Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Gusht 2025

Elbasani, një shekull histori në celuloid

Qyteti i Elbasanit ka hapur dyert e historisë së tij me një ekspozitë unike që shënon 100 vite ndryshimesh, zhvillimi dhe kujtimesh. Në muret e Kalasë janë vendosur fotografi dhe imazhe që tregojnë çdo dekadë të jetës së qytetit, duke e sjellë atë në një retrospektivë të gjallë dhe emocionuese.

Ekspozita, e cila ka tërhequr artdashës dhe turistë nga brenda e jashtë vendit, u hap me mesazhin e kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e njohjes së rrënjëve tona, të kaluarës dhe të tashmes, për të vlerësuar dhe ndërtuar të ardhmen.

Ky aktivitet është pjesë e një kalendari të pasur ngjarjesh kulturore që Bashkia e Elbasanit, në bashkëpunim me institucionet e saj, ka zhvilluar gjatë gjithë muajit gusht. Përveçse ka ngjallur interesin e qytetarëve elbasanas, ai ka tërhequr edhe vizitorë të shumtë që e kanë zbuluar qytetin në këtë verë të nxehtë.

Nga rrugët e lashta të Kalasë te pyjet e Gjinarit, bujtinat sjellin jetë të re në Elbasan

Në kohën kur Shqipëria po njeh një bum turistësh, Elbasani po i përgjigjet sfidës, duke rikthyer në përdorim thesaret e tij historike dhe natyrore, dhe duke i shndërruar ato në përvoja të paharrueshme për çdo vizitor. Brenda mureve të Kalasë së Elbasanit, në Gjinarin piktoresk dhe në Funarin e gjelbër, po marrin jetë bujtina të vogla familjare, që mishërojnë një turizëm të qëndrueshëm, të ngrohtë e autentik.

Shembull është “Vila Zoi”, një bujtinë e vendosur në zemër të kalasë, aty ku rrugët e gurta të Via Egnatia-s shpalosin rrëfime mijëravjeçare. E hapur një vit më parë, falë bonusit të rijetëzimit nga Ministria e Kulturës, kjo iniciativë familjare është sot një ndalesë e preferuar për turistë nga e gjithë bota, nga Europa në Zelandën e Re, nga Afrika e Jugut në Australinë e largët.

Qëndrimi në “Vila Zoi” nuk është thjesht një fjetje, por një përjetim, aty shpaloset panorama e kalasë, ndërsa aroma e kafesë në mëngjes përzihet me historitë që mbart çdo gur i kësaj zone.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerëson bujtinat si një formë të qëndrueshme zhvillimi turistik dhe u bën thirrje familjeve e sipërmarrësve të ndjekin këtë model suksesi. “Ne duam që vizitorët të mos e shohin Elbasanin vetëm si qytet transit, por ta përjetojnë atë, të qëndrojnë, të shijojnë historinë, natyrën, ushqimin dhe mikpritjen tonë,” thekson ai.

Me mbështetjen e qeverisë dhe nismat e bashkisë, bujtinat në Kala, në Gjinar dhe në Funar po i japin një pamje të re turizmit në Elbasan, duke i kthyer këto zona në destinacione të vizitueshme në çdo stinë të vitit.

Ndarja në burim ka filluar në Elbasan!

 Bashkia e Elbasanit ka nisur një nismë të re për ndarjen e mbeturinave në burim, duke vendosur koshat e rinj për riciklim në disa pika strategjike të qytetit. Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të promovojë riciklimin si pjesë të një kulture të re për mbrojtjen e mjedisit.

Punonjësit e bashkisë kanë filluar punën për vendosjen e kontenierëve, duke shtrirë këtë iniciativë edhe në zona të tjera të qytetit. Kjo nismë është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për ta bërë Elbasanin një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Ndarja e mbetjeve në burim nuk është vetëm një veprim teknik, por një akt qytetar i respektit për natyrën dhe për brezat që do të vijnë. Ky është një angazhim për një qytet më të shëndetshëm dhe një mjedis më të pasur për të gjithë banorët e tij.

Elbasani në ritmin e verës, sheshi shpërthen në argëtim

Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, sheshi kryesor i qytetit u shndërrua mbrëmë në një festë të traditës shqiptare, teksa Ansambli Popullor ndezi atmosferën me tingujt dhe vallet më të bukura nga të gjitha trevat.

Qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën në shesh për të shijuar më shumë se dy orë këngë, valle dhe emocion, në një mbrëmje që solli gjallëri, dhe energji pozitive në zemër të Elbasanit.

Spektakli i kulturës sonë kombëtare çeli zyrtarisht kalendarin e pasur të aktiviteteve verore që do të vijojnë gjatë gjithë muajit gusht, duke e kthyer Elbasanin në një destinacion tërheqës për artdashësit, turistët dhe çdo qytetar që kërkon argëtim dhe promovim të identitetit tonë kulturor.

Parkim me një klik: Bashkia lançon aplikacionin “Elba Parking”

Policia Bashkiake e Elbasanit ka nisur një fushatë informuese në terren për promovimin e “Elba Parking”, aplikacionit të ri të Bashkisë që synon ta kthejë parkimin në një proces modern dhe miqësor për përdoruesit.
Përmes aplikacionit, çdo drejtues mjeti mund të regjistrohet lehtësisht, të përfitojë 10 orë parkim falas, të paguajë online dhe të menaxhojë në kohë reale qëndrimin e makinës pa riskuar penalitete.

Kjo nismë është pjesë e vizionit të Bashkisë Elbasan për dixhitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e standardeve të parkimit në qytet, duke lehtësuar lëvizjen dhe kursyer kohën e qytetarëve.