Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar “Skampa” sjell teatër, vallëzim dhe reflektim mbi identitetin
Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Skampa” në Elbasan ka vijuar me një seri aktivitetesh artistike që ndërthurin teatrin, danc-in dhe krijimtarinë bashkëkohore, duke sjellë për publikun emocione dhe energji të reja skenike.
Programi i ditës nisi me workshopin “Loja”, të udhëhequr nga artistja Aida Llukaj, e diplomuar në Universitetin “La Sapienza” në Itali dhe me eksperienca të shumta në projekte teatrore në vende të ndryshme të Europës. Llukaj, e cila aktualisht jeton në Francë ku ka themeluar kompaninë e dancit teatror “Cie Daidat”, ndau me pjesëmarrësit përvojat e saj mbi ndërthurjen e trupit, mendimit dhe improvizimit në procesin krijues.
Në vijim, trupa nga Prizreni solli për publikun shfaqjen “Brendësia e kostumit”, një performancë që eksploron marrëdhëniet njerëzore përmes tensionit dhe harmonisë, duke përdorur varësen si metaforë për rrënjët, përkatësinë dhe kufijtë e identitetit.
Mbrëmja u mbyll me interpretimin e dramës “Yerma” nga Asociacioni i Artistëve të Dramës së Vojvodinës (Serbi). Shfaqja, e bazuar në veprën e Federico García Lorcës, ndërthurte fjalën, muzikën dhe vallëzimin flamengo, duke sjellë një reflektim të fortë mbi të drejtat e grave, dashurinë dhe lirinë personale. Muzika live dhe skenografia minimaliste krijuan një përjetim të thellë emocional, që tejkaloi barrierat gjuhësore dhe preku ndjeshëm publikun elbasanas.
Për më shumë se një çerek shekulli, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ka qenë zemra e artit në Elbasan. Çdo vit, ai sjell trupa dhe krijues nga vende të ndryshme, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur ku takohen kultura, emocione dhe histori njerëzore. Ky festival është dëshmia më e bukur e dashurisë së Elbasanit për artin.