Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2025

Keshilli Bashkiak miraton fond ndihme për Gramshin pas zjarreve të gushtit

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me unanimitet akordimin e një fondi prej 3 milionë lekësh të rinj për Bashkinë Gramsh, pas situatës emergjente të shkaktuar nga zjarret në muajin gusht, të cilat prekën disa fshatra të Njësisë Administrative Skënderbegas.

Ky vendim synon mbështetjen e menjëhershme të Bashkisë Gramsh për përballimin e kostove të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia, lehtësimin e barrës financiare që solli emergjenca, si dhe rikuperimin e një pjese të dëmeve në territorin e saj.

 Zjarret shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke cenuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe pasuritë e tyre. Për këtë arsye, në frymën e solidaritetit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, Bashkia Elbasan ka vlerësuar të domosdoshme ndarjen e këtij fondi, si një akt bashkëpunimi dhe ndihme reciproke për përballimin e fatkeqësive natyrore.

Këshilli Bashkiak miraton krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar në mbledhjen e radhës krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e administratës vendore përmes trajnimit dhe profesionalizimit të saj.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi këtë hap si një moment të rëndësishëm për pushtetin vendor, duke e vlerësuar edhe si pjesë të domosdoshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Të gjitha bashkitë do të kenë një institucion të posaçëm ku do të trajnojnë punonjësit e tyre, specialistët dhe administratën, për të ndarë problematikat dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Kjo është një mundësi për një administratë më profesionale dhe më efikase,” u shpreh Llatja.

Akademia do të drejtohet nga një komitet i përbashkët me përfaqësues nga bashkitë dhe qeveria qendrore, ku në krye do të jetë Ministri i Pushtetit Vendor. Për funksionimin e saj, të gjitha bashkitë do të kontribuojnë financiarisht, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove.

Ky institucion i ri do të shërbejë për zhvillimin dhe kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve vendorë, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë të administratës vendore. Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve ndaj komuniteteve, rritja e eficiencës së pushtetit vendor dhe përgatitja e tij për sfidat e integrimit europian.

“Stina Koncentrore “sjell magjinë e muzikës në Elbasan            

Mbrëmjen e djeshme, tek Porta e Kalasë në Elbasan, u zhvillua një koncert vokal–instrumental i Orkestrës së Harqeve Elbasan, pjesë e ciklit kulturor “Stina Koncertore”, i organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Qytetarët dhe vizitorët patën mundësinë të shijojnë një koncert të veçantë, që vjen në kuadër të programit të pasur, ku netët kulturore dhe artistike nuk kanë munguar, duke gjallëruar jetën e qytetit dhe duke e kthyer Elbasanin në një destinacion të rëndësishëm për artin dhe turizmin.

Në këtë koncert u ngjitën në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre tenori i shquar, “Mjeshtër i Madh” Kastriot Tusha, sopranoja Erinda Agolli, si dhe artistët Matilda Bajrami (flaut), Agim Mustafaj (klarinetë), Bashkim Kupi (violinçel) dhe Franceska Kasa (këngëtare). Orkestra u drejtua nga dirigjentët Blerim Narazani dhe Antonio Pine.

Mbrëmja ofroi një program muzikor të pasur dhe emocionues, që kënaqi të gjithë adhuruesit e muzikës.

116 vjet Kongresi i Elbasanit

116 vjet më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.

Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refit Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi, Kahreman Vrioni, etj.

Programi kulturor e arsimor që hartoi Kongresi i Elbasanit parashtronte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe. Kongresi parashtroi edhe nevojën e krijimit të një shkolle të mesme në Elbasan.

Kongresi i Elbasanit, në rrugë demokratike zgjodhi kryetar Dervish Biçakçiun, si dhe nënkryetar Mit’hat Frashërin. Ndërsa shkrues të Kongresit u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima. Kongresi i Elbasanit mori një sërë vendimesh të pasqyruara në Aktin e Vendimeve të Kongresit, prej 15 pikash si dhe miratoi dhe rregulloren e klubeve dhe shoqërive patriotike.

Në vendimet e këtij kongresi theksohet se Shoqëria “Përparimi”, që do të krijohej në Korçë, kishte për detyrë të financonte mbajtjen e Shkollës Normale (e hapur më 1 dhjetor të 1909), me ndihmat që do të grumbulloheshin, do t’u jepte ndihmë shkollave shqipe ekzistuese, do të orientonte çeljen e shkollave të rejave në shumë vise të vendit, si dhe futjen e mësimit shqip në të gjitha shkollat e huaja që ekzistonin. Jo rastësisht për mbajtjen e kongresit të arsimit u zgjodh qyteti i Elbasanit.

Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare të këtij qyteti që ndikuan në zgjedhjen e tij. “Njerëzia e Elbasanit jo vetëm tani, por edhe në kohët despotike, ishin quar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe”, shkruante Mit’hat Frashëri në ditarin e tij.

Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore “Përparimi”, në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.

Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit u bë në Korçë përurimi i shkollës së riorganizuar të djemve (i Mësonjëtores së Parë Shqipe të vitit 1887), çelur qysh në pranverën e vitit 1909, e cila ishte një nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit, në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç, ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit) dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.

Punimet e Kongresit të Elbasanit patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Kalendari “Korça”, në titullin “Kongresi i Elbasanit”, shkruante se “ky kongres është më i shënuari nga të gjithë kongreset. Me vendimet që mori e la emrin e tij të pa vdekur nëpër faqet e historisë sonë”. Ndërsa e përkohshmja “Italia për të huajt” (L’Italia al estero) do të theksonte se “në Elbasan u mbajt një kongres i madh, ku morën pjesë shqiptarë të shkëlqyer, me qëllim që të vënë në udhë të gjitha ato që janë të nevojshme për përparimin dhe paqen e Shqipërisë”.

Punimet dhe vendimet në rrafshin kombëtar të Kongresit të Elbasanit, përbëjnë vlerë dhe kontribut në drejtim të përhapjes së arsimit, gjuhës amtare e kulturës kombëtare.

Elbasani me zyrat e reja të shërbimeve publike, qytetarët përfitojnë nga një shërbim më i lehtë dhe i unifikuar

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka parë nga afër ambientet e reja të Zyrës së Shërbimeve, një hap i rëndësishëm që vendos qytetarët në qendër të shërbimit publik.

Në këtë hapësirë janë bashkuar të gjitha shërbimet online të shtetit dhe pushtetit vendor, duke i mundësuar qytetarëve që të marrin shërbimet e tyre në një ambient të vetëm. Po ashtu, janë ngritur sportele të dedikuara për Ujësjellës-Kanalizime dhe Postën Shqiptare, ndërsa çdo qytetar që ka vështirësi në përdorimin e portalit e-Albania, mund të marrë asistencë falas dhe të specializuar.

Qytetarët tashmë mund të kryejnë kërkesa apo ankesa pranë OSHE dhe Ujësjellësit, të marrin informacion për problematika të ndryshme, si dhe të aplikojnë për vitet e punës për pensionin. Në zyrën e re do të ketë personel të dedikuar për t’i asistuar, duke shmangur nevojën për t’iu drejtuar zyrave private.

Një tjetër risi është funksionimi i zyrës “One Stop Shop” të Bashkisë Elbasan, si dhe një ambient i Postës Shqiptare, të cilat ofrojnë ndihmë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme teknologjike.

“Ky është një shërbim që i bën jetën e qytetarëve më të lehtë, më transparente dhe më të shpejtë. Në një vend të vetëm, ata gjejnë zgjidhje për të gjitha kërkesat dhe problematikat e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.