Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 7 Gusht 2025

Nga rrugët e lashta të Kalasë te pyjet e Gjinarit, bujtinat sjellin jetë të re në Elbasan

Në kohën kur Shqipëria po njeh një bum turistësh, Elbasani po i përgjigjet sfidës, duke rikthyer në përdorim thesaret e tij historike dhe natyrore, dhe duke i shndërruar ato në përvoja të paharrueshme për çdo vizitor. Brenda mureve të Kalasë së Elbasanit, në Gjinarin piktoresk dhe në Funarin e gjelbër, po marrin jetë bujtina të vogla familjare, që mishërojnë një turizëm të qëndrueshëm, të ngrohtë e autentik.

Shembull është “Vila Zoi”, një bujtinë e vendosur në zemër të kalasë, aty ku rrugët e gurta të Via Egnatia-s shpalosin rrëfime mijëravjeçare. E hapur një vit më parë, falë bonusit të rijetëzimit nga Ministria e Kulturës, kjo iniciativë familjare është sot një ndalesë e preferuar për turistë nga e gjithë bota, nga Europa në Zelandën e Re, nga Afrika e Jugut në Australinë e largët.

Qëndrimi në “Vila Zoi” nuk është thjesht një fjetje, por një përjetim, aty shpaloset panorama e kalasë, ndërsa aroma e kafesë në mëngjes përzihet me historitë që mbart çdo gur i kësaj zone.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerëson bujtinat si një formë të qëndrueshme zhvillimi turistik dhe u bën thirrje familjeve e sipërmarrësve të ndjekin këtë model suksesi. “Ne duam që vizitorët të mos e shohin Elbasanin vetëm si qytet transit, por ta përjetojnë atë, të qëndrojnë, të shijojnë historinë, natyrën, ushqimin dhe mikpritjen tonë,” thekson ai.

Me mbështetjen e qeverisë dhe nismat e bashkisë, bujtinat në Kala, në Gjinar dhe në Funar po i japin një pamje të re turizmit në Elbasan, duke i kthyer këto zona në destinacione të vizitueshme në çdo stinë të vitit.

Ndarja në burim ka filluar në Elbasan!

 Bashkia e Elbasanit ka nisur një nismë të re për ndarjen e mbeturinave në burim, duke vendosur koshat e rinj për riciklim në disa pika strategjike të qytetit. Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të promovojë riciklimin si pjesë të një kulture të re për mbrojtjen e mjedisit.

Punonjësit e bashkisë kanë filluar punën për vendosjen e kontenierëve, duke shtrirë këtë iniciativë edhe në zona të tjera të qytetit. Kjo nismë është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për ta bërë Elbasanin një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Ndarja e mbetjeve në burim nuk është vetëm një veprim teknik, por një akt qytetar i respektit për natyrën dhe për brezat që do të vijnë. Ky është një angazhim për një qytet më të shëndetshëm dhe një mjedis më të pasur për të gjithë banorët e tij.