Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 1 Tetor 2025

“Paketa e Maleve”, 4 zona të reja zhvillimi për Elbasanin

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar shpalljen e katër zonave prioritare për zhvillim brenda territorit administrativ të Bashkisë Elbasan.

 Zonat e përzgjedhura janë Njësitë Administrative Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik e mjedisor për qytetin dhe rajonin.

Ky vendim bazohet në Ligjin nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror, si dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore e kulturore të zonave.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se këto zona kanë potencial të lartë zhvillimi dhe po tërheqin interes të madh nga bizneset dhe investitorët, ndërsa prioritet mbetet zhvillimi i turizmit malor dhe ekoturizmit.

Gjinari, i njohur si “xhevahiri natyror” i Elbasanit, ofron potencial për zhvillimin e turizmit malor, ekoturizmit dhe përpunimit të bimëve mjekësore.

Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, shihet si një destinacion i ardhshëm për turizëm kulturor, rural dhe sporte e aventurës.

Nga ana tjetër, Tregani, me ujërat termale, mbetet një atraksion i veçantë për turizmin shëndetësor e relaksues. Aktualisht zona më e frekuantuar e Elbasanit me mbi 9 mijë vizitorë çdo vit.

Ndërsa Shushica (Bysheku), vetëm pak kilometra nga qyteti, konsiderohet një zonë me potencial për turizëm familjar, bujqësi dhe kulinari tradicionale. 

Një zhvillim më të madh Shushica pritet të marrë në vijim teksa bëhet zona më e afërt me autumotoparkun dhe koridorin e VIII ç’ka do të ndikojë drejpërdrejt në zonën e Shushicës dhe jo vetëm.

Bizneset familjare janë baza e zhvillimit lokal

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vizitoi një biznes familjar në fshatin Gjergjan, i cili prej një dekade merret me shitjen dhe riparimin e mjeteve bujqësore. Ky aktivitet, i ngritur nga Bardhi Muça pas kthimit nga emigracioni, është bërë një pikë referimi për fermerët e zonës dhe jo vetëm.

Familja Muça ka arritur të krijojë një model të qëndrueshëm pune, ku të gjithë anëtarët janë të angazhuar. Dy djemtë e familjes, të cilët kanë përfunduar shkollën profesionale, tashmë japin ndihmesë të drejtpërdrejtë në funksionimin e biznesit, duke e kthyer atë në një sipërmarrje me perspektivë afatgjatë.

Gjatë vizitës, Llatja u njoh nga afër me punën dhe shërbimet që ofron ky aktivitet, duke vlerësuar rolin që kanë bizneset familjare në ekonominë vendase. Ai theksoi se Bashkia Elbasan është e angazhuar të mbështesë nisma të tilla, të cilat jo vetëm gjenerojnë punësim, por edhe u vijnë në ndihmë komuniteteve rurale.

“Mbështetja për bizneset familjare është një prioritet për ne. Ato janë baza e ekonomisë vendase dhe një shembull se si puna e ndershme dhe bashkëpunimi familjar sjellin zhvillim për komunitetin,” u shpreh Llatja gjatë vizitës.

Biznesi i familjes Muça i shërben jo vetëm Gjergjanit, por edhe qytetit të Elbasanit dhe fshatrave përreth, duke u bërë një partner i rëndësishëm për fermerët që kërkojnë shërbime profesionale dhe të besueshme në fushën e bujqësisë.

Bashkia prezanton nisma të reja për angazhimin e të moshuarve në Elbasan

Në kuadër të Ditës Botërore të të Moshuarve, Bashkia Elbasan organizoi një aktivitet të veçantë në Qendrën e të Moshuarve, ku kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, vizitoi qendrën dhe vlerësoi angazhimin e qytetarëve të moshuar.

Qendra ofron shërbime falas për të moshuarit, duke përfshirë matjen e tensionit, kontrollin e diabetit, fizioterapi, qasje në internet, si dhe aktivitete sociale dhe këshillime. Ky angazhim ka si qëllim krijimin e një komuniteti aktiv dhe të bashkuar, ku të moshuarit ndihen të vlerësuar dhe të përfshirë.

Si pjesë e këtij angazhimi, kryetari i Bashkisë u kërkoi të moshuarve të shoqërojnë fëmijët në shkolla, duke kontribuar drejtpërdrejt në komunitetin rinor dhe në edukimin e brezit të ri. Kjo nismë e veçantë demonstron se të moshuarit mund të japin një kontribut të çmuar dhe të jenë pjesë aktive e jetës së komunitetit.

Qendra e të Moshuarve në Elbasan është e para e këtij lloji, dhe brenda vitit pritet të hapen edhe dy qendra të tjera, duke ofruar shërbime dhe aktivitete për të gjithë qytetarët e moshuar dhe për përfshirjen e tyre aktive në komunitet.

Këshillit Rinor i Bashkisë Elbasan organizoi edhe një koncert kushtuar kësaj dite në Qendrën Ditore të të Moshuarve.