Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 4 Tetor 2025

Lagja “Fushë-Mbret” feston 90-vjetorin dhe nderon figura të shquara nga Kosova dhe Maqedonia

Lagjja historike “Skënderbej” në Elbasan festoi 90-vjetorin e themelimit me një ceremoni përkujtimore, ku morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Princ Leka, nipi i Mbretit shqiptar Ahmet Zogu.

Kjo lagje u themelua në vitin 1935, si pjesë e Reformës Agrare të Mbretit Zog, që synonte sistemimin e familjeve shqiptare të dëbuara nga Kosova dhe Maqedonia. “Fushë-Mbret” u bë strehë e re për dhjetëra familje që lanë pas trojet e tyre, duke ndërtuar këtu një komunitet të fortë, me vlera të spikatura qytetare e kombëtare.

Në ceremoninë përkujtimore, e zhvilluar në ambientet e lagjes, u nderuan me certifikata mirënjohjeje figura të shquara të komuniteteve shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia, për kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturës dhe traditave.

Të vlerësuarit ishin, Bajram Ipeku, për guximin dhe vendosmërinë që hapën rrugë për brezat e rinj të Pejës, Sadik Merko, patriot nga Struga, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare. Idris Gërlica Krasniqi, rapsod popullor dhe ruajtës i trashëgimisë kulturore shqiptare, Hasan Feratozi, nacionalist nga Maqedonia, i dalluar për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, Mustafa Dauti, myfti i respektuar, që ruajti traditat dhe identitetin shpirtëror të komunitetit mysliman, dhe Faslli Berisha, përfaqësues i një familjeje patriotike me kontribut në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në mbrojtjen e vlerave kombëtare.

Gjatë aktivitetit u përkujtua edhe momenti historik i  tetorit 1935, kur në lagjen “Fushë-Mbret” u vendosën për herë të parë 56 familje kosovare dhe 15 familje maqedonase, duke shënuar fillimin e një bashkëjetese shembullore që vijon prej nëntë dekadash.

Kryetari Gledian Llatja theksoi se lagjja “Fushë-Mbret” përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit dhe të identitetit të tij kulturor. Ai vuri në dukje se vitet e fundit janë realizuar investime të mëdha infrastrukturore dhe sociale në këtë zonë, për t’i dhënë vendin që i takon në historinë urbane të Elbasanit.

“Ky përvjetor është një kujtesë e rrënjëve tona dhe e lidhjeve të forta që na bashkojnë si komb. ‘Fushë-Mbret’ është dëshmi e gjallë e historisë, sakrificës dhe unitetit shqiptar”, u shpreh Llatja gjatë fjalës së tij.

Ceremonia u mbyll me një atmosferë festive dhe simbolike, duke vlerësuar trashëgiminë, guximin dhe përkushtimin e brezave që ndërtuan këtë lagje dhe e kthyen në një pjesë të rëndësishme të mozaikut historik të Elbasanit.

Arti lituanez në “Skampa 2025 Extension”, një natë e dytë e mbushur me reflektim dhe emocion

Në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa 2025 Extension”, publiku elbasanas pati mundësinë të ndjekë premierën e trupës lituaneze Artūras Areima Theater (AAT)me shfaqjen“Për një botë më të mirë”.

Drama zhvillohet në një realitet distopik të përfshirë nga lufta, ku mbijetesa shndërrohet në një betejë psikologjike, ndërsa publiku ftohet të reflektojë mbi mënyrën si shoqëria justifikon konfliktet dhe raportin e njeriut me natyrën – jo si pronë për t’u sunduar, por si një hapësirë e përbashkët që duhet ruajtur.

Një natë më parë, në Teatrin “Metropol”, trupa greke Dot Ensemble Theatre nga Selaniku prezantoi shfaqjen “Petrikora”, të frymëzuar nga balada ballkanike “Ura e Artës”, duke hapur rrugën për reflektime mbi marrëdhënien midis mitit dhe dilemave të sotme.

Përveç skenës teatrore, programi i festivalit ka përfshirë edhe artin vizual: në ambientet e Bibliotekës së qytetit është ekspozuar veprimi i Fetah Bizës me titull “Kujtesa e qytetit përmes artit dramatik”, një përpjekje për të lidhur kujtesën urbane me dramatikën dhe përvojat artistike të qytetit.

Ky është edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Elbasan, i cili nga viti në vit sjell trupa të huaja dhe vendase, duke e kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të dialogut kulturor. Mbështetja e vazhdueshme e Bashkisë Elbasan dëshmon rëndësinë që i jepet artit dhe jetës kulturore, duke e bërë festivalin një nga ngjarjet më të spikatura të kalendarit artistik shqiptar.