Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Gusht 2025

Përditësim mbi masat për parandalimin e zjarreve

Bashkia e Elbasanit përmes grupeve të punës, të ngritura për menaxhimin dhe parandalimin e zjarreve të mundshme, ka informuar qytetarët mbi rreziqet që mund të sjellë çdo pakujdesi.

Që prej fillimit të stinës së nxehtë jemi përpjekur të informojmë qytetarët në çdo cep të bashkisë Elbasan mbi pasojat që mund të sjellë zjarri, por edhe për masat ndëshkuese ndaj zjarrvënësve.

Përmes Policisë Bashkiake janë intensifikuar kontrollet në territorin e qytetit dhe zonave përreth, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.

Gjatë verifikimeve në terren janë evidentuar raste të tilla, për të cilat janë marrë masat administrative ligjore të parashikuara. Njëkohësisht, qytetarët janë informuar se përsëritja e veprimeve do të sjellë pasoja më të rënda, përfshirë edhe procedime penale, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.

Bashkia e Elbasanit apelon për përgjegjshmëri të lartë qytetare. Çdo veprim i pakujdesshëm ose i qëllimshëm që rrezikon jetën, pronën dhe mjedisin, do të përballet me reagimin e menjëhershëm të strukturave përkatëse.

Aksion pastrimi në institucionet arsimore, bashkia nis përgatitjet për vitin e ri shkollor.       

Tre javë para nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia Elbasan ka nisur një aksion të gjerë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e të gjitha çerdheve, kopshteve dhe shkollave të qytetit.

Ky aksion synon që fëmijët të rikthehen në ambiente të rregulluara, të sigurta dhe higjienike, duke krijuar kushtet e duhura  për një nisje sa më të mbarë të vitit shkollor. Përveç pastrimit, po punohet edhe për lyerjen dhe  riparimin e klasave, si edhe mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Punonjësit e Agjenisisë së Shërbimeve Publike ( ASHP)  janë shpërndarë në çdo  institucion arsimor të qytetit për të siguruar që e gjithë infrastruktura të jetë  gati për të mirëpritur fëmijët.

Fillimi i vitit të ri shkollor  do t’i gjejë nxënësit mësuesit  dhe edukatorët në një  mjedis të sigurt, të pastër dhe të përgatitur për një rrugëtim të suksesshëm shkollor.

Kujtohet në Muzeun Etnografik Mustafa Bodini, korifeu i këngës qytetare elbasanase

Në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit u zhvillua një aktivitet përkujtimor kushtuar figurës së shquar të kulturës qytetare elbasanase, Mustafa Bodini (1900 – 1970).

Me shumë emocion e pathos, u soll në vëmendje jeta dhe krijimtaria e artistit që la gjurmë të pashlyeshme në këngën popullore qytetare, por edhe në artin skenik shqiptar.

Të pranishëm ishin shkrimtarë, artistë dhe dashamirës të kulturës, ndër ta edhe një nga autorët e librit për Mustafa Bodinin, studiuesi Eduart Hoxholli, i cili ndau kujtime e fakte mbi jetën dhe muzikën e tij që vijon të mbetet gjallë edhe sot.

Mustafa Bodini është një nga emrat që i dha identitet këngës qytetare elbasanase. Në më shumë se 60 vite krijimtarie, ai la pas rreth 70 këngë dhe 7 drama, duke i kënduar së mirës, së bukurës dhe së sinqertës. Përveç muzikës, Bodini spikati edhe si aktor, duke luajtur role në Itali dhe duke u cilësuar si një talent i hershëm i kinematografisë shqiptare.

Edhe pse jeta e tij pati vështirësi të mëdha dhe emri u la në heshtje për dekada pas vdekjes së tij më 1970, vepra e Bodinit sot mbetet themel i këngës qytetare elbasanase dhe pasuri e kulturës shqiptare.

Ky aktivitet i bashkohet larmisë artistike dhe kulturore që Bashkia e Elbasanit ka nisur që në fillim të muajit gusht, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja.

