Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2025

Certifikohen 100 gra dhe vajza në Elbasan, një model i ri për punësim dhe kujdes social

Në Elbasan u zhvillua ceremonia e mbylljes së projektit 6-mujor të Shoqatës “Tjetër Vizion”, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, CIES Onlus, AKPA dhe me mbështetjen e PNUD Albania, ku u certifikuan gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në programe aftësimi profesional.

Në takimin përmbyllës të projektit “Menaxhimi i Integruar i Rasteve për punëkërkuesit në nevojë” mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili theksoi se projekti është pjesë e një vizioni më të gjerë të bashkisë për fuqizimin e grave dhe vajzave në nevojë. “Ky është një projekt ku në fund të gjithë jemi fitimtarë, përfituese janë gratë kryefamiljare, viktimat e dhunës dhe ato që kanë qenë në ndihmë ekonomike, të cilat tashmë janë të afta të kontribuojnë në ekonominë e qytetit. Përveç kësaj, Bashkia Elbasan ka hartuar edhe një program të posaçëm për asistencën e të moshuarve të vetmuar, si edhe për institucionet rezidenciale ( Azil) ku kërkohet punësim dhe shërbim i specializuar. Ky është një model që jo vetëm ofron mbështetje sociale, por krijon edhe mundësi reale punësimi për qytetarët tanë”, u shpreh Llatja.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “Tjetër Vizion”, Arjan Cala, nënvizoi se projekti shënon fundin e një rrugëtimi trajnimi dhe fillimin e një etape të re, punësimin dhe integrimin në jetën e përditshme. Ai falënderoi Bashkinë Elbasan për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me institucionet vendore dhe qendrore për realizimin e objektivave sociale.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e PNUD Albania, znj. Edlira Papavangjeli, vlerësoi modelin e Bashkisë Elbasan, duke e cilësuar si një qasje inovative që kombinon kujdesin social me punësimin e qëndrueshëm. “Ky është një nga rastet e rralla ku një bashki ka treguar qasje proaktive, duke vendosur në qendër jo vetëm punësimin, por edhe asistencën për të moshuarit e vetmuar. Ky model është shembull i shkëlqyer dhe duhet të transferohet edhe në bashkitë e tjera të vendit”, u shpreh Papavangjeli.

Në aktivitet u prezantuan edhe histori suksesi nga gratë pjesëmarrëse në kurs. Zamira Nergjoni, 33 vjeçe, falë kursit të rrobaqepësisë ka siguruar punësim të qëndrueshëm, ndërsa Kristiana, 25 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe e mbijetuar nga dhuna në familje, synon të hapë një biznes të saj. Një grup tjetër grash të dala nga dhuna familjare u pajisën me certifikata, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun e punës.

Ky projekt synon fuqizimin ekonomik të 100 grave dhe vajzave në nevojë, duke i nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike dhe duke i aftësuar për punësim të qëndrueshëm.

Shkolla e rikonstruktuar “Fadil Gurmani” mirëpret nxënësit në ditën e parë të vitit shkollor

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan u rikthyen në banka në një ambient tërësisht të rikonstruktuar. Për t’i uruar fëmijët dhe stafin pedagogjik ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si dhe drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku.

“Ky është një urim i veçantë për fëmijët që sot nisin rrugëtimin e dijes, në një shkollë tërësisht të rikonstruktuar. Një falënderim i posaçëm edhe për mësuesit që çdo ditë japin kontributin e tyre për formimin e brezit të ri”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Ndërsa Arbjan Mazniku theksoi rolin e shkollës dhe mësuesve në të ardhmen e vendit. “Kur ne shkonim në shkollë, mësuesit ishin përgjegjës për të ardhmen e Shqipërisë. Sot, mësuesit dhe fëmijët janë pjesë e ndërtimit të së ardhmes europiane. Ju uroj suksese të gjithëve.”

Nga ana e saj, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, bëri të ditur se shkolla “Fadil Gurmani” do të bëhet pjesë e nismës “Shkollë Qendër Komunitare”, ku ambientet do të shfrytëzohen jo vetëm gjatë orëve mësimore, por edhe pasditeve, së bashku me prindërit dhe familjarët.

Në total, në bankat e shkollave të Bashkisë Elbasan këtë vit do të ulen rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 1,200 fëmijë do të nisin për herë të parë klasën e parë.