundjava u kushtua argëtimit dhe aktiviteteve për fëmijët. Parku “Rinia” u mbush me zëra e buzëqeshje të vogëlushëve, të cilët shijuan Kinemanë Verore , lojërat, biçikletat dhe patinat, duke sjellë një atmosferë të gëzueshme familjare në qytet.
Këto aktivitete janë pjesë e programit “Gushti, muaji i aktiviteteve”, i ideuar nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, për t’i dhënë qytetit një frymëmarrje ndryshe gjatë verës. Çdo javë, qytetarët dhe vizitorët e Elbasanit kanë mundësi të marrin pjesë në ngjarje të ndryshme festive dhe edukative: lexime librash, shfaqje kinemaje, takime me personalitete të artit dhe kulturës, si dhe ekspozitën fotografike “100 vjet Elbasan”.

Vlen të theksohet se, përveç komunitetit vendas, këtë muaj të nxehtë veror Elbasani ka pritur edhe shumë turistë, të cilët i janë bashkuar atmosferës së gjallë të aktiviteteve dhe kanë vizituar qytetin, duke u njohur më nga afër me historinë dhe kulturën e tij.

Ky program kulturor e artistik synon të krijojë hapësira argëtimi dhe edukimi për fëmijët, si dhe të promovojë Elbasanin si një qytet me tradita dhe jetë të gjallë kulturore.

Elbasani i rrapeve 700 vjeçare

 Elbasani nuk është vetëm një qytet me histori shekullore, por edhe një vend ku natyra dhe kultura bashkëjetojnë në mënyrë magjike. Zonat e veçanta si Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Burimi i Bankës, Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës, Ulliri i Qejfit, Parku Rinia, Rrapet e Busheku, Rrapi i Bezistanit, Selvia e Seltës e Kodra e Krastës nuk janë thjesht monumente natyrore, ato janë dëshmi të historisë dhe traditës, që ftojnë çdo vizitor të ndalojë, të shohë dhe të prekë të shkuarën.

Jo shumë larg qendrës së qytetit ndodhet Rrapi i Mansit, emri i tij lidhet me itinerarin e rrugës Egnatia (shekulli II-IV), që kalonte në luginën midis Teqes së Madhe dhe Krastës. Historikisht, kjo zonë ka shërbyer si vend çlodhjeje dhe festimesh, veçanërisht gjatë Ditës së Verës.  Sot, rrapi ka humbur pak nga madhësia origjinale, por mendohet të jetë mbi 605 vjeç.

Rrapi i Bezistanit, pranë Portës së Kalasë, është një tjetër atraksion që nuk mund të humbasë asnjë vizitor. Ai lidhet me tregun e mbyllur të shekullit XVII, Bezistanin,  një bërthamë tregëtare dhe kulturore e qytetit. Përmasat e tij tregojnë se rrapi ka mbi 500 vjet jetë, dhe çdo turist që ndalet aty e kap pamjen e tij me aparatin fotografik, duke krijuar kujtime të paharrueshme. Për të rritur interesin dhe për të informuar vizitorët, Bashkia e Elbasanit organizon guida turistike të rregullta, që përshkruajnë historinë dhe legjendat e këtij monumenti natyror.

Ndërkohë, pranë Rrapit të Bezistanit ndodhet edhe Bazilika e Elbasanit, një tjetër pikë historike që shton interesin e turistëve. Kombinimi i monumentit natyror me atë historik e bën përvojën më të paharrueshme.

Në një ditë të qetë vere,  Ajsel, një turiste nga Gjermania, që ndodhej në vizitë në Elbasan, pohon se, “kur e pashë rrapin dhe bazilikën njëkohësisht, ndjeva sikur isha zhytur në histori,” thotë ajo duke ndarë emocionin e momentit. Aparati fotografik nuk ndalonte, ndërsa ajo përpiqej të kapte çdo detaj të rrënjëve të thella dhe mureve të vjetra të bazilikës.

Rrapi i Vojvodës, në dalje të qytetit, është një tjetër monument natyror me histori të pasur, që ka shërbyer si pikë referimi dhe vend takimi për karvanet dhe vizitorët që hynin dhe dilnin nga qyteti. Përmasat e tij tregojnë se ka një moshë rreth 700 vjeçare, duke e bërë atë një dëshmi të gjallë të historisë së Elbasanit.

Vizita tek rrapet e Elbasanit nuk është thjesht një shëtitje mes gjelbërimit; është një udhëtim në kohë. Çdo degë, çdo rrënjë, çdo hijeshuri e rrapit flet për shekuj të tërë histori, tregime dhe ngjarje që kanë formësuar qytetin. Rrapi i Bezistanit, me praninë e tij në qendër të qytetit, guidat turistike dhe bazilikën përballë, është pika ku rrëfimi i së shkuarës takon përjetimin e së tashmes, duke lënë një kujtim  në syrin dhe zemrën e çdo vizitori.