Punët Publike në terren: Pastrohen rrugë, kanale dhe hapësira publike në gjithë bashkinë

Ekipet e Punëve Publike të Bashkisë Elbasan janë çdo ditë në terren, duke ndërhyrë jo vetëm në qendrën e qytetit dhe lulishtet kryesore, por edhe në zonat rurale. Aksionet e pastrimit dhe mirëmbajtjes po shtrihen në rrugët rurale, kanalet vaditëse dhe hapësirat publike, për të siguruar një mjedis të pastër dhe funksional për çdo banor.

Prioritet mbeten kanalet vaditëse, të cilat janë thelbësore për bujqësinë dhe mirëmbajtjen e tokës, ndërsa njëkohësisht po pastrohen edhe rrugët nga dheu dhe mbeturinat, si dhe po kryhet kositja e barërave. Ky proces jo vetëm përmirëson pamjen e zonave, por edhe shmang probleme të mundshme infrastrukturore dhe mjedisore.

Bashkia Elbasan u bën apel banorëve që të kontribuojnë për të ruajtur pastërtinë dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, në mënyrë që bashkë të mbajnë të pastër dhe të gjallë çdo cep të bashkisë.

Asfaltohet rruga në Fushë-Buall, një tjetër premtim i mbajtur për 1200 banorët

Në fshatin Fushë-Buall, njësia administrative Shushicë, ka përfunduar asfaltimi i 1 kilometër rrugë, duke shënuar një tjetër premtim të mbajtur për 1200 banorët e zonës. Tashmë mbeten më pak se 600 metra për të përfunduar të gjithë aksin, duke i dhënë këtij fshati infrastrukturë dhe lëvizshmëri pa pengesa.

Ky investim i shumëkërkuar nga banorët lehtëson ndjeshëm udhëtimin e nxënësve, studentëve, fermerëve drejt qytetit të Elbasanit dhe njësisë Shushicë. Rruga e re shkurton kohën e udhëtimit, rrit sigurinë dhe u krijon mundësi fermerëve të çojnë më shpejt prodhimet drejt tregut. Njëkohësisht, zona merr vlerë të shtuar turistike, pasi në të kalojnë gjurmë të Via Egnatia-s.

Investime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetesës së banorëve, ndërsa Bashkia Elbasan mbështet çdo kërkesë të komunitetit në funksion të zhvillimit të zonave rurale.

Qeveria hap skemë të re investimesh për fermerët e Elbasanit

 Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR-së, Ardita Kuçi, zhvilluan sot një takim me fermerët e Elbasanit për prezantimin e një skeme të re mbështetëse. Programi ofron:

50% grant për investime në bujqësi dhe agroturizëm

Kredi të buta me interes vetëm 2%

Garanci sovrane deri në 70% të vlerës së kolateralit

Skema synon të nxisë zhvillimin e sektorit bujqësor, duke mbuluar projekte nga ndërtimi i serrave, mbjelljet e reja, sistemet moderne të ujitjes, deri tek investimet në agroturizëm.

Nga agroturizmi te ndërtimi i serrave, mbjelljet e reja e sistemet moderne të ujitjes, kjo është një mundësi reale për të rritur prodhimin dhe fitimin për të gjithë fermerët, duke aplikuar pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) deri më 30 shtator 2025.

Kjo nismë është pjesë e vizionit Shqipëria2030, që synon rritjen e prodhimit dhe fitimit në sektorin bujqësor.

Bashkia Elbasan apel për kujdes, tre ditët e ardhshme me rrezik të lartë për zjarre

Si pasojë e rritjes së temperaturave që pritet të vijojë gjatë tre ditëve të ardhshme, Bashkia Elbasan njofton se niveli i rrezikut për zjarre do të jetë në shkallën maksimale (niveli 5).

Të gjitha strukturat e emergjencës janë në gatishmëri të plotë për të mbrojtur banesat, pyjet dhe jetën e qytetarëve.

Bashkia apelon që banorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë këto udhëzime:

Shmangni ndezjen e zjarreve në natyrë.

Mos digjni mbetje rurale apo materiale të rrezikshme.

Raportoni menjëherë çdo vatër të dyshuar.

Numrat e emergjencës: 112 Emergjencat, 127  Urgjenca Mjekësore, 128  Zjarrfikësja, 129  Policia e Shtetit.

“Ky apel vjen për të mbrojtur mjedisin, pronën dhe jetën e qytetarëve. Çdo kujdes i treguar nga secili prej nesh është vendimtar”.